Fjalët e Krishtit drejtuar nuses së Tij ku përshkruhet një njeri i pasinqertë, armik i Hyjit, veçanërisht hipokrizia dhe karakteristikat e tij.
Libri 1 - KAPITULLI 23

Njerëzit mendojnë se ai është sqimatar, i fortë dhe dinjitoz, aktiv në betejën për Zotin. Por kur i heq helmetën duket i neveritshëm e nuk vlen për asgjë. Truri i del zbuluar, veshët në ballë, sytë mbrapa kokës, hunda e prerë, faqet gropë si vdekësirë. Në të djathtë, eshtra faciale dhe gjysma e buzëve i kanë rënë dhe nuk ka tjetër aty përveç fytit të zbuluar. Krahërori i gëlon nga krimbat; krahët si çift gjarpërinjsh. Në zemër ka një akrep të lig; kurrizi i duket si thëngjill i shkrumbuar. Zorrët i bien erë dhe i janë kalbur si mish i qelbëzuar, këmbët si kërcunj të tharë nuk e mbajnë.

Do të të tregoj tani se ç’do të thotë gjithë kjo. Së jashtmi ai duket i hijeshuar me zakone të mira, i urtë e aktiv në shërbimin Tim, por nuk është aspak i tillë. Sepse nëse e heq helmetën nga koka, dua të them, nëse u shfaqet njerëzve ashtu siç është, do të dukej më i shëmtuari nga të gjithë. Truri i del zbuluar sepse marrëzia dhe mendjelehtësia e tij janë shenjë mjaft e qartë për të mirët që ai nuk e meriton një nder aq të madh.

Nëse do e shijonte urtinë Time, ai do ta kuptonte se sa më tepër ngrihet në post nderi mbi të tjerët, aq më shumë se të tjerët duhet të ketë kujdes se si sillet. Veshët i ka në ballë sepse, në vend të përvujtërisë që duhet të tregojë në rrangun e tij të lartë, përvujtëri që duhet të shkëlqejë para syve të të tjerëve, ai veç dëshiron të dëgjojë lëvdata për vete. Vishet me krenari dhe dhe dëshron që të gjithë ta mbajnë për njeri të madh e të mirë. Sytë i ka mbrapa koke sepse mendja e tij punon veç për të tashmen dhe aspak për përjetësinë. Ai mendon si t’u pëlqejë njerëzve dhe për çka i nevojitet për nevojat e trupit, por jo se si të më pëlqejë Mua apo se çfarë i bën mirë shpirtit.

Hundën e ka të prerë sepse ka humbur maturinë me të cilën mund të bëjë dallimin mes mëkatit dhe virtytit, mes lavdisë së përkohshme dhe të amshuar, mes pasurive tokësore dhe qiellore, mes kënaqësive jetëshkurtër dhe të përjetshme. Faqet i ka gropë, domethënë e ka humbur ndjenjën e turpit nga Unë dhe të shijes së bukurisë së virtyteve me të cilat mund të më pëlqejë. Ai ka turp të mëkatojë sepse i vjen zor nga njerëzit, por jo se ka frikë nga Unë. Një pjesë të eshtrës faciale dhe të buzëve nuk i ka më e nuk i ka mbetur tjetër veç grykës sepse nuk i imiton më veprat e Mia, nuk predikon më fjalën Time e nuk lutet me zemër, e tjetër s’i ka mbetur veç grykësisë. I duken të dobishme dhe të lakmueshme imitimi i veprave të këqija dhe përzierja në punët e kësaj bote.

Krahërorin e ka plot krimba sepse në zemër ku duhet të ruajë kujtimin e Mundimeve, veprave dhe urdhëresave të Mia, ka vetëm preokupime për çështje të përkohshme dhe dëshira për botën. Këto i depërtojnë në mendje e ai nuk mendon për gjëra shpirtërore. Në zemrën e tij ku Unë do të doja të banoja dhe ku dashuria Ime duhet të qëndrojë, qëndron një akrep i lig me bisht çpues dhe fytyrë shtiracake. Kjo sepse fjalë shtiracake dhe kumbuese dalin prej gojës së tij, por zemrën e ka plot me padrejtësi dhe falsitet sepse mjaft që ai të kënaqë egoizmin e vet e nuk i bëhet vonë nëse kisha që përfaqëson shkatërrohet.

Krahët i ka si gjarpërinj sepse me ligësinë e tij shkon tek njerëzit e thjeshtë dhe i fton me thjeshtësi por, kur i leverdis, i përzë si të shkretë. Njëlloj si gjarpër mblidhet kulaç duke e fshehur ligësinë dhe fëlliqësinë dhe vështirë se ndokush mund ta kuptojë dinakërinë e tij. Në sytë e Mi është si gjarpër i neveritshëm sepse ashtu si gjarpri është më i neveritshmi nga çdo kafshë tjetër, edhe ai është për Mua më i shtrembri nga të gjithë sepse nuk e përfill drejtësinë Time dhe më konsideron si dikë që nuk ka dëshirë të ndëshkojë.

Kurrizin e ka si thëngjill, por duhet ta kish si fildish sepse veprat e tij duhet të jenë më fuqishme dhe të pastra se të të tjerëve, në mënyrë që ta ndihmojëë të dobëtin me durimin dhe shembullin e një jete të paqortueshme. Por përkundrazi, ai është si thëngjill sepse nuk duron dot as edhe një fjalë të vetme për hirin Tim, përveç rastit kur i leverdis atij vetë. Megjithatë ai mendon se është i fuqishëm në botë. Për pasojë, duke qenë se e kujton veten në këmbë, ai do të rrëzohet sepse është i shtrembër dhe i vdekur si thëngjill i shuar në sytë e Mi dhe të shenjtërve të Mi. Zorrët i bien erë sepse para Meje mendimet dhe dëshirat e tij bien erë mishi të prishur, erë aq e rëndë sa askush nuk mund ta durojë.

Asnjë prej shenjtërve nuk mund ta durojë; përkundrazi, të gjithë e kthejnë kokën që mos ta shohin dhe kërkojnë që të bëhet drejtësi. Këmbët i ka si kërcunj të thatë sepse dy këmbët e tij janë dy prirjet e tij në lidhje me Mua, domethëne dëshira për shlyer mëkatet dhe dëshira për të bërë mirë. Këto këmbë janë tharë tërësisht sepse palca e dashurisë i është konsumuar krejtësisht dhe asgjë s’i ka mbetur përveç kockave. E në këtë gjendje qëndron para Meje. Megjithatë, për sa kohë që shpirti i tij është në trup, ai mund ta fitojë mëshirën Time.

SQARIM
Shën Lorenci u shfaq tek thoshte: “Kur isha në botë, unë kisha tre gjëra: vetëpërmbajtje, mëshirë për të afërmin, dashuri për Hyjin. Prandaj e predikoja fjalën e Hyjit me zell, i shpërndaja të mirat e kishës me maturi dhe durova fshikullimin, zjarrin dhe vdekjen me gëzim. Por ky ipeshëv duron dhe mbulon mungesën e vetëpërmbajtjes së klerikëve, është dorëlëshuar me të mirat e kishës për të pasurit dhe ka dashuri për veten dhe të tijët. Prandaj i bëj të ditur se një re e shndritshme është ngjitur në qiell, mbuluar nga flakë të errëta që të mos shihet nga shumë.

Kjo re është lutja e Nënës së Hyjit për kishën. Flakët e lakmisë dhe mungesës së përshpirtshmërisë dhe drejtësisë e mbulojnë aqsa mëshira bujare e Nënës së Hyjit nuk mund të hyjë në zemrat e të gjorëve. Prandaj ipeshkvi le t’i kthehet dashurisë hyjnore duke bërë kthesë, duke i paralmëruar vartësit e tij me fjalë dhe vepra dhe duke i nxitur të përmirësohen. Nëse nuk bën kështu, ai do të ndjejë dorën e një gjykatësi dhe kisha e tij dioqezane do të pastrohet me zjarr dhe shpatë dhe do të plaçkitet dhe mundohet në atë masë sa do të duhet shumë kohë para se të gjendet dikush që ta ngushëllojë.”