Fjalët e Krishtit drejtuar nuses për përvujtërinë që duhet patur në shtëpinë e Hyjit, shtëpi që simbolizon jetën rregulltare, dhe për ndërtesat dhe lëmoshat që duhen dhuruar vetëm nëse janë fituar me drejtësi, ndërsa gjërat e fituara me pa të drejtë duhen kthyer.
Libri 1 - KAPITULLI 18

Në shtëpinë Time duhet të ketë përvujtëri e cila tani veç përbuzet. Duhet të ketë një goxha mur mes burrave dhe grave pasi, edhe pse Unë jam i aftë të mbroj këdo edhe pa patur nevojë për mur, prapë se prapë, për hir të kujdesit dhe për shkak të dredhive të djallit, dua që banesat të ndahen nga njëra-tjetra me një mur. Duhet të jetë një mur i madh por me masë, jo shumë i lartë. Dritaret duhet të jenë të thjeshta dhe të tejdukshme, çatia e lartë por me masë në mënyrë që aty të mos ketë asgjë që nuk të kujton përvujtërinë. Ata që më ndërtojnë shtëpi tani janë si mjeshtra që kur hyn i zoti i shtëpisë e kapin prej flokësh dhe e shkelin me këmbë.

E ngrenë baltën deri lart dhe arin e shkelin. Kështu bëjnë me Mua, më ndërtojnë baltë, dua të them: i vënë palë palë deri në qiell të mirat që kalojnë e nuk kujdesen fare për shpirtrat që janë më të çmuar se ari. Kur dua të shkoj tek ta me anë të predikuesve të mi apo nëpërmjet mendimeve të mira, më kapin prej flokësh dhe më shkelin me këmbë, domethënë më sulmojnë me sharje dhe i mbajnë veprat dhe fjalët e mia njëlloj si të ishin baltë. E kujtojnë veten shumë më të urtë.

Nëse vërtet do donin të ndërtonin për mua dhe për lavdinë Time, ata fillimisht duhet të ndërtojnë shpirtin e tyre. Kushdo që ndërton shtëpinë Time të ketë kujdes që asnjë dyshkë e fituar padrejtësisht të mos përdoret për ndërtim. Ka plot njerëz që janë të ndërgjegjshëm se kanë gjëra të fituara padrejtësisht e megjithatë nuk u vjen aspak keq e as nuk e çojnë ndërmend t’i kthejnë e të ndreqin mashtrimet dhe vjedhjet edhe pse munden, nëse do donin, t’i kthejnë dhe të ndreqin. Por meqenëse e kuptojnë se nuk mund t’i mbajnë këto gjëra përjetë, ata ia japin kishave një pjesë të të mirave padrejtësisht të fituara për të më zbutur me dhuratat e tyre. Pronat e ligjshme ua lënë trashëgimtarëve. Kjo nuk më pëlqen aspak.

Ai që do të ma bëjë qejfin me dhurata, duhet para së gjithash të ketë dëshirën e mirë për t’u ndrequr dhe pastaj të bëjë aq mundet vepra të mira. Duhet të dënesë e vajtojë për të keqen që ka bërë dhe të kthejë, nëse mundet, gjërat që ka fituar me mashtrim. Nëse nuk mundet, të paktën duhet të ketë vullnetin e mirë për t’i kthyer ato. Pastaj duhet të ketë kujdes që të mos i përsërisë më mëkate të tilla. Nëse personi të cilit duhet t’i kthejë të mirat e fituara me pa të drejtë nuk është më gjallë, atëherë ai mund të m’i dhurojë Mua që jam në gjendje t’ia kthej borxhin çdokujt. Por nëse nuk është në gjendje t’i kthejë, nëse e përul veten para Meje me vullnetin e mirë për t’u ndrequr dhe me zemër të penduar, atëherë Unë kam mundësi që tani ose në të ardhmen, t’ia kthej çka u takon të gjithë atyre që janë mashtruar.

Lërmë të të shpjegoj kuptimin e shtëpisë që Unë dua të ndërtoj. Shtëpia është jeta rregulltare. Unë vetë, Krijuesi i të gjitha gjërave, nëpërmjet të Cilit gjithçka është bërë dhe vazhdon të ekzistojë, jam themeli i saj. Kjo shtëpi ka katër mure. I pari është drejtësia me të cilën do të gjykoj armiqtë e kësaj shtëpie. Muri i dytë është urtia me të cilën do i ndriçoj banorët që të më njohin dhe të më kuptojnë. E treta është fuqia me të cilën do t’i forcoj kundër dredhive të djallit. Muri i katërt është mëshira ime që pret krahëhapur këdo që e kërkon. Në këtë mur gjendet dera e hirit ku mirëpriten të gjithë ata që e dëshirojnë. Çatia e shtëpisë është dashuria me të cilën Unë mbuloj mëkatet e atyre që më duan që të mos dënohen për to.

Dritarja e çatisë nga depërton dielli është sjellja ndërmend e hirit tim. Nëpërmjet saj ngrohtësia e hyjnisë u shkon banorëve. Që muri duhet të jetë i madh dhe i fortë do të thotë se askush nuk mund të zbehë fjalët e mia apo t’i shkatërrojë ato. Që duhet të jetë i lartë me masë do të thotë se urtia Ime mund të kuptohet pjesërisht por kurrë e tëra. Që dritaret duhet të jenë të thjeshta dhe të tejdukshme do të thotë se fjalët e mia janë të thjeshta e megjithatë nëpërmjet tyre drita e njohurisë hyjnore hyn në botë. Që çatia duhet të jetë e lartë me masë do të thotë se fjalët e mia do të bëhen të ditura jo në mënyrë të pakuptueshme por të kuptueshme dhe të qartë.