Fjalët e Krishtit drejtuar nuses rreth mënyrës dhe kujdesit që duhet të tregojç kur lutet dhe rreth tre kategorive tç njerëzve që i shërbejnë Hyjit në këtë botë.
Libri 1 - KAPITULLI 14

Unë jam Hyji yt që u kryqëzua në kryq, Hyj i vërtetë dhe njeri i vërtetë në një vetë dhe që jam i pranishëm në duart e meshtarit çdo ditë. Sa herë më paraqet ndonjë lutje, gjithmonë përfundoje me dëshirën që vullneti im, jo i yti, të bëhet. Nuk i dëgjoj lutjet që bën për ata që tashmë janë dënuar. Ndodh edhe që ndonjëherë ti kërkon ndonjë gjë që është kundër shpëtimit tënd, prandaj duhet që të ma besosh mua vullnetin tënd sepse Unë di gjithçka dhe nuk të jap asgjë që nuk është për të mirën tënde. Ka shumë që nuk luten me njetin e duhur dhe për këtë nuk meritojnë të dëgjohen.

Ka tre kategori njerëzish që më shërbejnë në këtë botë. Të parët janë ata që besojnë se jam Hyj, Krijuesi i gjithçkaje e që kam pushtet mbi gjithçka. Ata më shërbejnë për të fituar të mira dhe ndere të përkohshme, por gjërat qiellore i mbajnë për hiç dhe do i jepnin pa ngurim në këmbim të të mirave të tanishme. Për hise kanë sukses në gjithçka të kësaj bote, ashtu siç dëshirojnë. Ngaqë kanë humbur të mirat e përjetshme, i kompensoj me komforte të përkohshme për çdo shërbim të mirë që kryejnë për Mua, deri në kacidhen më të fundit dhe çastin më të mbramë. Të dytët janë ata që besojnë se jam Hyj i plotfuqishëm dhe gjykatës i rreptë, por që më shërbejnë nga frika e ndëshkimit dhe jo nga dashuria për lavdinë qiellore. Nëse nuk do të kishin frikë prej Meje, nuk do të më shërbenin.

Të tretët janë ata që besojnë se jam Krijuesi i çdo gjëje dhe Hyj i vërtetë dhe që besojnë se jam i drejtë dhe i mëshirshëm. Nuk më shërbejnë nga frika e ndëshkimit por nga dashuria hyjnore që kanë. Ata do të ishin gati të vuanin çfarëdo ndëshkimi, nëse do mund ta duronin, sesa tç ndiznin zemërimin Tim. Ata me të vërtetë meritojnë të dëgjohen kur luten sepse vullneti i tyre përkon me timin. Shërbëtorët e parë nuk do t’i shpëtojnë kurrë ndëshkimit e as do ta shohin fytyrën Time. Të dytët nuk do të ndëshkohen aq shumë por prapë se prapë nuk do ta shohin fytyrën time nëse nuk e korrigjojnë frikën me anë të pendesës.