Fjalët e Nënës drejtuar nuses për tre karakteristika të vallëzimit, si vallëzimi simbolizon botën dhe për e Nënës në vdekjen e Krishtit.
Libri 1 - KAPITULLI 27

Nëna e Hyjit i foli nuses dhe i tha: "Bija ime, dua që ta dish se aty ku ka vallëzim, ka tre gjëra: gëzim bosh, britma dhe lodhje të pakuptimtë. Nëse dikush hyn në sallën e vallëzimit i trishtuar, miku i tij që gjendet në mes të haresë së vallëzimit, duke e parë shokun të trishtuar, menjëherë e lë mënjanë gëzimin e tij dhe e ngushëllon atë. Ky vallëzim është bota që gjendet gjithnjë e mbërthyer nga ankthi që të marrëve u duket gëzim. Në këtë botë ka tre gjëra: gëzim bosh, biseda të kota dhe mundime të pakuptimta pasi njeriut i duhet ta lërë pas gjithçka për të cilën cfilitet.

Ah sikur ndonjë prej atyre që janë përpirë nga vallëzimi i kësaj bote të mendonte për mundimet dhe trishtimin tim e të më ngushëllonte – mua që u ktheva shpinën gjithë gëzimeve të kësaj bote – dhe t’u kthente shpinën atyre! Në vdekjen e tim Biri isha si një grua që i kanë shpuar zemrën me pesë heshta. Heshta e parë ishte lakuriqësia e Tij e turpshme, sepse pashë Birin tim tejet të përkorë dhe të fuqishëm të qëndronte zhveshur në shtyllë, pa asnjë rrobë. Heshta e dytë ishte akuza kundër Tij, sepse akuzuan për trathti, dëshmi të rreme dhe mashtrim Atë që unë e dija se ishte i drejtë dhe i çiltër dhe që kurrë nuk kishte fyer e as dëshiruar të fyente ndonjë. Heshta e tretë ishte kurora me ferra që shpoi kokën e Tij të shenjtë aq thellë saqë gjaku i rrodhi deri në gojë, mjekërr dhe veshë. Heshta e katërt ishte zëri i Tij i këputur në kryq kur i thirri Atit duke thënë:

'O Atë pse më ke braktisur?' Ishte si të thoshte: 'Atë, nuk ka tjetër përveç Teje në botë që i vjen keq për Mua.' Heshta e pestë ishte vdekja e Tij tepër e hidhur. Gjaku i Tij tejet i shenjtë doli nga aq arterie sa ishin heshtat që më shpuan zemrën. I shpuan arteriet e duarve dhe këmbëve dhe dhimbja në ligamentet e shpuara i shkonte parreshtur në zemër dhe nga zemra prapë në ligamente, sepse zemra e Tij, duke qenë endur me konstruktin më të mirë të mundshëm, ishte e fortë. Kështu që jeta përleshej me vdekjen e Ai vazhdonte të jetonte mes dhimbjeve. Ndërsa vdekja afrohej e zemra gati po i pushonte nga dhimbja e padurueshme, papritmas trupi i tëri iu drodh dhe koka, që i varej pas, iu ngrit disi.

I hapi pakëz sytë, gati përgjysëm. Po ashtu hapi gojën saqë mund t’i shihej gjuha e përgjakur. Gishtat dhe krahët, tepër të kontraktuar, iu drejtuan. Sapo dha shpirt, koka iu var drejt gjoksit. Duart i lëvizëm ca nga vendi i gozhdimit dhe këmbëve u duhej të mbanin një peshë më të madhe. Pastaj duart m’u thanë. Sytë m’u errën dhe në fytyrë u zverdha si kufomë. Nuk arrija të dëgjoja më asgjë. Goja nuk më nxirrte dot asnjë fjalë.

Këmbët m’u morën dhe rashë përdhe. Kur u përmenda dhe pashë tim Bir të dukej më keq se një i gërbulur, ia dorëzova gjithë vullnetin tim Atij, se e dija që gjithçka kishte ndodhur sipas vullnetit të Tij dhe nuk do të kish ndodhur nëse Ai nuk do ta kish lejuar. Dhe e falenderova për gjithçka. Trishtimi im u përzie me gëzim sepse pashë që Ai që nuk kish mëkatuar kurrë, deshi, nga dashuria e Tij e madhe, të vuante kështu për mëkatarët. Le të mendojnë ata që janë në botë se çfarë ndjeva kur pashë të vdiste im Bir dhe le ta kujtojnë gjithnjë!"