Fjalët e Virgjërës Mari drejtuar bijës së saj, ku gjenden mësime të dobishme rreth mënyrës se si ajo duhet të jetojë dhe jepen hollësira rreth mundimeve të Krishtit.
Libri 1 - KAPITULLI 10

Unë jam Mbretëresha e qiellit, Nëna e Hyjit. Të thashë se duhet të mbash një karficë në gjoks. Tani do të të tregoj më tepër se si, qysh nga fillimi, kur së pari mësova dhe arrita të kuptoj se Hyji ekziston, unë kujdesesha për shpëtimin tim dhe zbatimin e rregullave fetare. Kur mësova më mirë se Hyji vetë ishte Krijuesi im dhe gjykatësi i gjithë veprimeve të mia, unë zura ta dua thellësisht dhe isha gjithmonë syhapur dhe e kujdesshme që të mos e fyeja me fjalë ose vepra. Kur mësova se Ai i kishte dhënë popullit të tij ligjin dhe urdhëresat dhe se kishte bërë aq shumë mrekullira mes tyre, e ndava mendjen që të mos doja tjetër veç Tij dhe gjërat e kësaj bote m’u bënë krejtësisht të neveritshme.

Pastaj kur mësova se vetë Hyji do ta shëlbonte botën dhe do të lindte nga një Virgjër, më brofi fort zemra nga dashuria për Të saqë nuk mendoja tjetër gjë përveç Hyjit dhe nuk doja tjetër veç Tij. Me aq sa mundesha iu largova gjithë bisedave dhe pranisë së prindërve dhe miqve dhe u shpërndava nevojtarëve gjithçka kisha. Për vete nuk mbajta tjetër përveç disa ushqimeve dhe veshjeve të pakta.

Vetëm Hyji më jepte kënaqësi. Gjithnjë shpresoja në zemrën time të jetoja deri sa Ai të lindte dhe të mund të meritoja të bëhesha shërbëtorja e padenjë e Nënës së Hyjit. Gjithashtu u betova me vete që ta ruaja virgjërinë, nëse Ai do ta pranonte, dhe të mos zotëroja asgjë në këtë botë. Por nëse Hyji dëshironte ndryshe, dëshira ime ishte që vullneti i Tij, jo i imi, të bëhej, sepse unë besoja se Ai ishte në gjendje të bënte gjithçka dhe më donte vetëm të mirën. Kështu që unë ia besova Atij gjithë vullnetin tim. Kur erdhi koha për paraqitjen e virgjërave në tempullin e Hyjit, unë isha me to për meritë të prindërve të mi. Mendova me vete se asgjë nuk ishte e pamundur për Hyjin dhe se duke qenë se Ai e dinte që unë nuk dëshiroja e nuk doja tjetër veç Tij, Ai do ta mbronte virgjërinë time, nëse kjo do i pëlqente: përndryshe, le të bëhej vullneti i Tij!

Pasi dëgjova gjithë urdhëresat e Tij në tempull, u ktheva në shtëpi e ndezur më tepër se kurrë nga dashuria për Hyjin, e pëvëluar nga zjarre dhe dëshira të reja dashurie çdo ditë. Për këtë arësye u largova akoma më shumë nga gjithçka tjetër dhe rrija vetëm ditë e natë nga frika se mos goja ime mund të thoshte ndonjë gjë apo veshët e mi mund të dëgjonin diçka kundër Hyjit apo se mos sytë e mi shihnin gjëra që mund t’u pëlqenin. Të njëjtën frikë provoja edhe gjatë heshtjes sepse druhesha mos heshtja edhe për çështje mbi të cilët do ishte më mirë të flisja.

Ndërsa isha e trazuar kështu brenda meje, në vetmi, duke ia besuar gjithë shpresat Hyjit, taman në atë çast më erdhi në mend të përsiatja mbi fuqinë e madhe të Hyjit, se si engjëjt dhe gjithë krijesat i shërbejnë dhe se si lavdia e tij ish e papërshkrueshme dhe e pafund. Ndërsa përsiatja për këto, pashë tre pamje të mrekullueshme. Pashë një yll, por jo si ata që shkëlqejnë në qiell. Pashë një dritë, por jo si ajo që vezullon në botë. Ndjeva një aromë, por jo si ajo e bimëve apo diçka e përafërt, por papërshkrueshmërisht e ëmbël, që më mbushi aq shumë sa gati më vintë të fluturoja nga gëzimi. Pikërisht atëherë dëgjova një zë, por jo prej goje njeriu. U tremba shumë kur e dëgjova dhe mendova mos më bënin veshët. Një engjëll i Hyjit u shfaq para meje në formën më të bukur njerëzore, edhe pse pa trup, dhe më tha: 'Të falem, o hirplote!'

Kur e dëgjova mendova se ç’domethënie mund të kish kjo dhe pse më përshëndeti në atë mënyrë, sepse e dija dhe besoja se isha e padenjë për një gjë të tillë apo për çfarëdo gjë tjeter të mirë, por edhe që Hyji mund të bënte gjithçka donte. Engjëlli vazhdoi: 'Ai që do të lindë prej teje është i shenjtë dhe do të quhet Biri i Hyjit. Do të bëhet siç i pëlqen Hyjit’. Unë as e mendova veten të denjë as e pyeta engjëllin ‘Pse?’ apo ‘Kur do të ndodhë kjo?’, por thashë: 'Si do të ndodhë që unë, që nuk njoh burrë, do të bëhem Nëna e padenjë e Hyjit?' Engjëlli, siç thashë, m’u përgjigj se asgjë nuk është e pamundur për Hyjin por që ‘Gjithçka Ai dëshiron të bëjë, do bëhet.'

Kur dëgjova fjalët e engjëllit, ndjeva dëshirë tejet të flaktë të bëhesha Nëna e Hyjit, dhe shpirti im foli prej dashurisë: 'Ja ku jam, u bëftë mbi mua vullneti Yt!' Pasi thashë kështu, taman në atë çast im Bir m’u ngjiz në krahëror ndërsa shpirti dhe gjithë gjymtyrët e mia provuan një emocion të papërshkrueshëm. Sa kohë e kisha në krahëror, e mbajta pa asnjë dhimbje, pa asnjë rëndesë apo lodhje në trup. E përvujtërova veten në çdo mënyrë, duke ditur që Ai që mbaja ishte i Plotfuqishmi. Kur e linda, e bëra këtë pa dhimbje dhe pa mëkat, ashtu siç e kisha ngjizur, me një drithërimë të tillë gëzimi në trup dhe shpirt saqë më dukej sikur ecja në qiell prej lumturisë.

Njëlloj siç hyri brenda meje duke gëzuar gjithë shpirtin tim, po në atë mënyrë gëzonte çdo gjymtyrë e imja kur Ai doli prej meje ndërsa shpirti im galdonte dhe virgjëria ime nuk u përlye. Kur e vështrova dhe kundrova bukurinë e Tij, duke e ditur që isha e padenjë për një djalë të tillë, gëzimi më buroi nga shpirti si pika vese. Kur pashë vendet ku, siç kisha mësuar nga profetët, duart dhe kembët e tij do të gozhdoheshin në kryq, sytë m’u mbushën me lot dhe zemra m’u copëtua nga trishtimi. Im Bir i pa sytë e mi të përlotur dhe u trishtua sa s’ka më. Por kur çova ndërmend fuqinë e Tij hyjnore, u ngushëllova përsëri, duke kuptuar se kështu i pëlqente Atij dhe se kjo ishte rruga e drejtë, dhe unë e bëra timin vullnetin e Tij. Kështu gëzimi im ishte gjithnjë i përzier me dhimbje.

Kur erdhi koha e mundimeve të Birit tim, armiqtë e kapën. E goditën në faqe dhe qafë, e pështynë ndërsa e tallnin. Kur e çuan tek shtylla, armiqtë e zhveshën dhe ia vunë duart mbi të dhe, pa mëshirë, ia lidhën. I lidhur në shtyllë, pa asnjë petkë, siç kishte lindur, qëndroi atje i sikletosur prej lakuriqësisë. Miqtë e tij ia kishin mbathur, armiqtë ishin gati për veprim. E rrethuan në çdo anë dhe e fshikulluan trupin e tij të panjollë e të pamëkat. Unë ndodhesha pranë dhe, në goditjen e parë, u plandosa përdhe si e vdekur. Kur u përmenda, pashë trupin e Tij të goditur e katandisur mos më keq. Më e tmerrshmja ishte që nga goditjet mishi iu bë copë-copë.

Ndërsa im Bir qëndronte atje krejtësisht i përgjakur dhe mbuluar në plagë e nuk i kish mbetur vend i paprekur ku mund ta qëlloje, atëherë dikush, i prekur në shpirt, pyeti: 'Vallë do e vrisni pa e gjykuar?' Dhe fill pas kësaj i preu litarët. Pastaj im Bir u vesh vetë. Pashë se vendi ku kish qëndruar im Bir ish mbuluar nga gjaku dhe nga gjurmët e tij kuptoja se nga kish kaluar sepse toka ish përgjakur kudo shkonte. Nuk patën durim ta linin të vishej, por e shtynin që të vishej shpejt. Ndërsa e vunë përpara si cub, Ai i pastroi sytë nga gjaku. Pasi e dënuan i vunë kryqin mbi shpinë për ta mbartur. E mbajti ca, por pastaj dikush erdhi dhe u ofrua ta mbante në vend të Tij. Ndërsa im Bir po shkonte në vendin e mundimeve, disa e goditën në qafë dhe të tjerë në fytyrë. E goditën aq keq dhe aq fort saqë, edhe pse nuk pashë kush e qëlloi, e dëgjova qartë zhurmën e goditjes. Kur mbërrita në vendim e mundimeve me Të, i pashë të përgatitura të gjitha mjetet e vdekjes. Kur im Bir ish aty, u zhvesh vetë, ndërsa shërbëtorët i thonin njëri- tjetrit: 'Këto janë petkat tona sepse, duke qenë dënuar me vdekje, nuk do t’i kthehen.'

Im Bir qëndronte atje, lakuriq siç kish lindur, kur dikush erdhi nxitimthi dhe i zgjati një vello me të cilën Ai me gëzim mbuloi turpin e Tij. Pastaj ekzekutuesit mizorë e kapën dhe e shtrinë mbi kryq, duke i gozhduar fillimisht dorën e djathtë në traun horizontal ku ish hapur një vrimë për gozhdën. Ia shpuan dorën aty ky kocka ishte më e fortë. Me litar i tërhoqën dorën tjetër dhe e lidhën në të njëtën mënyrë në traun horizontal. Pastaj kryqëzuan këmbën e djathtë me të majtën sipër duke përdorur dy gozhda saqë gjithë nervat dhe damarët iu tendosën dhe plasën. Pastaj i vunë kurorën me ferra në kokë dhe ajo depërtoi aq thellë në kokën e nderueshme të tim Biri saqë gjaku i veshi sytë tek rridhte dhe i njollosi mjekrrën. Në kryq, i plagosur dhe përgjakur, i erdhi keq për mua që isha aty pranë e përlotur dhe, duke vështruar me sytë e përgjakur, në drejtim të Gjonit, nipit tim, i la amanet të kujdesej për mua.

Dëgjoja disa që thoshin se im Bir ishte cub, të tjerë se ishte gënjeshtar, të tjerë akoma që thoshin se askush nuk e meronte vdekjen më tepër se im Bir. Dhimbja m’u shtua nga sa dëgjova. Por siç thashë më parë, kur i ngulën gozhdën e parë, ajo goditje e parë më bëri të dridhem aq shumë sa rashë si e vdekur, sytë m’u errën, duart m’u drodhën, këmbët m’u morën. Në hidhërimin e dëshpërimit tim nuk isha në gjendje të shihja më derisa e gozhduan krejtësisht në kryq. Kur erdha në vete, pashë tim Bir tek varej atje në mjerim dhe, krejtësisht e çoroditur, unë, Nëna më e pafat, mezi qëndroja në këmbë nga dhimbja e madhe.

Duke parë vajin tim dhe të miqve të Tij, im Bir iu drejtua me zë të lartë dhe plot dhimbje Atit te vet duke thënë, 'Atë, pse më ke braktisur?' Ishte sikur të thoshte: 'Nuk i dhimbsem askujt veç Teje, o Atë.' Në këtë fazë sytë e Tij dukeshin gjysëm të shuar, faqet i ishin groposur, çerja i kish ikur, goja i ish hapur dhe gjuha përgjakur. Barku i ish bërë petë pasi kish humbur gjithë lëngjet, njëlloj sikur të mos kishte më organe. I gjithë trupi i ishtë zverdhur dhe lëngonte nga humbja e gjakut. Duart dhe këmbët i ishin tendosur, ngjitur pas kryqit në formë kryqi. Mjekrra dhe flokët i ishin mbuluar gjithë gjak.

Atje qëndronte i enjtur dhe mavijosur, vetëm zemrën e kish ende të shëndoshë sepse kishte kishte konstrukt nga më të mirët dhe të fortët. Nga mishi im kish marrë trup nga më të pastrit dhe të përkryerit. Kish lëkurë aq të hollë dhe të butë saqë pak ta qëlloje i dilte gjak menjëherë. Gjakun e kish aq të freskët sa mund t’i dallohej lehtë nën lëkurën e pastër. Pikërisht sepse kishte kosntrukt të përkryer, jeta përleshej me vdekjen në trupin e Tij. Kishte momente kur dhimbja në gjymtyrët dhe nervat e trupit të plagosur i shkonte deri në zemrën ende të fuqishme dhe të pacënuar dhe i shkaktonte dhimbje dhe vuajtje të pabesueshme. Kishtë pastaj momente kur dhimbja i zbriste nga zemra tek gjymtyrët e plagosura dhe kjo e shtynte më dhimbshëm vdekjen.

I mbërthyer nga këto dhimbje, im Bir shikoi miqtë e Tij që qanin e do kishin dashur ta vuanin ata vetë, me ndihmen e Hyjit, dhimbjen e Tij apo të digjeshin në ferr përgjithmonë sesa ta shikonin të vuante ashtu. Keqardhja që Ai ndjeu për hidhërimin e miqve të vet ia kaloi gjithë mundimëve që kish hequr në trup dhe zemër, sepse i donte shumë. Pastaj, prej ankthit të pamatë që vuante në natyrën e vet njerëzore, Ai iu drejtua Atit: 'Atë, në duart e Tua po e besoj shpirtin Tim.' Kur Unë, Nëna e tij, jashtë mase e hidhëruar, i dëgjova këto fjalë, tërë trupi m’u drodh nga dhimbja e thellë që më kaploi zemrën.

Sa herë që e kam kujtuar atë thirrje më pas, më dukej sikur e dëgjoja përsëri njëlloj. Ndërsa vdekja afrohej dhe zemra i plasi nga dhimbja e madhe, gjithë trupi iu drodh, koka iu ngrit pak dhe pas pak iu var prapë, goja iu hap sa i dukej gjuha e përgjakur. Ngaqë duart i lëvizën ca nga vendi i shpimit, këmbëve u duhej të duronin një peshë më të madhe. Gishtat dhe krahët iu shtrinë disi dhe kurrizi iu ngjesh pas kryqit.

Pastaj disa më thanë: 'Mari, yt Bir vdiq.' Të tjerë thanë: 'Vdiq por do të ngjallet përsëri.' Ndërsa të gjithë largoheshin, njëri erdhi dhe i nguli një heshtë në krahëror me aq forcë saqë mend i doli nga ana tjetër. Kur e nxorri, maja e heshtës ish përskuqur nga gjaku. M’u duk sikur m’u shpua zemra kur e pashë zemrën e Birit tim të shtrenjtë të shpuar. Pastaj e zbritën nga kryqi. E mora trupin e tij në prehrin tim; dukej si trupi i një të gërbuluri, i tëri i mavijosur. Sytë të pajetë dhe plot gjak, goja e ftohtë akull, mjekrra ashpërsuar, fytyra ngrirë, duart lëshuar drejt kërthizës.

E pata mbi gjunjë njëlloj siç kish qenë mbi kryq, si një njeri të cilit i kanë ngrirë të gjitha gjymtyrët. Pastaj e mbështollën me një çarçaf të pastër dhe unë i fshiva plagët dhe gjymtyrët e ia mbylla sytë dhe gojën që i kishin mbetur hapur kur vdiq. Pastaj e mbyllën në varr. Oh sa do të kisha dashur të më kishin futur për së gjalli atje me tim Biri, nëse i tillë di kish qenë vullneti i Tij! Pasi u bënë këto, Gjoni erdhi e më mori në shtëpinë e tij. Shih pra, bija ime, se çka hequr im Bir për ty!