Fjalët e Zotit Tonë Jezu Krisht drejtuar nuses së tij rreth formimit në dashuri dhe në nder të tij, dhëndrit, rreth urrejtjes që të ligjtë kanë për Hyjin dhe rreth dashurisë për botën.
LIBRI 1 - KAPITULLI 3

Unë jam Hyji dhe Zoti yt, ai që ti adhuron. Jam Unë ai që i mban qiellin dhe tokën me fuqinë e vet. Asgjë tjetër nuk i mban ato e as kanë mbështetje të tjera. Jam Unë ai që ofrohet çdo ditë mbi altar, Hyj i vërtetë dhe njeri vërtetë, në pamje të bukës. Jam pikërisht Unë ai që të ka zgjedhur ty. Nderoje Atin tim! Duamë! Bindju Shpirtit tim! Nënshtroju Nënës timë si Zojës sate! Nderoji të gjithë shenjtërit e mi! Ruaje besimin e vërtetë që e mësove nga një që ka e përjetuar vetë konfliktin mes dy shpirtrave, shpirtit të gënjeshtrës dhe shpirtit të së vërtetës, dhe që me ndihmën time ka ngadhnjyer.

Ruaje përvujtërinë e vërtetë! Ç’është përvujtëria e vërtetë përveçse të lëvdosh Hyjin për gjërat e mira që të ka dhënë? E megjithatë sot ka shumë që më urrejnë dhe i konsiderojnë veprat dhe fjalët e mia të rënda dhe boshe. Ata e mirëpresin atë kurorëthyes, djallin, krahëhapur dhe e duan. Çfarëdo që bëjnë për mua e bëjnë duke u ankuar dhe pa dëshirë. Madje as do ta dëshmonin emrin tim nëse nuk do t’i trembeshin gjykimit të të tjerëve. Ata e duan kaq sinqerisht botën saqë kurrë nuk lodhen duke punuar për të ditë e natë, gjithmonë të flaktë në dashurinë për të. Shërbimi i tyre më pëlqen aq sa mund t’i pëlqejë dikujt t’i japë të holla armikut për t’i vrarë të birin. Këtë bëjnë ata. Më japin ca lëmosha dhe më nderojnë me buzë për të patur sukses në botë, për të ruajtur privilegjet dhe për të vazhduar të mëkatojnë. Në këtë mynyrë shpirti i mirë në ta has pengesa në rrugën drejt drejt virtytit.

Nëse do të më duash me gjithë zemër dhe nuk do të dëshirosh tjetër gjë veç meje, Unë do të tërheq me anë të dashurisë ashtu si një magnet e tërheq hekurin drejt vetes. Do të të mbështjell me krahun tim që është aq i fortë sa askush nuk mund ta drejtojë dhe aq i ngurtë sa askush nuk mund ta përkulë prapë pasi drejtohet. Është aq i ëmbël saqë ia kalon çdo arome dhe nuk mund të krahasohet me kënaqësitë e kësaj bote.

SQARIM
Ky ishte një njeri i shenjtë, mësues teologjie, i njohur si Mësues Matiasi i Suedisë, një kanonik i Linköpingut. Ai shkroi një koment të shkëlqyer rreth Biblës. Pësoi tundime tepër delikate nga djalli në lidhje me një një numër herezish kundër besimit katolik, tundime që i kapërceu të gjitha me ndihmën e Krishtit dhe djalli nuk e mposhti dot. Kjo gjë shpjegohet qartë në biografinë e Zonjës Brixhita. Qe Mësues Matia ai që hartoi Prologun e këtyre librave, prolog që fillon me fjalët Stupor et mirabilia, etj. Ai ishte njeri i shenjtë, shpirtërisht i fuqishëm me fjalë dhe vepra. Kur vdiq në Suedi, nusja e Krishtit, që atëherë jetonte në Romë, dëgjoi ndërsa lutej një zë që i thoshte në shpirt: "Lum ti, Mësuers Matias, për kurorën që të pret në qiell. Eja tani tek urtia që nuk mbaron kurrë!" Mund të lexoni për të edhe në Librin I kapitulli 52; Librin V, në përgjigje të pyetjes 3 në hetimin e fundit; dhe Librin VI kapitujt 75 dhe 89.