Rreth faktit se si nusja pa një engjëll tek i fliste Hyjit për një grua që mundohej tmerrësisht prej djallit dhe që më vonë u çlirua në sajë të lutjeve të Virgjërës së lavdishme.
Libri 1 - KAPITULLI 16

Nusja pa një prej shenjtërve tek i fliste Hyjit dhe i thoshte: "Pse i bie në qafë djalli shpirtit të kësaj gruaje që ti e ke shëlbuar me gjakun Tënd?" Djalli u përgjigj menjëherë: "Sepse ajo më përket me të drejtë." Dhe Zoti i tha: "Me ç’të drejtë është e jotja?" Djalli iu përgjigj: "Ka," tha ai, "dy rrugë. Njëra të çon në qiell, tjetra në ferr. Kur ajo i kundroi këto dy rrugë, ndërgjegja dhe arësyeja i thanë se duhet të zgjidhte rrugën time. Dhe duke qenë se ajo ka vullnet të lirë për të zgjedhur rrugën që i pëlqen, mendoi se do i leverdiste ta përdorte vullnetin për të mëkatuar dhe zuri të ecte në rrugën time.

Më vonë e mashtrova me tre vese: grykësinë, lakminë për para dhe sensualitetin. Tani banoj në barkun e saj dhe në natyrën e saj. E kam kapur me pesë duar. Me njërën i mbyll sytë që të mos shohë gjëra shpirtërore. Me të dytën i mbaj duart që të mos bëjë vepra të mira. Me të tretën i mbaj këmbët që mos të rendë drejt së mirës. Me të katërtën i kam bllokuar intelektin që të mos turpërohet nga mëkati. Dhe me të pestën i mbaj zemrën që të mos kthehet me pendesë."

Pas kësaj, e Bekuara Virgjëra Mari i tha të Birit: "Biri im, detyrojë të thotë të vërtetën për çka dua ta pyes." Biri i tha: "Ti je Nëna ime, ti je Mbretëresha e Qiellit, ti je Nëna e Mëshirës, ti je ngushëllimi i shpirtrave të Purgatorit, ti je gëzimi i atyre që ecin udhëve të jetës. Ti je Zoja sovrane e engjëjve, krijesa më e lartë para Hyjit. Ti ke pushtet edhe mbi djallin. Jepi vetë urdhër, o Nënë, këtij djalli e ai do të të tregojë gjthçka do." Virgjëra e Bekuar atëherë i tha djallit: "Thuamë, o djall, ç’njet kish kjo grua përpara se të hynte në kishë?" Djalli iu përgjigj: "Ajo e kish ndarë mendjen që të mos mëkatonte më."

Dhe Virgjëra i tha atij: "Përderisa njeti i mëparshëm e çonte drejt ferrit, thuamë, në ç’drejtim e çon njeti i tanishëm për të mos mëkatuar më?" Djalli iu përgjigj me ngurrim: "Njeti për të mos mëkatuar më e çon drejt qiellit." Virgjëra Mari tha: "Duke qenë se e pranove që kishe të drejtë për ta nxjerrë nga rruga e Kishës së Shenjtë për shkak të njetit të saj të mëparshëm, atëherë drejtësia kërkon që ajo të kthehet në kishë për njetin e tanishëm. Tani, djall, do të të bëj edhe nje pyetje tjetër: Thuamë, çfarë njeti ka aktualisht në zemër ajo?"

Djalli u përgjigj: "Me zemër ajo është thellësisht e penduar, i vjen shumë keq për sa ka bërë dhe ka vendosur të mos i përsërisë më mëkate të tilla, por të përmirësohet aq sa mundet." Pastaj Virgjëra e pyeti djallin: "A mund të më thuash nëse tre mëkatet e sensualitetit, grykësisë dhe lakmisë mund të ekzistojnë në zemër njëkohësisht me tre prirjet e mira për pendesë, keqardhje dhe korigjim?" Djalli u përgjigj: "Jo." Dhe Virgjëra e Bekuar tha: "A do të më thuash atëherë cilat prej tyre duhet të largohen prej zemrës së saj, tre virtytet apo tre veset që ti thua se nuk mund të bashkëjetojnë mes tyre?" Djalli iu përgjigj: "Mëkatet, them unë."

Dhe Virgjëra u përgjigj: "Rruga për në ferr i mbyllet dhe rruga për në qiell qëndron hapur për të." Përsëri Virgjëra e Bekuar e pyeti djallin: "Thuamë, nëse një grabitës i ka zënë pusi nuses jashtë shtëpisë së saj dhe do donte ta përdhunonte, ç’do të bënte dhëndri?" Djalli u përgjigj: "Nëse dhëndri është i mirë dhe fisnik, ai duhet të rrezikojë edhe jetën për ta mbrojtur nusen." Pastaj Virgjëra tha: "Ti je ai grabitës i lig. Ky shpirt është nusja e dhëndrit, Birit tim, që e shëlboi atë me gjakun e vet. Ti ia prishe mendjen dhe e kape me forcë. Prandaj, meqenëse im Bir është dhëndri i shpirtit të saj dhe Zotëri mbi ty, atëherë të takon t’ia mbathësh nga sytë këmbët."

SQARIM
Kjo grua kish qenë një prostitutë që donte t’i kthehej botës sepse djalli e ngacmonte ditë e natë, aq e vërtetë saqë u shfaq tek i mbyllte sytë dhe, ndërsa shumë e shihnin këtë skenë, e tërhoqi jashtë shtratit. Pastaj, në prani të shumë dëshmitarëve të besueshëm, zonja e shenjtë Brixhidë tha haptazi: "Shporru, djall, boll e ke trazuar këtë krijesë të Hyjit." Pasi tha kështu, gruaja qëndroi symbyllur përdhe një gjysëm ore e pastaj u ngrit dhe tha: "Me të vërtetë pashë djallin në trajtën më të neveritshme tek dilte nga dritarja dhe dëgjova një zë që më tha: 'Grua, je çliruar me të vërtetë.'" Nga ai çast e më pas ajo grua u lirua nga çdo padurim, nuk vuajti më nga mendime të liga dhe kaloi në jetën e amshuar nëpërmjet një vdekjeje të mirë.