Fjalët e Zotit drejtuar nuses ku flitet për shtimin aq shumë të krishterëve të rremë saqë gati po e kryqëzojnë Krishtin përsëri dhe për gatishmërinë e Tij për të pranuar vdekjen edhe një herë, nëse kjo do të ishte e mundur, për hir të mëkatarëve.
Libri 1 - KAPITULLI 30

Unë jam Hyji. I krijova të gjitha gjërat për të mirën e njerëzimit, që t’i shërbejnë atij dhe ta mësojnë. Por fatkeqësisht njerëzit i keqpërdorin të gjitha gjërat që kam krijuar për të mirën e tyre. Ata kujdesen për Hyjin dhe e duan Atë më pak se gjërat e krijuara. Hebrenjtë përgatitën tre ndëshkime për Mua: së pari, shtyllën ku, pasi më fshikulluan dhe kurorëzuan me ferra, më varën; së dyti, hekurat me të cilat më gozhduan duart dhe këmbët; së treti, uthullën që më dhanë të pij. Përveç kësaj, blasfemuan kundër Meje duke më quajtur të marrë për shkak të vdekjes që e pranova lirisht dhe më quajtën gënjeshtar për shkak të mësimeve të mia.

Numri i njerëzve të tillë tani është rritur në botë dhe ka pak që më ngushëllojnë. Ata më varin në shtyllë me dëshirën që kanë për të mëkatuar; më fshikullojnë më padurimin e vet pasi askush nuk duron qoftë një fjalë të vetme për Mua; dhe ata më kryqëzojnë me gjembat e krenarisë së tyre që i bën të dëshirojnë të ngrihen më lart se Unë. Ata m’i gozhdojnë duart dhe këmbët me hekurin e zemërgurësisë së vet sepse krenohen në mëkat dhe janë aq të pandjeshëm sa nuk kanë fare frikë nga Unë. Më japin vuajtje në vend të uthullës. Më quajnë gënjeshtar dhe të marrë për shkak të Mundimeve të cilave iu nënshtrova me gëzim. Po të doja, kam forcë t’i zhduk ata dhe botën mbarë për mëkatet e tyre. Por nëse do i zhdukja, të mbijetuarit do të më shërbenin nga frika; kjo nuk është me vend, sepse njerëzit duhet të më shërbejnë nga dashuria. Nëse do vija vetë në mes tyre në formë të dukshme, sytë e tyre nuk do të ishin në gjendje të më shihnin, as veshët e tyre të më dëgjonin. Si mundet një qenie e vdekshmë të shohë një të pavdekshme? E megjithatë, nëse do ish e mundur, vërtet do të vdisja përsëri me kënaqësi për hir të njerëzimit.

Pastaj u shfaq e Bekuara Virgjëra Mari dhe Biri i tha: "Çfarë dëshiron, o Nëna ime, e zgjedhura ime?" Dhe ajo tha: "Ki mëshirë për krijesat e Tua, Biri im, për hatrin tim!" Ai u përgjigj: "Për hatrin tënd do të tregohem i mëshirshëm edhe një herë." Pastaj, Zoti i foli nuses së tij duke thënë: "Unë jam Hyji yt, Zoti i engjëjve. Unë jam Zotëri mbi jetën dhe vdekjen. Vetë Unë dua të banoj në zemrën tënde. Të dua kaq shumë! Qiejt dhe toka dhe gjithka në to nuk mund të më mbajnë dhe prapë se prapë Unë dua të banoj në zemrën tënde që nuk është tjetër veçse një copë mishi. Kë do të kesh frikë apo çfarë mund të të mungojë kur brenda teje ke Hyjin e gjithëpushtetshëm në të cilin gjendet çdo e mirë?

Tre gjëra duhet të ketë në një zemër që është banesa ime: një krevat ku mund të pushojmë së bashku, një stol ku të ulemi dhe një llampë që të na ndriçojë. Në zemrën tënde pra le të ketë një shtrat për çlodhje të paqtë ku mund të gjesh prehje nga mendimet e mbrapshta dhe dëshirat për botën. Mbaj gjithmonë parasysh gëzimin e përjetësisë! Stoli duhet të jetë vendosmëria jote për të qëndruar me Mua edhe pse ndonjëherë të duhet të dalësh. Është e panatyrshme të rrihet gjithmonë në këmbë. Rri gjithnjë në këmbë ai që dëshiron të rrijë gjithnjë me njerëzit e kurrë nuk ulet me Mua. Drita apo llampa duhet të jenë besimi me anë të të cilit beson se Unë jam i aftë të bëj çdo gjë dhe jam i plotëfuqishëm mbi gjithçka."