Fjalët e Krijuesit drejtuar nuses për shkëlqimin e fuqisë, urtisë dhe virtytshmërisë së Tij dhe se si ata që tani mbahen për të urtë mëkatojnë më tepër kundër Tij.
Libri 1 - KAPITULLI 19

Unë jam Krijuesi i qiellit dhe tokës. Unë kam tre cilësi. Jam tejet i fuqishëm, tejet i urtë dhe tejet i virtytshëm. Jam aq i fuqishëm saqë engjëjt më nderojnë në qiell dhe djajtë në ferr nuk guxojnë të më shikojnë. Të gjithë elementët janë nën urdhrat e mia. Jam aq i urtë saqë askush nuk mund të arrijë të depërtojë në thellësi të urtisë time. Njohuritë e mia janë të tilla që Unë di gjithçka që është bërë dhe gjithçka që do të bëhet. Jam aq i arësyeshëm saqë as edhe më e vogla gjë, qoftë krimb apo ndonjë kafshë tjetër, pavarësisht nga pamja, nuk është bërë pa ndonjë arësye. Jam gjithashtu edhe aq i virtytshëm saqë çdo e mirë buron prej Meje si prej një burimi të kthjellët dhe gjithë ëmbëlsia vjen prej Meje si prej një vere të çmuar. Pa Mua askush nuk mund të jetë i fuqishëm, askush i urtë, askush i virtytshëm. Për këtë arësye, të fuqishmit e kësaj bote mëkatojnë pa masë kundër Meje.

Unë u kam dhënë fuqi dhe pushtet që të më nderojnë, por ata krenohen sikur t’i kishin fituar vetë. Këta të pafytyrë nuk e çojnë ndërmend dobësinë e vet. Nëse do u dërgoja edhe më të voglën sëmundje, menjëherë do zinin shtratin dhe asgjë nuk do kish më vlerë për ta. E atëherë si do të jenë në gjendje t’i bëjnë ballë forcës sime dhe ndëshkimeve të përjetshme? Por ata që tani mbahen për të urtë mëkatojnë akoma më tepër kundër Meje. Sepse u dhashë gjykim, inteligjencë dhe urti që të më duan, por e vetmja gjë që kuptojnë janë të mirat e përkoshme. Ata kanë sy në ballë por shohin vetëm çka u pëlqen.

Janë të verbër kur vjen puna për të më lëvduar Mua që u kam dhënë gjithçka, pasi askush, qoftë i mirë apo i keq, nuk mund të dallojë apo kuptojë ndonjë gjë pa Mua, paçka se Unë i lejoj të këqinjtë ta ushtrojnë vullnetin e tyre për gjëra që u pëlqejnë. Përveç kësaj, askush nuk mund të jetë i virtytshëm pa Mua. Mund të përdorja këtu fjalën e urtë që përdoret shpesh: 'Të durueshmin e përbuzin të gjithë.' Për shkak të durimit Tim të gjithë mendojnë se Unë jam tmerrësisht i pamend dhe për këtë më shohin me përçmim. Por mjerë ata kur, pas kaq shumë durimi, do t’u bëj të ditur dënimin! Para Meje do të jenë si baltë që fluturon në humnerë pa e ndërprerë hovin deri sa plandoset në fund të ferrit.