Lëvdatat e ushtrisë qiellore për Hyjin; si do të kishin lindur fëmijët nëse prindërit tanë të parë nuk do të kishin mëkatuar; si Hyji bëri mrekulli para popullit nëpërmjet Moisiut dhe më vonë duke u bërë Ai vetë njeri; për degjenerimin e martesës trupore në këtë epokë dhe kushtet e martesës shpirtërore.
Libri 1 - KAPITULLI 26

Ushtria qiellore u shfaq tek qëndronte para Hyjit. E tërë ushtria tha: ‘Lavdi dhe nder Ty, Zot Hyj, Ti që je dhe ke qenë gjithmonë! Ne jemi shërbëtorët e Tu dhe të lëvdojmë dhe nderojmë për një arësye të trefishtë. Së pari, sepse na krijove që të jetojmë të lumtur me Ty dhe na dhe dritë të papërshkrueshme ku të gëzonim përgjithmonë. Së dyti, sepse Ti, në mirësinë dhe qëndrueshmërinë Tënde, ke krijuar dhe mban në ekzistencë gjithçka dhe gjithçka gjen gëzim në Ty dhe banon në fjalën Tënde. Së treti, sepse Ti krijove njerëzit dhe more natyrë njerëzore nga dashuria për ta. Ne galdojmë së tepërmi për këto dhe për Nënën tënde tejet të perëndishme që u gjet e denjë të të mbartë Ty që nuk të mbartin e të nxënë dot as qiejt.

Prandaj, në emër të të gjithë engjëjve që Ti i ke lartësuar aq shumë, qofsh lëvduar dhe bekuar mbi gjithçka! Përjetësia dhe qëndrueshmëria Jote e amshuar qofshin mbi gjithçka që është dhe qëndron. Dashuria jote qëndroftë me racën njerëzore që Ti ke krijuar! Vetëm Ti, o Zot, duhesh pasur frikë për fuqinë Tënde të madhe, vetëm Ti duhesh dëshiruar për dashurinë tënde të madhe. Ti vetëm je për t’u dashur për qëndrueshmërinë Tënde. Qofsh lëvduar pafund, parreshtur, në jetë të jetëve. Amen!”

Zoti u përgjigj: “Ju denjësisht më nderoni për gjithë krijimin. Por, thomëni, pse më lëvdoni për racën njerëzore që e ka ndezur zemërimin Tim më tepër se gjithë krijesat? I bëra superiorë mbi krijesat e ulta. Për asnjë krijesë nuk vuajta aq poshtërime sa për njerëzit dhe shëlbimi i asnjë krijese nuk më ka kushtuar aq shtrenjtë. Cila krijesë, përveç njeriut, nuk i përmbahet ligjit natyror? Ai më shkakton telashe më tepër se të tjërët. Njëlloj siç ju krijova juve për të më lëvduar dhe për të më dhënë lavdi, po ashtu bëra Adamin që të më lëvdonte. I dhashë trup për të qenë tempull shpirtëror dhe vendosa në të shpirtin të bukur si engjëll, pasi shpirti njerëzor ka cilësi dhe fuqi engjëllore.

Në atë tempull, Unë, Hyji dhe Krijuesi i tij, isha shoku i tretë. Ai u bë për të gjetur gëzim tek Unë. Pastaj i bëra një tempull të ngjashëm nga brinja e vet. Tani, ti nusja ime, për hir të së cilës po thuhen gjithë këto, mund të pyesësh: ‘Si do të lindnin fëmijë ata nëse nuk do të kishin mëkatuar?’ Po ta tregoj: ‘Gjaku i dashurisë do ta kish mbjellur farën e vet në trupin e gruas pa asnjë epsh të turpshëm, prej dashurisë hyjnore, afeksionit të ndërsjellë dhe bashkimit trupor ku të dy do të ishin ndezur flakë për njëri-tjetrin dhe gruaja do të ngjizte. Pasi fëmija të ish ngjizur pa mëkat apo kënaqësi epshore, Unë do të kisha futur një shpirt në të dhe gruaja do ta mbante dhe lindte fëmijën pa dhimbje.

Fëmija do të kish lindur i përkryer si Adami. Por ai e shpërfilli këtë privilegj dhe iu bind djallit sepse dëshiroi lavdi më të madhe seç i pata dhënë. Pas aktit të padëgjesës, u erdhi engjëlli im dhe ata patën turp nga lakuriqësia e tyre. Taman në atë çast përjetuan orekset trupore dhe nisëm të vuanin nga uria dhe etja. Më humbën edhe Mua. Më parë, kur isha me ta, ata nuk ndjenin uri, epsh apo turp dhe vetëm Unë isha gjithë e mira, kënaqësia dhe galdimi i tyre i përsosur. Ndërsa djalli u ngazëllye nga mëkatimi i tyre, Unë u preka nga keqardhja dhe nuk u ktheva shpinën, por u shfaqa mëshirë të trefishtë. E vesha lakuriqësinë e tyre dhe u dhashë bukë nga toka. Në përgjigje të lakmisë që djalli kish mbjellë në ta pas aktit të padëgjesës, Unë, me fuqinë Time hyjnore, futa shpirtra në farën e tyre.

E ktheva në të mirë të tyre gjithçka që djalli u kish sugjeruar. Pastaj u mësova se si të jetonin dhe të më adhuronin. I lejova të kenë marrëdhënie të ligjshme. I pata lejuar dhe udhëzuar qysh më parë, por u kishte hyrë frika dhe nuk guxonin të bashkoheshin. Po kështu, kur Abeli u vra dhe ishin në zi dhe përkore për një kohë të gjatë, më erdhi keq dhe i ngushëllova. Pasi u bëra të ditur vullnetin Tim, ata filluan përsëri të kenë marrëdhënie dhe të lindin fëmijë. U premtova se Unë, Krijuesi i tyre, do të lindja nga pasardhësit e tyre. Pasi ligësia e fëmijëve të Adamit u shtua, u tregova vendin mëkatarëve, por I mëshirova të zgjedhurt e mi. Me këta isha i kënaqur, i mbrojta dhe i ndihmova sepse i mbanin urdhërimet e Mia dhe besonin në premtimet e Mia. Kur koha e mëshirës u afrua, nëpërmjet Mojsiut bëra të dukshme veprat e Mia të mëdha dhe e shpëtova popullin Tim sipas premtimit. I ushqeva me manë dhe ecja para tyre në një shtyllë reje dhe zjarri.

U dhashë Ligjin Tim, u zbulova të fshehtat e Mia dhe të ardhmen me anë të profetëve. Pas kësaj, Unë, Krijuesi i gjithçkaje, zgjodha për vete një virgjër të lindur nga burrë e grua. Prej saj mora trup njerëzor dhe desha të lind pa marrëdhënie martesore apo mëkat. Ashtu sikurse fëmijët do të kishin lindur në Parajsë nëpërmjet misterit të dashurisë hyjnore dhe të prindërve të tyre, pa asnjë epsh të turpshëm, po ashtu hyjnia Ime mori natyrë njerëzore nga një vajzë virgjër pa marrëdhënie seksuale dhe pa e dëmtuar virgjërinë e saj. Duke u mishëruar, Hyj i vërtetë dhe njeri i vërtetë, Unë përmbusha Ligjin dhe gjithë Shkrimet, taman siç ishte profetizuar më parë. Dhe bëra një Ligj të Ri, pasi i Vjetri kish qenë i rreptë dhe i vështirë për t’u zbatuar dhe nuk ish tjetër veçse figurë e asaj çka do ndodhte në të ardhmen. Ligji i Vjetër i lejonte burrit të merrte disa gra në mënyrë që brezat e ardhshëm të mos mbeteshin pa fëmijë e t’u duhej të martoheshin me paganë. Ligji Im i Ri e lejon burrin të ketë vetëm një grua dhe për sa kohë ajo është gjallë e ndalon të marrë grua tjetër. Ata që nga dashuria dhe frika hyjnore kryejnë marrëdhënie për të bërë fëmijë, janë tempull shpirtëror ku më pëlqen të banoj si shok i tretë.

Por njerëzit e kësaj epoke bashkohen në martesë për shtatë arësye. E para, për fytyrën e bukur; e dyta, për pasurinë; e treta, për kënaqësinë vulgare dhe gëzimin e padenjë të seksit; e katërta, për dëfrimet dhe grykësinë e pafre; e pesta, për veshjet, ushqimet, zbavitjet dhe kotësira të tjera; e gjashta, për të të patur fëmijë jo për Hyjin apo për vepra të mira, por për të fituar pasuri dhe nder; e shtata, bashkohen në martesë prej epshit dhe orekseve shtazore. Këta njerëz takohen jashtë dyerve të kishës Time me një mendje dhe dëshirë, por ndjenjat dhe mendimet e tyre të brendshme nuk përkojnë fare me të Miat. Në vend të vullnetit Tim ata pëlqejnë te vetin që synon t’i bëjë qejfin botës. Nëse do të mendonin për Mua, nëse do ta braktisnin vullnetin e vet në duart e Mia dhe do martoheshin me frikën e Hyjit, atëherë do u jepja pëlqimin Tim dhe do të isha shok i tretë me ta. Por ata nuk e marrin pëlqimin Tim sepse kanë në zemër epsh për njëri-tjetërin dhe jo dashuri për Mua. Ata ngjiten në altarin Tim dhe dëgjojnë se duhet të jenë një zemër dhe një mendje, por zemra Ime ia mbath prej tyre sepse dashuria Ime nuk i ngroh dhe nuk e njohin shijen e trupit Tim.

Dëshirojnë ngrohtësinë që mbaron dhe trupin që do e hanë krimbat. Prandaj njerëz të tillë bashkohen në martesë pa lidhjen dhe bashkimin e Hyjit Atë, pa dashurinë e Birit dhe pa Ngushëllimin e Shpirtit të Shenjtë. Kur çifti shkon në shtrat, Shpirti im largohet menjëherë dhe vjen shpirti i fëlliqësisë sepse ata bashkohen prej epshit dhe nuk flasin apo mendojnë për gjë tjetër. Por nëse kthehen, mëshira Ime do jetë me ta. Sepse Unë, nga dashuria, me fuqinë Time, fus shpirt të gjallë në farën e tyre. Ndonjëherë lejoj që prindërit e këqinj të lindin herë pas here fëmijë të mirë. Më shpesh fëmijë të këqinj lindin nga prindër të këqinj, pasi këta fëmijë imitojnë prindërit aq sa munden dhe do i imitonin edhe më shumë nëse durimi Im nuk do t’u vinte kufi. Një çift i tillë nuk do ta shohë kurrë fytyrën Time nëse nuk pendohet.

Sepse nuk ka mëkat, sado i madh qoftë, që të mos shlyhet nga pendesa. Prandaj Unë do t’i kthehem martesës shpirtërore që i shkon për shtat Hyjit ta lidhë me një trup dhe shpirt të përkorë. Në të ka shtatë të mira, të kundërtat e të këqijave të përmendura më sipër. Nuk ka dëshirë për bukuri formash, bukuri trupore apo pamje të këndshme, por vetëm për kundrimin dhe dashurinë e Hyjit. As nuk ka, e dyta, ndonjë dëshirë për të patur më tepër se ç’nevojitet për të jetuar. E treta, nuk ka biseda të kota dhe pa vlerë. E katërta, nuk ka merak për të vizituar miq apo të afërm; përkundrazi jam Unë ai që ata duan dhe dëshirojnë.

E pesta, ata dëshirojnë të kenë përvujtëri të brendshme në zemër dhe dhe të jashtme në veshje. E gjashta, nuk synojnë kënaqësitë sensuale. E shtata, ata lindin bij dhe bija për Hyjin duke u sjellë mirë, duke dhënë shembull pozitiv dhe duke predikuar fjalë të përshpirtshme. Me besim të patundur takohen jashtë dyerve të kishës sime ku japin pëlqimin e tyre dhe Unë jap Timin. Ngjiten në altarin Tim dhe shijojnë gëzimin shpirtëror që sjell trupi dhe gjaku Im. Në këtë gëzim ata dëshirojnë të jenë një zemër, një trup dhe një vullnet dhe Unë, Hyj dhe njeri i vërtetë, i fuqishëm në qiell dhe në tokë, do të jem shok i tretë me ta dhe do t’i mbush zemrat e tyre. Çiftet materialistë, si shtazë e më shumë se shtazë, le të martohen për epsh!

Këta bashkëshortë shpirtërorë martohen me dashurinë dhe frikën e Hyjit dhe nuk kërkojnë t’i pëlqejnë kujt veç Meje. Shpirti i keq mbush të parët dhe i shtyn drejt kënaqësive epshore ku nuk ka tjetër gjë veç kalbësirë erëkeqe. Të dytët janë të mbushur me Shpirtin Tim që nuk do t’i braktisë kurrë. Unë jam një Hyj në tre Vetë. Unë jam një në substancë me Atin dhe Shpirtin e Shenjtë. Ashtu siç është e pamundur për Atin të ndahet nga Biri apo për Shpirtin e Shenjtë të ndahet nga ndonjëri prej Tyre, dhe ashtu siç është e pamundur që nxehtësia të ndahet nga zjarri, ashtu është e pamundur për këta bashkëshortë shpirtërorë që të ndahen nga Unë. Jam me ta si shoku i tyre i tretë. Trupi im u plagos njëherë dhe vdiq në Mundime, por kurrë më nuk do të plagoset apo vdesë. Po ashtu edhe ata që janë bërë një me Mua me fe të drejtë dhe vullnet të patundur nuk do të ndahen kurrë prej meje. Kudo qëndrojnë, ulen apo ecin, Unë jam me ta si shok i tretë.