Fjalët e Krijuesit drejtuar nuses rreth faktit se si drejtësia e Tij i lë të këqinjtë në jetë për një arësye të trefishtë dhe se si mëshira e Tij i kursen ata për një arësye të trefishtë.
Libri 1 - KAPITULLI 25

Unë jam Krijuesi i qiellit dhe tokës. Ti po vrisje mëndjen, nusja ime, pse Unë jam kaq i durueshëm me të ligët. Kjo vjen ngaqë jam i mëshirshëm. Drejtësia ime bën durim me ta për një arësye të trefishtë dhe për një arësye të trefishtë mëshira ime i kursen ata. Së pari, drejtësia ime bën durim në mënyrë që koha e tyre të plotësohet krejtësisht. Po të pyesje një mbret për ç’arësye nuk i ekzekuton të burgosurit, ai do të përgjigjej: ‘Sepse ende nuk i ka ardhur koha seancës së përgjithshme të gjyqit ku ata të dëgjohen dhe dëgjuesit të nxjerrin mësim.’ Po kështu Unë u lëshoj pe të këqinjve derisa t’u vijë koha dhe ligësinë e tyre ta marrin vesh edhe të tjerët.

A nuk e parathashë refuzimin e Saulit shumë përpara se kjo gjë t’i bëhej e ditur njerëzve? E tolerova për një kohë të gjatë në mënyrë që ligësia e tij të mund të merrej vesh nga të tjerët. Arësyeja e dytë është se të ligët bëjnë disa vepra të mira për të cilat duhen shpërblyer deri në pikën e fundit. Në këtë mënyrë as edhe më e vogla e mirë që kanë bërë për Mua nuk do të mbesë pa u shpërblyer dhe ata do të marrin shpërblimin që u takon këtu në tokë. Në rradhë të tretë, kjo bëhet për të nxjerrë në pah durimin e Hyjit. Kjo ishte arsyeja pse Unë I lëshova pe Pilatit, Herodit dhe Judës, edhe pse në fund ata do të përfundonin në ferr. Dhe nëse dikush pyet pse Unë e toleroj këtë apo atë person, le të sjellë ndërmend Judën dhe Pilatin.

Mëshira ime e kursen të ligun po ashtu për një arësye të trefishtë. Së pari, për shkak të dashurisë sime të pakufi, duke qenë se ndëshkimi i përjetshëm është i gjatë. Për këtë arësye, për shkak të dashurisë sime të madhe, Unë u lëshoj pe deri në çastin e fundit në mënyrë që ndëshkimi i tyre shtyhet në kohë. Në rradhë të dytë, u lëshoj pe që t’i jap mundësi natyrës së tyre të mplaket nga veset. Duke qenë se natyra njerëzore mplaket nga mëkati, ata nuk e përjetojnë vdekjen e përkohshme me aq dhimbje sa do ta përjetonin nëse do kishin konstrukt prej të riu . Konstrukti i një të riu pëson një vdekje më të ngadaltë dhe të mundimshme. Në rradhë të tretë, kjo ndodh për përmirësimin e të mirëve dhe kthimin e disa prej të ligëve. Kur njerëz të mirë dhe të drejtë torturohen nga të ligët, kjo shkon për dobi të të mirëve dhe të drejtëve pasi i shtyn të mos mëkatojnë dhe të fitojnë merita më të mëdha.

Në të njëjtën mënyrë, të këqinjtë ndonjëherë kanë ndikim të mirë tek disa të këqinj të tjerë. Kur këta të fundit reflektojnë mbi fatin dhe ligësinë e të parëve, mendojnë me vete dhe thonë: ‘Ç’e mirë na vjen nëse bëjmë si ta?’ Dhe: ‘Meqë Zoti është kaq i durueshëm, është më mirë të pendohemi.’ Në këtë mënyrë ata ka raste kur kthehen tek Unë, sepse ngurojnë të bëjnë çka bëjnë të tjerët dhe, përveç kësaj, ndërgjegja u thotë se nuk duhet të bëjnë gjëra të tilla. Thuhet se nëse dikë e pickon akrepi, ai mund të shpëtojë duke u lyer me lëngun ku një zvarranik tjetër ka vdekur. Po kështu, ka raste kur një të keq që ka parë dikë tjetër të mëkatojë, ta pickojë brejtja e ndërgjegjes dhe të shërohet nga ligësia dhe vetëkënaqësia.