Fjalët e Krishtit drejtuar nuses së Tij rreth faktit se si Ai u vetëdorëzua për t’u kryqëzuar nga armiqtë e Tij dhe se si i duhet vënë fre trupit duke sjellë ndërmend mundimet e Tij.
Libri 1 - KAPITULLI 11

Biri i Hyjit i foli nuses së vet duke thënë: "Unë jam Krijuesi i qiellit dhe tokës dhe vetë trupi im shugurohet në altar. Duamë me gjithë zemër sepse të kam dashur dhe iu dorëzova vetë vullnetarisht armiqve të mi duke i zhytur miqtë dhe Nënën time në trishtim dhe zi. Edhe pse pashë gati heshtën, gozhdët, kamzhikun dhe instrumenta të tjerë torturash, prapë se prapë iu nënshtrova vuajtjeve me gëzim. Edhe pse nga koka më dilte gjak prej kurorës me ferra e gjaku më kullonte ngado dhe armiqtë më kishin në dorë, prapë se prapë do kisha pranuar më mirë të ma copëtonin zemrën sesa të të humbisja ty. Pra ti je jashtëzakonisht mosmirënjohëse nëse, në këmbim të kësaj dashurie kaq të madhe, nuk më do.

Meqenëse koka m’u shpua dhe m’u ul në kryq për ty, edhe koka jote duhet të ulet për përvujtëri. Meqë sytë m’u përgjakën dhe mbushën me lot, sytë duhet t’i mbash larg pamjeve që ndjellin kënaqësi. Meqë veshët m’u mbushën me gjak dhe dëgjova fjalë tallëse kundër meje, veshët e tu duhet të mbyllen para bisedave të kota e të padenja. Meqë buzët m’i njomën me pije të hidhur dhe jo të ëmbëll, mbylle gojën për keq dhe hape për mirë. Meqë duart m’i drejtuan duke i gozhduar, bëj që veprat e tua, të simbolizuara nga duart, të drejtohen kah të varfërit dhe urdhërimet e mia. Bëj që këmbët e tua, domethënë afeksionet tua, me të cilat duhet të ecësh drejt meje, të kryqëzohen përsa u përket epsheve në mënyrë që, ashtu siç Unë vuajta me të gjitha gjymtyrët, ashtu edhe gjymtyrët e tua të jenë të gatshme të më binden. Pres të shërbehem më tepër prej teje se prej të tjerëve sepse ty të kam dhënë hir më të madh."