Pyetje e këndshme që Nëna i bën nuses dhe përgjigja e përvuajtur që nusja i jep Nënës. Kundërpërgjigja e Nënës mbi dobinë që kanë të mirët nga ekzistenca e të këqinjve.
Libri 1 - KAPITULLI 22

Nëna i foli nuses së Birit duke thënë: "Ti je nusja e Tim Biri. Thuamë ç’ke ndërmend dhe ç’do të të pëlqente!" Nusja iu përgjigj: "Zoja ime, ti e di sepse ti di gjithçka." Virgjëra e Bekuar tha: "Edhe pse unë di gjithçka, do të doja të ma thoje ti vetë, që ta marrin vesh të gjithë." Nusja tha: "Zoja ime, kam frikë nga dy gjëra. E para," tha ajo, "kam frikë se nuk qaj për mëkatet e mia apo nuk i shlyej sa duhet. E dyta, më vjen keq që yt Bir ka shumë armiq."

Virgjëra Mari u përgjigj: "Të jap tre zgjidhje për shqetësimin e parë. Para së gjithash mendo se gjithë gjërat që kanë shpirt, të tilla si bretkocat apo kafshë të tjera, kanë telashe herë pas here edhe pse shpirtrat e tyre nuk jetojnë përgjithmonë por vdesin me trupin e tyre. Por shpirti yt, dhe çdo shpirt njeriu, jeton përgjithmonë. E dyta, mendo për mëshirën e Hyjit, sepse nuk ka asnjë që të jetë aq mëkatar sa mos t’i falet mëkati, mjaft që me pendesë të lutet i vendosur për t’u përmirësuar. E treta, mendo se ç’lavdi fiton shpirti kur jeton me Hyjin dhe në Hyjin përgjithmonë.

Edhe për shqetësimin e dytë në lidhje me armiqtë e shumtë të Hyjit, të jap tre zgjidhje. E para, ki parasysh se Hyji Krijuesi yt dhe i tyre do t’i gjykojë ata dhe jo ata Atë, pavarësisht se, për një farë kohe, Ai me durim e duron ligësinë e tyre. E dyta, kujto se ata janë bijtë e mallkimit dhe se sa i rëndë dhe i tmerrshëm do të jetë për ta përvëlimi në zjarrin e pashuar. Ata janë shërbëtorët e këqinj që nuk do të marrin trashëgimi, ndërsa trashëgiminë do ta marrin fëmijët. Por ndoshta ti do të thuash: 'Atëherë atyre nuk u duhet predikuar?' Patjetër! Ki parasysh se shpesh ka njerëz të mirë mes të këqinjve. Ndonjëherë bijtë e adoptuar largohen nga e mira si djali plangprishës që shkoi në një vend të largët dhe bëri një jetë të shthurur.

Ndonjëherë predikimi u bren ndërgjegjen dhe ata kthehen tek Ati i cili, sa më shumë kanë mëkatuar, aq më krahëhapur i mirëpret. Prandaj pikërisht atyre u duhet predikuar në mënyrë të veçantë dhe nëse një predikues sheh vetëm të këqinj rreth tij, duhet të mendojë: 'Ndoshta ka mes tyre nga ata që do të bëhen bij të Zotit tim. Pra duhet t’u predikoj.' Një predikues i tillë do të marrë shpërblim shumë të madh. Në rradhë të tretë, ki parasysh se të ligët lejohen të vazhdojnë të jetojnë për të vënë në provë të mirët në mënyrë që këta, të lodhur nga sjelljet e të këqinjve, të mund ta fitojnë shpërblimin si fryt të durimit. Këtë mund ta kuptosh më mirë me anë të një shembulli. Trëndafili ka erë të këndshme, është i bukur e i butë, por rritet vetëm mes gjembave që të çpojnë, janë të shëmtuar dhe nuk kanë erë të këndshme.

Po kështu, të mirët dhe të drejtët edhe pse të butë në durim, të bukur në karakter dhe të këndhëm me shembullin që japin, prapë se prapë nuk mund të përparojnë apo të vihen në provë përveçse nga të këqinjtë. Gjembat e mbrojnë trëndafilin që të mos e këpusin përpara se të lulëzojë. Po kështu të këqinjtë, me sjelljet e tyre të liga, bëjnë që të mirët të mos i imitojnë e t’i shmangen në këtë mënyrë rrënimit që sjellin zbavitjet apo mëkate të tjera. Ashtu sikurse vera nuk e ruan mirë cilësinë e vet përveçse kur mbahet me llumin, ashtu edhe të drejtët nuk mund të qëndrojnë në drejtësi dhe të përparojnë në virtyt pa u vënë në provë nga vështirësitë dhe pa u përndjekur nga të këqinjtë. Prandaj duroji me gëzim armiqtë e tim Biri. Kujto se Ai është gjykatësi i tyre dhe nëse, në zbatim të drejtësisë do të duhet t’i zhdukë të gjithë, atëherë Ai mundet t’i fshijë nga faqja e dheut sa hap e mbyll sytë. Pra duroji për aq sa kohë sa i duron edhe Ai!"