Fjalët e dhëndrit drejtuar nuses ku përdoret një alegori e rafinuar për të folur rreth djallit.
Libri 1 - KAPITULLI 21

Dhëndri, Jezusi, iu drejtua nuses me alegori, duke marrë si shembull një bretkocë. Ai tha: “Një magjistar kish ar të çmueshëm dhe vezullues. Vjen tek ai dikush për të blerë ar. Magjistari i tha: ‘Nuk e blen dot këtë ar nëse nuk më jep ar më të mirë dhe në sasi më të madhe.’ Blerësi u përgjigj: “Aq shumë më pëlqen ari yt saqë jam gati të të jap ç’të duash në këmbim të tij.’ Pasi i dha magjistarit ar më të mirë dhe në sasi më të madhe, ai mori arin vezullues dhe e futi në një kuti me mendjen për të bërë një unazë për vete.

Pasi kaloi ca kohë, magjistari shkoi tek ai dhe i tha: ‘Ari që bleve dhe fute në kuti nuk është ar, siç kujton ti, por një bretkocë shëmtaraqe rritur në gjoksin tim dhe ushqyer me ushqimin tim. Që të bindesh se kjo është e vërtetë, hape kutinë dhe shih po nuk kërceu bretckoca në gjoksin ku është rritur.’ Ndërsa rrekej të hapte kutinë, kapaku i së cilës gati po shkëputej nga katër menteshat që e mbanin, brenda kutisë u duk një bretkocë. Sapo u hap kapaku dhe ajo pa magjistarin, i kërceu në gjoks. Shërbëtorët dhe miqtë e blerësit e panë skenën dhe i thanë: ‘Zotëri, ari i çmueshëm është brenda bretkocës dhe, nëse do, mund ta nxjerrësh lehtë.’ ‘Si?’ pyeti ai. ‘Ç’duhet të bëj?’ Ata thanë: ‘Nëse bretkocës i ngulet në kurriz një bisturi shumë e nxehtë dhe e mprehtë, menjëherë ari i del nga pjesa e kurrizit ku ka një boshllëk. Nëse nuk ka boshllëk, atëherë bisturia duhet ngulur me forcë dhe ç’ke blerë del prej saj.’

Kush mund të jetë ky magjistar përveç djallit që i josh njerëzit me kënaqësi dhe lavdi boshe? Ai e shet gënjeshtrën për të vërtetë dhe të vërtetën për gënjeshtër. Ai ka në zotërim ar të çmueshëm, domethënë shpirtin që, me fuqinë Time hyjnore, Unë e bëra më të çmueshëm se gjithë yjet dhe planetet. E krijova të pavdekshëm e të qëndrueshëm dhe më të dashur për Mua se të gjitha krijesat e tjera. I përgatita një banesë të përjetshme për të jetuar me Mua. E bleva nga pushteti i djallit me arin më cilësor dhe të çmueshëm, duke dhënë trupin Tim të pamëkat dhe duke hequr Mundime aq të dhimbshme saqë asnjë gjymtyrë e imja nuk mbeti pa plagë. Unë e vendosa shpirtin e shëlbuar në një trup ku, si brenda një kutije, të mund të qëndronte deri në atë çast kur do i jepja një vend në oborrin e pranisë Time hyjnore.

Por tani shpirti i shëlbuar i njeriut është bërë si një bretkocë e fëlliqur dhe shëmtaraqe që, në krenarinë e vet, kërcen dhe jeton zhytur në llumin e sensualitetit të vet. Arin, domethënë pronën time të ligjshme, ma kanë marrë. Prandaj djalli ka të drejtë kur thotë: ‘Ari që bleve nuk është ar por bretkocë e rritur në gjoksin e gëzimeve të mia. Ndaje trupin nga shpirti dhe shih po nuk fluturoi drejt e në gjoksin tim.’ Përgjigja ime për të është kjo: ‘Duke qenë se bretkocën më vjen ndot ta shoh, më jep neveri ta dëgjoj, helmon kur e prek dhe prej saj nuk më vjen asnjë e mirë apo gëzim, por gëzim të jep ty në gjoksin e të cilit është rritur, atëherë e gëzofsh, është e jotja. Prandaj kur kapaku të hapet, domethënë kur shpirti të ndahet nga trupi, ajo do të fluturojë drejt e tek ty që të rrini bashkë përgjithmonë’.

I tillë është shpirti i personit që po të përshkruaj. Është si bretkocë e keqe, plot fëlliqësi dhe epsh, rritur në gjoks të djallit. Po shkoj tani drejt kutisë, domethënë trupit të shpirtit, nëpërmjet vdekjes që afrohet. Kutia mbahet pezull nga katër mentesha që janë gati të këputen, domethënë trupi i tij mbahet nga katër gjëra, konkretisht fuqia, bukuria, urtia dhe pamja, të cilat kanë filluar ta lënë të gjitha. Kur shpirti të ndahet nga trupi, ai do të fluturojë drejt e tek djalli me qumështin e të cilit është ushqyer, sepse më ka harruar Mua që nga dashuria mora mbi vete dënimin që ky shpirt meritonte. Nuk ma kthen dashurinë me dashuri, por përkundrazi ma merr pronën që më përket.

Ka detyrim të më shërbejë Mua që e shëlbova më tepër seç u shërben të tjerëve, por ai gjen kënaqësi më të madhe tek djalli. Tingëllëllimi i lutjes së tij më duket si tingulli i një bretkoce. Pamja e tij është e padurueshme. Veshët e tij nuk do ta dëgjojnë kurrë gëzimin Tim; shqisa e të prekurit të tij, e helmatisur siç është, nuk do ta ndjejë kurrë hyjninë Time. Por duke qenë se Unë jam i mëshirshëm, nëse dikush do ta prekte shpirtin e tij tani, edhe pse i papastër, dhe do të vrojtonte për të parë nëse ka ndonjë fije pendese apo mirësie në vullnetin e tij, nëse dikush do të ngulte në mendjen e tij një bisturi të mprehtë dhe të nxehtë, domethënë frikën e gjykimit Tim të rreptë, ai mundet ende ta fitojë hirin Tim, mjaft që ta pranojë. Nëse nuk ka pendesë apo dashuri në të, prapë mund të ketë ndonjë shpresë, mjaft që dikush ta çpojë me një vërejtje të mprehtë dhe ta qortojë fort, sepse, për sa kohë shpirti jeton në trup, mëshira Ime është në dispozicion të çdokujt.

Ja, Unë vdiqa nga dashuria e megjithatë askush nuk më përgjigjet me dashuri e më marrin çka më përket me të drejtë. Njerëzit duhet të korigjoheshin në përpjestim me çmimin e shëlbimit të tyre. Por tani ata duan të jetojnë gjithnjë e më keq, në përpjestim me dhimbjet që kam vuajtur për shëlbimin e tyre. Sa më shumë u tregoj fëlliqësinë e mëkatit, aq më fort duan të mëkatojnë. Shih pra dhe gjyko kam apo nuk kam të drejtë që zemërohem: Ata bëjnë që vullneti im i mirë të shndërrohet në zemërin kundër tyre. Unë i shëlbova nga mëkati e ata gjithnjë e më tepër zhyten në mëkat. Prandaj, nusja ime, jëpmë çfarë ke për detyrë të më japësh, domethënë mbaje shpirtin të pastër për Mua sepse Unë vdiqa për të në mënyrë që ti ta mbash të pastër për Mua.