Fjalët e Zotit Tonë Jezu Krisht drejtuar bijës që kish marrë për nuse në lidhje me nenet e besimit të vërtetë dhe rreth zbukurimeve, nishaneve dhe njeteve që nusja duhet të ketë për dhëndrin.
LIBRI 1 - KAPITULLI 2

Unë jam Krijuesi i qiejve, tokës dhe detit dhe i gjithçkaje që ndodhet në to. Unë jam një me Atin dhe Shpirtin e Shenjtë, jo si zotërat prej guri apo ari, siç thonin njëherë e një kohë, as nuk jam disa zotëra siç mendonin dikur, por një Hyj, Ati, Biri dhe Shpirti i Shenjtë, tre vetë por një në substancë, Krijuesi i të gjithëve por i krijuar prej askujt, jam i pandryshueshëm dhe i plotfuqishëm, pa fillim e pa fund. Jam Ai që lindi nga Virgjëra, jo duke e humbur hyjninë time por duke e bashkuar atë me natyrën time njerëzore në mënyrë që në një person të mund të isha Biri i vërtetë i Hyjit dhe Biri i Virgjërës. Jam Ai që u var në kryq, vdiq dhe u varros; e megjithatë hyjnia ime mbeti e pacënuar.

Edhe pse vdiqa sipas natyrës njerëzore dhe trupit që Unë, Biri i vetëm, pata marrë, prapë se prapë Unë vazhdova të jetoj me natyrën hyjnore në të cilën isha një Hyj së bashku me Atin dhe Shpirtin e Shenjtë. Unë jam po ai që u ngjall prej së vdekurish e u ngjit në qiell dhe që tani flet me ty nëpërmjet shpirtit të tij. Të kam zgjedhur dhe marrë për nuse që të të tregoj të fshehtat e mia sepse kështu më pëlqen. Me të drejtë ti më përket sepse e ke braktisur vullnetin tënd në duart e mia kur yt shoq vdiq. Pas vdekjes së tij, mendove dhe u lute se si mund të bëheshe e varfër për hirin tim dhe për hatrin tim doje të hiqje dorë nga gjithçka. Pra me të drejtë ti më përket. Në këmbim të dashurisë sate të madhe, është krejtësisht me vend që unë të kujdesem për ty. Prandaj të marr për nuse për kënaqësinë time, kënaqësi që Zotit i shkon për shtat ta ketë me një shpirt të pastër.

Nusja e ka për detyrë të jetë gati për dasmën kur ta vendosë dhëndri, që të mund të vishet dhe pastrohet siç duhet. Ti do të jesh e pastër nëse do të çosh ndërmend gjithmonë mëkatet e tua, se si në pagëzim Unë të pastrova nga mëkati i Adamit dhe se sa herë të kam mbështetur dhe ruajtur kur ke rënë në mëkat. Nusja duhet gjithashtu edhe të mbajë nishanet e dhëndrit në gjoks, domethënë ti duhet të mbash në mendje të mirat që të kam bërë, si për shembull se sa fisnikërisht të kam krijuar duke të dhënë trup dhe shpirt, sa fisnikërisht të kam pasuruar duke të dhënë shëndet dhe të mira të përkohshme, se sa mirësisht të kam shpëtuar kur vdiqa për ty për të të rikthyer trashëgiminë, nëse ti e do. Nusja duhet edhe te bëjë vullnetin e dhëndrit. Ç’vullnet tjetër kam Unë përveçse që ti më duash mbi gjithçka dhe që të mos duash tjetër përveç meje?

Unë krijova gjithçka për hatër të njerëzve dhe ua nënshtrova gjithçka. E megjithatë ata duan gjithçka përveç meje dhe nuk urrejnë tjetër veç meje. Unë e rifitova trashëgiminë e tyre për ta, trashëgimi që e patën humbur, por ata janë ftohur aq shumë dhe janë bërë aq të paarësyeshëm saqë në vend të lavdisë së amshuar ku e mira nuk ka fund, dëshirojnë të kenë lavdi kalimtare që i përngjan dallgëve oqeanike që për një çast lartësohen si mal dhe shpejt plandoset në hiç. Nusja ime, nëse ti nuk dëshiron gjë tjetër veç meje, nëse i mban për hiç gjithë gjërat për hatrin tim – si fëmijët dhe të afërmit, ashtu edhe pasurinë dhe nderet – do të të jap një shpërblim shumë të çmueshëm dhe të këndshëm.

Nuk do të të jap as ar as argjend për shpërblim, por do do të të dhuroj vetveten për dhëndër, Unë që jam mbret i lavdisë. Nëse të vjen turp të jesh e varfër dhe e përçmuar, ki parasysh se si Hyji yt ka bërë para teje kur shërbëtorët dhe miqtë e tij në tokë e braktisën, sepse Unë nuk kërkoja miq mbi tokë por miq në qiell. Nëse shqetësohesh dhe ke frikë nga barra e lodhjes dhe sëmundjes, atëherë mendo sa e tmerrshme është të digjesh në zjarr! Çfarë do të të priste nëse do të kishe fyer ndonjë zotëri tokësor ashtu siç më ke fyer mua? Sepse edhe pse Unë të dua me gjithë zemër, prapë se prapë Unë nuk e shkel drejtësinë për as edhe më të voglën gjë.

Ashtu siç ke mëkatuar me gjithë gjymtyrët e tua, po ashtu duhet duhet të paguash me çdo gjymtyrë. Megjithatë, për shkak të vullnetit tënd të mirë dhe vendosmërisë për t’u përmirësuar, Unë do tregohem i mëshirshëm dhe do të ta fal dënimin në këmbim të një ndreqjeje të vogël. Për këtë arësye priti krahëhapur e me gëzim vështirësitë e vogla në mënyrë që të pastrohesh dhe të arrish ta marrësh sa më shpejt shpërblimin tënd të madh! Është në të mirë të nuses që të lodhet duke u munduar së bashku me dhëndrin në mënyrë që më pas të gjejë akoma më tepër çlodhje pranë tij.