Fjalët e Krishtit drejtuar nuses së Tij ku një mëkatar krahasohet me tre gjëra: një shqiponjë, një gjahtar dhe një mundës.
Libri 1 - KAPITULLI 17

Unë që po të flas jam Jezu Krishti. Unë jam Ai që ka lindur nga krahërori i Virgjërës Mari, Hyj i vërtetë dhe njeri i vërtetë. Edhe ndërsa isha në krahërorin e Virgjërës, Unë vazhdoja të mbretëroja mbi gjithçka bashkë me Atin. Ai njeri që është kaq armik i imi, i përngjason tre gjërave. Së pari ai është si shqiponjë që fluturon lart, ndërsa zogjtë e tjerë fluturojnë poshtë saj; së dyti ai është si gjahtar që i bie fyellit të lyer me zift ngjitës e tingulli i tërheq zogjtë të fluturojnë tek fyelli e të ngjisin në zift; së treti ai është si një mundës që del i pari në çdo ndeshje. Ai është si shqiponjë sepse në krenarinë e tij nuk duron dot njeri mbi veten dhe i bën keq kujtdo që mbërthen me kthetrat e ligësisë së tij.

Unë do t’ia pres flatrat e pushtetit dhe krenarisë dhe do ta fshij ligësinë e tij nga faqja e dheut. Do t’ia dorëzoj zjarrit të pashuar ku do të mundohet pafund nëse nuk ndreqet. Ai është edhe si gjahtar sepse i tërheq të tjerët me ëmbëlsinë e fjalëve dhe premtimeve të veta, por kushdo që vjen tek ai bie në kurth dhe kurrë nuk do të mundë të shpëtojë dot prej tij. Për këtë arësye zogjtë e ferrit do t’ia nxjerrin sytë e ai nuk do ta shohë lavdinë time por errësirën e përjetshme të ferrit. Do t’i priten veshët dhe ai nuk do t’i dëgjojë fjalët e gojës sime.

Për fjalët e ëmbla, do të vuajë nga koka tek këmbët dhe do të heqë aq mundime sa janë njerëzit e dënuar për faj të tij. Ai është gjithashtu si mundës që zë vendin e parë në ligësi, që nuk i hap rrugë askujt dhe është i vendosur të mundë këdo. Si mundës atëherë ai do të zërë vendin e parë në çdo ndëshkim; ndëshkimi i tij do të ripërtërihet parreshtur dhe nuk do të mbarojë kurrë. E megjithatë, për sa kohë shpirti dhe trupi i tij janë bashkë, mëshira ime është në dispozicion të tij.

SQARIM
Ky ishte një kavalier shumë i fuqishëm që i urrente jashtë mase klerikët dhe i shante. Rrëfimi i mësipërm rreth tij pasohet edhe nga ky që vijon: Biri i Hyjit thotë: "O kavalier i botës, pyeti të urtët se ç’i ndodhi Hamanit kryelartë që vinte në lojë të mitë! A nuk qe vdekja e tij e turpshme dhe një poshtërim i madh? Ky njeri më përqesh Mua dhe miqtë e mi në të njëjtën mënyrë. Për këtë arësye, ashtu si Izraeli nuk mbajti zi për Hamanin, po ashtu miqtë e mi nuk do të mbajnë zi për këtë njeri. Ai do të pësojë një vdekje tejet të hidhur nëse nuk ndreqet." Dhe kështu ndodhi.