Rreth faktit se si një armik i Hyjit kish tre djaj brenda vetes dhe vendimit që Krishti mori për të.
Libri 1 - KAPITULLI 13

Armiku im ka tre djaj brenda vetes. Të parin e ka tek gjenitalet, të dytin në zemër, të tretin në gojë. I pari i ngjason një marinari që e lë ujin të hyjë nga kili i anijes dhe uji, duke u shtuar gradualisht, e mbush anijen plot. Atëherë anija fundoset dhe mbytet. Kjo anije simbolizon trupin e tij pre të tundimeve dhe epsheve që i përngjajnë stuhisë. Epshi hyri në fillim nga kili, domethënë nga gëzimi që ai provoi nga mendimet e këqija. Meqenëse nuk u bëri ballë me anë të pendesës e as i mbylli vrimat me gozhdat e përkores, uji i epshit u shtua dita ditës si pasojë e lëshimeve të tij.

Kur anija u mbush e u stërmbush me lakmitë trupore, uji vërshoi dhe e fundosi me epshe e ai nuk mundi të arrijë në portin e shpëtimit. Djalli i dytë, që i banon në zemër, është si një krimb brenda mollës që fillimisht bren zemrën e mollës dhe pastaj, pasi lë aty jashtëqitjet, vërtitet nëpër mollë derisa ajo kalbet e tëra. Kështu sillet djalli. Në fillim rrënon vullnetin dhe dëshirat e mira të njeriut, që janë si zemër ku gjenden gjithë forca dhe mirësia e mendjes dhe pasi zemra zbrazet prej këtyre të mirave, ai vë në vend të tyre mendime dhe dëshira për botën që ky njeri deshi më shumë. Pastaj e shtyn edhe trupin drejt kësaj kënaqësisë së vet dhe për këtë arësye kurajoja dhe të kuptuarit bien dhe jeta bëhet e mërzitshme. Ai është vërtet një mollë pa zemër, pra një njeri pa shpirt, duke qenë se ai hyn në kishë pa zemër pasi nuk ka dashuri.

Djalli i tretë është si një shigjetar i cili, duke hedhur vështrimin nga dritaret, godet të pavëmendshmin. Si mundet djalli të mos jetë në një njeri që e përmend në çdo bisedë? Atë që duam më tepër, e përmendim më tepër. Fjalët e ashpra me të cilat lëndon të tjerët janë si shigjeta të gjuajtura nga po aq dritare sa janë herët që ai përmend djallin apo aq herë sa fjalët e tij lëndojnë të pafajshmit dhe shkandullojnë të thjeshtët. Unë që jam e Vërteta betohem se do ta ndëshkoj me zjarr e squfur si një të përdalë, me gjymtime si trathtar dinak, me turp të përhershëm si përqeshës të Zotit. E megjithatë, për sa kohë shpirti dhe trupi i tij janë ende bashkë, mëshira ime është e hapur për të. Çfarë i kërkoj është që të ndjekë shërbimet hyjnore më shpesh, mos të ketë frikë nga qortimet, të mos dëshirojë ndere dhe mos ta përmendë më atë emër të mbrapshtë.

SQARIM
Ky njeri, abat i urdhrit Cistercian, kish varrosur një të çkishëruar. Kur po thoshte lutjen e salikimit, Zonja Brixhidë, e rrëmbyer në shpirt, dëgjoi këtë: "Ai bëri ç’pati në dorë dhe e varrosi. Të jesh e sigurtë se varrimi i parë pas të sotmit do të jetë i tiji. Sepse ai mëkatoi kundër Atit i cili na ka thënë që nuk duhet të mbajmë me hatër dhe nuk duhet të nderojmë padrejtësisht të pasurin.

Për hir të një fitimi të vogël e kalimtar, ky njeri nderoi një të padenjë dhe e vendosi mes të denjëve, gjë që nuk duhet ta kish bërë. Ai mëkatoi edhe kundër Shpirtit tim, që është kungim dhe bashkësi e të drejtëve, duke e varrosur të padrejtin pranë të drejtit. Ai mëkatoi edhe kundër Meje, Birit, sepse Unë kam thënë: "Ai që më refuzon Mua, do të refuzohet." Ky njeri nderoi dhe çmoi dikë që Kisha ime dhe mëkëmbësi im kishin refuzuar." Abati u pendua kur dëgjoi këto fjalë dhe vdiq të katërtën ditë.