Fjalët e Virgjërës drejtuar bijës për dy zonja: njëra e quajtur Krenari dhe tjetra, që simbolizon Virgjërën tejet të ëmbël, e quajtur Përvujtëri; dhe për Virgjërën që vjen t’i takojë në çastin e vdekjes ata që e duan.
Libri 1 - KAPITULLI 29

Nëna e Hyjit i foli nuses së Birit duke i thënë: "Janë dy zonja. Njëra prej tyre nuk ka emër të përveçëm sepse nuk meriton të ketë emër; tjetra është Përvujtëria dhe quhet Mari. Djalli është zotëria i zonjës së parë sepse e zotëron atë: 'Zonja ime, jam gati të bëj ç’të mundem për ty, mjaft që të kemi një herë marrëdhënie bashkë. Tek e fundit, unë jam i fuqishëm, trim, guximtar, nuk i trembem asgjëje dhe jam gati të vdes për ty.' Ajo iu përgjigj: 'Shërbëtori im, dashuria jote është e madhe. Porse unë jam ulur në një fron të lartë, kam vetëm këtë fron dhe ne na ndajnë tre porta.

Porta e parë është aq e ngushtë saqë çfarëdo që njeriu të ketë veshur ngec dhe griset nëse hyn nga ajo. E dyta është aq e mprehtë saqë të pret deri në kockë. Dera e tretë digjet aq shumë saqë askush nuk mund t’i shpëtojë nxehtësisë së zjarrit, përkundrazi çdokush që hyn nga ajo shkrihet menjëherë si bakër. Përveç kësaj unë jam ulur aq lart saqë kush dëshiron të ulet me mua – vetëm këtë fron kam – bie në humnerat e kaosit poshtë meje.' Djalli iu përgjigj: 'E jap jetën për ty sepse rënia nuk më kushton asgjë.'

Kjo zonjë është krenaria dhe kush dëshiron të shkojë tek ajo duhet të kalojë, si të thuash, përmes tre portave. Nga porta e parë hyn ai që, për hir të krenarisë, jep gjithçka ka për të marrë lëvdata nga njerëzit. Nëse nuk ka asgjë, bën ç’mundet që të jetojë krenarisht dhe të fitojë lëvdata. Nga porta e dytë hyn ai që gjithë punën, gjithçka bën, gjithë kohën, gjithë mendimet dhe gjithë fuqinë e vet ia kushton krenarisë së vet. Edhe sikur t’i duhej ta rrihnin për hir të nderit dhe pasurive, do pranonte me kënaqësi të rrihej. Nga dera e tretë hyn ai që nuk i zë vendi vend dhe digjet flakë nga dëshira për nderime tokësore apo poste me të cilat të krenohet. Por kur dëshira i realizohet, nuk arrin të qëndrojë gjatë në atë pozicion dhe bie. E megjithatë, krenaria vazhdon të jetojë në botë!"

"Unë jam," tha Maria, "më e përvujtura. Jam ulur në një fron të madh. Mbi mua nuk ka as diell, as hënë, as yje, as re, por një qetësi papërshkrueshmërisht të shndritshme dhe të mrekullueshme që vjen nga bukuria vezulluese e madhërisë së Hyjit. Nën mua nuk ka as dhe as gurë, por prehje të pashoqe në mirësinë e Hyjit. Pranë meje nuk ka as pengesë as mur, por është ushtria e lavdishme e engjëjve dhe shpirtrave të shenjtë. Edhe pse jam ulur në një fron kaq të lartë, ende i dëgjoj miqtë e mi që jetojnë mbi tokë, që lëshojnë drejt meje çdo ditë psherëtima dhe lotë. I shoh tek përpiqen dhe përparojnë më tepër se ata që luftojnë për zonjën e tyre krenari.

Prandaj do të vij tek ta për t’i marrë me vete në fronin tim, sepse ai është i madh dhe ka vend për të gjithë. Por ata akoma nuk mund të vijnë të ulen me mua sepse ende na ndajnë dy mure përmes të cilëve do t’u prij deri tek froni im. Për shërbëtorët e mi në botë unë do të jem ngushëllim. Muri i dytë është vdekja. Prandaj unë, Zoja dhe nëna e tyre e shtrenjtë, do të shkoj t’i takoj në çastin e vdekjes që ata të qetësohen dhe ngushëllohen. Do t’i marr me vete në fronin e gëzimit hyjnor që, me gëzim të pakufi, të prehen përjetësisht në krahët e dashurisë së pafund dhe lavdisë së amshuar."