Fjalët e Krishtit drejtuar nuses ku e Ai e përshkruan veten si mbret të madh dhe flet për dy thesare që simbolizojnë dashurinë për Hyjin dhe dashurinë për botën dhe jepen udhëzime si të përmirësohemi në këtë jetë.
Libri 1 - KAPITULLI 15

Unë jam si një mbret i madh e i fuqishëm. Katër gjëra duhet të ketë mbreti. Së pari duhet të jetë i pasur, së dyti bujar, së treti i urtë dhe së katërti zemërmirë. Unë jam me të vërtetë mbreti i engjëjve dhe i gjithë njerëzimit. Unë i kam që të katërta cilësitë që përmenda. Në rradhë të parë Unë jam më i pasuri nga të gjithë sepse i plotësoj nevojat e secilit e prapë më mbetet po aq sa kisha para se të jepja. Së dyti, Unë jam më bujari nga të gjithë pasi jam gati t’i jap gjithkujt që kërkon. Së treti, Unë jam më i urti nga të gjithë sepse e di hakun që i takon secilit dhe se ç’është më e mira për çdo njeri. Së katërti, Unë jam zemërmirë sepse jam gati të jap më tepër se ç’më kërkojnë. Unë kam si të thuash dy thesare. Materiale që peshojnë, të rëndë si plumb, gjenden në thesarin e parë dhe ambjenti ku mbahen është veshur me kunj majëmprehtë.

Por këto pesha fillojnë t’i duken të lehta pupël atij që fillimisht i kthen e rrotullon e pastaj mëson t’i mbajë. Gjërat që më parë dukeshin aq të rënda bëhen të lehta dhe ato që dukeshin aq të mprehta bëhen të buta. Në thesarin e dytë duket sikur ka ar vezullues, gurë të çmuar dhe pije të shijshme. Por ari në të vërtetë është baltë dhe pijet helm. Ka dy rrugë që të çojnë tek këto thesare, edhe pse dikur kish vetëm një. Në udhëkryq, domethënë në hyrje të të dy rrugëve, qëndroi njëri që u thirri tre vetëve që po i drejtoheshin rrugës së dytë dhe u tha: 'Dëgjoni, dëgjoni ç’dua t’ju them! Por nëse nuk doni të dëgjoni, atëherë të paktën përdorni sytë për të parë se ajo çka them është e vërtetë. Nëse nuk doni të përdorni as veshët as sytë, atëherë të paktën përdorni duart për të prekur dhe provuar se Unë nuk po them të paqena.'

Pastaj i pari prej tyre tha: 'Le të dëgjojmë dhe të shohim nëse po thotë të vërtetën.' I dyti tha: 'Gjithçka thotë është gënjeshtër.' I treti tha: 'E di që Ai thotë të vërtetën, por nuk më bëhet vonë.' Ç’janë këto dy thesare përveç dashurisë për Mua dhe dashurisë për botën? Dy rrugë të çojnë tek këto thesare: vetëpërulësia dhe vetëmohimi i plotë të çojnë tek dashuria ime, ndërsa lakmitë trupore çojnë tek dashuria e botës. Pesha që mbajnë nga dashuria për mua disave u duket e rëndë plumb pasi, kur duhet të mbajnë agjërim apo të rrinë zgjuar apo ta përmbajnë veten, u duket sikur mbajnë një ngarkesë prej plumbi. Nëse u hedhin romuze apo i fyejnë ngaqë e shpenzojnë kohën për lutje apo për praktika fetare, u duket sikur t’ishin ulur mbi kunja; është gjithnjë torturë për ta.

Ai që dëshiron të qëndrojë në dashurinë Time duhet fillimisht ta kthejë ngarkesën, domethënë të përpiqet të bëjë mirë duke e dëshiruar këtë parreshtur. Pastaj duhet ta ngrejë pak, ngadalë, domethënë duhet të bëjë ç’mundet, duke menduar: Unë mund t’ia dal mbanë nëse Hyji më ndihmon.' Pastaj, duke këmbëngulur në detyrën që ka ndërmarrë, ai do të arrijë t’i mbajë gjërat që më parë i dukeshin të rënda me vullnet aq të hareshëm saqë gjithë vështirësitë e agjërimeve apo të të ndenjurit zgjuar dhe çdo ngushticë tjetër do t’i duken të lehta pupël. Miqtë e mi çlodhen në një vend që përtacëve dhe të këqinjve u duket plot e përplot me kunja dhe gjemba, por që miqve të mi u duket fushë me lule.

Rruga direkte tek ky thesar është mospërfillja e vullnetit personal, gjë që ndodh kur dikush, duke menduar për mundimet dhe vdekjen time, nuk i vë mend vullnetit të tij por i bën ballë dhe përpiqet vazhdimisht që të përmirësohet. Edhe pse kjo rrugë është disi e vështirë në fillim, prapë se prapë përjetohet kënaqësi në këtë rrugëtim, kaq është e vërtetë kjo saqë gjërat që në fillim dukej si e pamundur të mbaheshin, bëhen shumë të lehta; kështu ai me të drejtë mund të thotë me vete: 'Zgjedha e Hyjit është e lehtë.' Thesari i dytë është bota. Në të ka ar, gurë të çmuar dhe pije në dukje të shijshme por të hidhura zeher kur provohen.

Çka i ndodh gjithkujt që mban ar është që kur trupi mplaket, gjymtyrët dobësohen, palca konsumohet dhe trupi përfundon nën tokë, atëherë ai lë arin dhe gurët e çmuar dhe s’i vlejnë më shumë se balta. Pijet e botës, domethënë gëzimet, duken të ëmbla por kur zbresin në stomak ta sjellin mendjen vërdallë, rëndojnë zemrën, rrënojnë trupin dhe njeriu vyshket si bar. Ndërsa vdekja afrohet, gjithë këto gjëra të dëshiruara bëhen farmak si helm. Vullneti i vet e çon njeriun tek ky thesar sa herë që njeriu nuk kujdeset për t’u bërë ballë orekseve trupore dhe nuk mediton për urdhëresat dhe veprat e mia por menjëherë bën ç’i shkon ndërmend, qoftë e lejueshme apo e palejueshme.

Tre vetë po ecin përgjatë kësaj rruge. Me ta nënkuptoj gjithë të shthururit, të gjithë ata që duan botën dhe vullnetin e vet. U thirra atyre, ndërsa qëndroja në udhëkryq në hyrje të të dy rrugëve; duke u mishëruar i tregova njerëzimit dy rrugë, atë që duhej ndjekur dhe atë që duhej shmangur, rrugën që çon në jetë dhe atë që çon në vdekje. Përpara se të mishërohesha kish vetëm një rrugë. Në të, të gjithë, të mirë e të këqinj, përfundonin në ferr. Unë jam Ai që thirri dhe thirrja imë ish: 'Njerëz, dëgjoni fjalët e mia që çojnë në udhën e jetës, përdorni gjykimin tuaj për të kuptuar se çfarë them është e vërtetë. Nëse nuk i dëgjoni apo nuk mund t’i dëgjoni, atëherë të paktën shihni – domethënë përdorni besimin dhe arësyen – dhe shihni se fjalët e mia janë të vërteta. Ashtu sikurse diçka e dukshme dallohet me sytë e trupit, po kështu gjërat e padukshme mund të dallohen dhe besohen me sytë e besimit. Ka shumë shpirtra të thjeshtë në kishë që bëjnë pak vepra por shpëtohen prej besimit që kanë. Me anë të tij ata besojnë se Unë jam Krijuesi dhe Shëlbuesi i Gjithësisë. Nuk ka asnjë që të mos arrijë të kuptojë dhe të besojë se Unë jam Hyj nëse konsideron se si toka jep fryt, si qielli jep shi, si pemët gjelbërojnë, si kafshët vazhdojnë të ekzistojnë secila sipas llojit të vet, si yjet i shërbejnë njerëzimit, si ndodhin gjëra kundër vullnetit të njeriut.

Nga e gjithë kjo njeriu mund të shohë se ai është i vdekshëm dhe se është Hyji Ai që i rregullon gjithë këto gjëra. Nëse Hyji nuk do të ekzistonte, gjithçka do të ishte rrëmujë. Po ashtu çdo gjë tjetër është rregulluar nga Hyji, gjithçka rregulluar racionalisht në mënyrë që njeriu të mësojë prej tyre. As edhe gjëja më e vogël nuk ekziston apo vazhdon të ekzistojë në botë pa ndonjë arësye. Po ashtu, nëse dikush nuk mund të kuptojë apo kapë me mend pushtetin tim për shkak të dobësisë së tij, ai mundet që me anë të fesë të shohë dhe besojë. Por, o njerëz, nëse nuk doni të përdorni intelektin për të konsideruar fuqinë time, mund të përdorni duart për të prekur veprat që Unë dhe shenjtërit e mi kemi bërë. Ato janë aq të dukshme saqë askush nuk mund të dyshojë se janë veprat e Hyjit.

Kush tjetër i ngjalli të vdekurit dhe u ktheu shikimin të verbërve përveç Hyjit? Kush i dëboi djajtë përveç Hyji? Çfarë kam mësuar Unë, në mos gjëra të dobishme për shpëtimin e shpirtit dhe trupit dhe të lehta për t’u kryer? E megjithatë, personi i parë thotë, ose më mirë disa thonë: Le të dëgjojmë dhe shohim nëse thotë të vërtetën!' Këta njerëz rrinë ca kohë në shërbimin Tim jo prej dashurisë por për provë dhe për të imituar të tjerët, pa hequr dorë nga vullneti personal, duke bërë vullnetin e tyre bashke me Timin. Ata janë në pozicion të rrezikshëm pasi duan t’u shërbejnë dy zotërinjve edhe pse nuk mund t’i shërbejnë mirë asnjërit prej tyre. Kur të thirren, ata do të shpërblehen nga zotëria që kanë dashur më tepër.

I dyti thotë, ose më mirë disa thonë: 'Çfarëdo thotë Ai është gënjeshtër dhe Shkrimi i Shenjtë gënjen.' Unë jam Hyji, Krijuesi i gjithçkaje, pa Mua asgjë nuk është bërë. Unë i bëra besëlidhjen e e re dhe të vjetër, ato dolën prej gojës sime dhe në to nuk ka gënjeshtra sepse Unë jam e Vërteta. Po ashtu, ata që thonë se Unë jam gënjeshtar dhe se Shkrimi i Shenjtë është gënjeshtër, nuk do ta shohin kurrë fytyrën time pasi ndërgjegja u thotë se Unë jam Hyj duke qenë se gjithçka ndodh sipas vullnetit dhe dëshirës sime. Qielli u jep dritë e ata nuk mund t’i japin dritë vetvetes; toka jep fryt, ajri e bën tokën pjellore, të gjitha kafshët janë formuar në një mënyrë të caktuar, djajtë më dëshmojnë, të drejtët vuajnë gjëra të pabesueshme nga dashuria për Mua.

Ata i shohin gjithë këto e megjithatë Mua nuk më shohin. Mund të më shihnin edhe në drejtësinë Time nëse do konsideronin se si toka i përpin të pafetë, se si zjarri i shkrumbon të këqinjtë. Po ashtu ata mund të më shohin në mëshirën Time, si në rastin kur uji buroi nga shkëmbi për të drejtët apo kur ujrat u ndanë për ta, kur zjarri nuk i përvëloi apo kur qielli u dha ushqim si toka. Duke qenë se i shohin të gjitha këto dhe prapë thonë se Unë jam gënjeshtar, ata kurrë nuk do ta shohin fytyrën Time. I treti thotë, ose më mirë disa thonë: 'E dimë fare mirë se Ai është Hyji i vërtetë, por nuk na bëhet vonë.' Këta njerëz do të torturohen përjetësisht sepse më përçmojnë Mua, Zotin dhe Hyjin e tyre. A nuk është tallje sa s’ka më nga ana e tyre që përdorin dhuratat e mia por kundërshtojnë të më shërbejnë?

Nëse do i kishin fituar këto gjëra me aftësitë e veta dhe jo krejtësisht prej Meje, tallja e tyre nuk do të dukej kaq e madhe. Por Unë do t’u jap hirin Tim atyre që zënë të reflektojnë për barrën Time vullnetarisht dhe përpiqen me dëshirë të flaktë të bëjnë sa munden. Unë do të punoj tok me ata që e mbajnë zgjedhën Time, domethënë me ata që përparojën dita ditës nga dashuria që kanë për Mua e Unë do të jem forca e tyre dhe do t’i ndez aq shumë saqë do të dëshirojnë të bëjnë më tepër. Ata që rrinë në vendin që duket sikur çpon – por që në realitet është i paqtë, janë ata që punojnë fort me durim ditë e natë pa u lodhur, duke u bërë më të flaktë, duke menduar se çka bëjnë është pak. Këta janë miqtë e mi më të shtrenjtë dhe janë pak sepse të tjerët zgjedhin pijet e thesarit të dytë.