Nëna u shfaq tek i lutej të Birit: "Ti je Mbret i lavdisë, Biri im, ti je Zot mbi zotër, Ti ke krijuar qiellin dhe tokën e gjithçka gjendet në ta. U bëftë çdo dëshirë e jotja, u bëftë çdo vullnet i yti!" Biri u përgjigj: "Një fjalë e moçme thotë 'Çfarë fëmija mëson në vogëli e ruan deri në pleqëri.' Nënë, qysh e vogël ti mësove të bësh vullnetin Tim dhe jo tëndin. Ti me të drejtë the: 'U bëftë vullneti Yt!' Ti je si ar i çmuar që rrihet në kudhër të fortë sepse ti je rrahur me prova plot dhe ke vuajtur gjatë Mundimeve të Mia më shumë se të tjerët. Kur zemra m’u ça nga forca e dhimbjes në kryq, zemra jote u plagos si ta kish çpuar një thikë e çeliktë. Do kishe qenë gati edhe të ta shqyqnin më dysh, nëse i tillë do kish qenë vullneti Im. Edhe sikur të kishe mundur t ‘i pengoje Mundimet e Mia dhe të kërkoje që të jetoja akoma, prapë se prapë ti nuk do të kishe dashur të bëhej ndryshe përveçse sipas vullnetit Tim. Për këtë arësye me të drejtë the: 'U bëftë vullneti Yt!'"
Pastaj Maria i tha nuses: "Nusja e Birit tim, duaje tim Bir sepse Ai të do. Nderoji shenjtërit që ndodhen në praninë e Tij. Ata janë si yje të panumërt, drita dhe vezullimi i të cilëve nuk mund të krahasohen me dritën e përkohshme. Ashtu sikurse drita e botës ndryshon nga errësira, po ashtu – por shumë më tepër – drita e shenjtërve ndryshon nga drita e kësaj bote. Për të vërtetë po të them se nëse shenjtërit do të shfaqeshin qartë, ashtu siç janë në të vërtetë, syri i njeriut nuk do ta përballonte dot pamjen dhe do të verbohej." Biri i Virgjërës i foli nuses duke thënë: "Nusja ime, ti duhet të kesh katër cilësi. Së pari, duhet të jesh gati për martesën me Mua, martesë që nuk ka dëshira trupore por vetëm kënaqësi shpirtërore tejet të ëmbël që i shkon për shtat Hyjit ta ketë me një shpirt të përkorë. Në këtë mënyrë, as dashuria për fëmijët, as për të mirat e përkohshme dhe as për të afërmit nuk duhet të të largojnë nga dashuria Ime. Mos lejo të të ndodhë siç u ndodhi virgjërave të pamend që nuk ishin gati kur Zoti deshi t’i thërriste në dasëm e për këtë u lanë pas dere. Së dyti, ti duhet të kesh besim në fjalët e Mia.
Sepse Unë jam e Vërteta dhe asgjë përveç së vërtetës nuk del nga buzët e mia dhe askush nuk mund të gjejë tjetër veç së vërtetës në fjalët e mia. Ka raste kur fjalët që them kanë kuptim shpirtëror, herë të tjera jo e, në këtë rast, ato duhen kuptuar ashtu siç janë thënë. Prandaj askush nuk mund të më akuzojë se gënjej. Në radhë të tretë duhet të jesh e bindur në mënyrë që të mos ketë as edhe nje gjymtyrë të vetme në trupin tënd me të cilën bën keq dhe të cilën nuk ia nënshtron pendesës dhe korigjimit të duhur. Edhe pse jam i mëshirshëm, Unë nuk e lë pas dore drejtësinë. Prandaj bindju me përvujtëri dhe gëzim atyre që e ke për detyrë t’u bindesh, duke mos bërë as çka të duket e dobishme dhe e arësyeshme kur kjo bie ndesh me bindjen. Është më mirë të heqësh dorë nga vullneti yt për hir të bindjes edhe nëse çka dëshiron të bësh është gjë e mirë dhe të ndjekësh vullnetin e drejtuesit tend në rast se ky vullnet nuk bie ndesh me shpëtimin e shpirtit tënd apo nuk është i paarësyeshëm. Në rradhë të katërt, duhet të jesh e përvuajtur sepse ti je bashkuar në një martesë shpirtërore.
Pra duhet të jesh e përvuajtur dhe modeste kur të mbërrijë dhëndri. Shërbëtorja jote të jetë e ekuilibruar dhe e përmbajtur, dua të them, trupi yt duhet të praktikojë abstinencë dhe të jetë i mirë-disiplinuar, sepse ti do të nxjerrësh në dritë fryte shpirtërorë për të mirën e shumë vetëve. Ashtu sikurse një trung i thatë, pasi shartohet me një degëz të njomë, nis e lulëzon, ti duhet të japësh fryt dhe të lulëzosh me anë të hirit Tim. Hiri Im do të të dehë dhe e gjithë ushtria qiellore do të galdojë për verën e ëmbël që do të të jap. Mos e humb besimin në mirësinë Time. Të siguroj se ashtu si zemra e Zaharisë dhe Elizabetës brofën nga gëzimi kur iu premtua një fëmijë, edhe ti do të galdosh për hirin që do të të jap, madje edhe të tjerë do të galdojnë nëpërmjet teje. Atyre të dyve, Zaharisë dhe Elizabetës, u foli një engjëll, ndërsa ty po të flas Unë, Hyji dhe Krijuesi i engjëjve dhe i yti. Për hirin tim, ata të dy sollën në jetë mikun tim të dashur, Gjonin. Nëpërmjet teje Unë dua të kem shumë fëmijë, jo prej mishit po prej shpirtit. Me të vërtetë po të them se Gjoni qe si kallamsheqer plot ëmbëlsi e mjalt pasi kurrë nuk futi në gojë ushqim të papastër dhe kurrë nuk përdori më tepër seç i nevojitej për të jetuar. Kurrë nuk i doli farë prej trupit dhe për këtë ai me të drejtë mund të quhet engjëll dhe virgjër."
|