Fjalët e Zotit drejtuar nuses ku përshkruhet se si dikush doli para gjykatores së Hyjit për t’u gjykuar dhe për vendimin e tmerrshëm që Hyji dhe gjithë shenjtërit morën kundër tij.
Libri 1 - KAPITULLI 28

Nusja e pa Hyjin të zemëruar. Ai po thoshte: "Unë jam pa fillim dhe pa fund. Unë nuk ndryshoj me kalimin e ditëve dhe viteve. E gjithë koha është si një orë apo çast i vetëm për Mua. Kushdo që më sheh, sheh dhe kupton në çast gjithçka është në Mua. Sidoqoftë, nusja ime, duke qenë se je brenda një trupi material, ti nuk mund të perceptosh dhe kuptosh si një shpirt. Prandaj, për hatrin tënd, do të të shpjegoj çfarë ka ndodhur. Isha, si të thuash, ulur në gjykim, pasi çdo gjykim më është dhënë Mua. Dikush erdhi të gjykohej përpara gjykatores. Zëri i Atit kumboi dhe i tha: 'Mjerë ti që ke lindur.'

Nuk është se Hyji u pendua që e kish krijuar, por ndjente keqardhje ashtu si dikujt i vjen keq për dikë. Në përgjigje u ndie zëri i Birit: 'Unë derdha gjakun për ty dhe pranova dënim të rëndë për ty, por ti je larguar krejtësisht prej tij dhe nuk ke lidhje me të.' Zëri i Shpirtit tha: 'I kam vrojtuar të gjitha skutat e zemrës së tij për të parë se mos gjeja ndopak butësi dhe dashuri aty, por ajo është e ftohtë akull, e fortë gur. Nuk dua t’ia di më për të.'

Këta tre zëra nuk kumbuan si të vinin nga tre zotër, por u dëgjuan veç e veç për hatrin tënd, nusja ime, sepse përndryshe ti nuk do të ishe në gjendje ta kuptoje këtë mister. Tre zërat e Atit, Birit dhe Shpirtit të Shenjtë u shndërruan pastaj menjëherë në një zë të vetëm që oshëtiu dhe tha: 'Në asnjë mënyrë nuk e meriton mbretërinë e qiellit!' Nëna e Mëshirës heshti dhe nuk shfaqi mëshirë sepse i akuzuari nuk e meritonte. Të gjithë shenjtërit thirrën njëzëri duke thënë: 'Është drejtësi hyjnore që ai të zbohet përjetësisht nga mbretëria dhe gëzimi Yt.' Të gjithë shpirtrat e Purgatorit thanë: 'Këtu nuk ka aq ndëshkime sa duhen për mëkatet e tua. Ti meriton tortura më të mëdha, prandaj do të ndahesh prej nesh.' Pastaj edhe i akuzuari vetë thirri me një zë të llahtarshëm, duke thënë: 'Medet, medet për farërat që u bashkuan në krahërorin e nënës time e nga të cilat u formova unë!' Ai bërtiti një herë të dytë dhe tha:

'Mallkuar qoftë ora kur shpirti im u bashkua me trupin dhe mallkuar qoftë ai që më dha trup dhe shpirt!' E mori fjalën për herë të tretë: 'Mallkuar qoftë ora kur dola gjallë nga barku i nënës time!' Pastaj erdhën tre zëra të tmerrshëm nga ferri që thonin: 'Eja tek ne, shpirt i mallkuar, si bakër i shkrirë që rrjedh në vdekjen e përjetshme dhe jetën që s’mbaron!' Ata bërtitën një herë të dytë: 'Eja, shpirt i mallkuar, bosh për ligësinë tonë! Pasi nuk do të ketë asnjë prej nesh që nuk do të të mbushë me dhimbjen dhe ligësinë e vet.' Ata thirrën edhe një herë të tretë: 'Eja, shpirt i mallkuar, i rëndë si gur që zhytet e zhytet dhe kurrë nuk e takon fundin ku mund të pushojë!

Ti do të zhytësh më thellë se ne dhe nuk do të pushosh së zhyturi deri sa të plandosesh në pjesën më të ulët të humnerës.' Pastaj Zoti tha: 'Njëlloj si një burrë me disa gra që sheh njërën prej tyre të bjerë e i kthen shpinën duke iu drejtuar të tjerave që qëndrojnë palëkundur dhe galdon me to, po kështu Unë e kam kthyer fytyrën dhe mëshirën Time larg tij dhe jam drejtuar nga shërbëtorët dhe shoqëruesit e mi për të gëzuar me ta. Prandaj, tani që more vesh për mallkimin e tij, shërbemë me sinqeritet më të madh se sa ai për t’iu përgjigjur mëshirës më të madhe që kam treguar me ty! Largoju botës dhe dëshirës për të!

Vallë i pranova Mundime aq të mëdha për lavdinë e kësaj bote, apo mos vallë isha i paaftë t’i hiqja Mundimet shpejt dhe lehtë? Sigurisht që isha i aftë! Megjithatë drejtësia kërkoi që, meqenëse njerëzit mëkatuan me çdo gjymtyrë, atëherë duhej paguar me çdo gjymtyrë veç e veç. Për këtë Hyji, nga mëshira për njerëzit dhe dashuria e flaktë për Virgjërën, mori prej saj natyrë njerëzore me anë të së cilës të mund të përballonte të gjithë ndëshkimin që meritonte njerëzimi. Meqenëse Unë vuajta nga dashuria, qëndro palëkundur në përvujtëri, njëlloj si shërbëtorët e mi, që të mos kesh asgjë për të cilën të turpërohesh dhe mos ki frikë prej asgjëje përveç Meje! Mbaj gojën në mënyrë që, nëse vullneti im do të ta kërkonte një gjë të tille, ti nuk do të flisje kurrë. Mos u trishto për gjërat që kalojnë. Unë mund të bëj të pasur apo të varfër këdo që kam dëshirë. Kështu që, nusja ime, vëre çdo shpresë tënden tek Unë!"

SQARIM
Ky burrë ishte një fisnik, kanonik dhe nëndiakon i cili, pasi kish marrë një leje të rremë, ish martuar me një vajzë pasanike. Por vdekja e papritur nuk e la ta realizonte dëshirën e vet.