Për nusen që pa të ëmblën Virgjër Mari me një kurorë dhe zbukurime të tjera të çmueshme dhe për Shën Gjon Pagëzorin që i shpjegoi nuses kuptimin e kurorës dhe zbukurimeve.
Libri 1 - KAPITULLI 31

Nusja pa Mbretëreshën e Qiellit, Nënën e Hyjit, me një kurorë të çmueshme, me flokë mrekullisht të bukura që i derdheshin mbi shpinë, me tunikë të artë që vezullonte sa s’thuhet dhe mantel të kaltër. Nusja, krejtësisht e mrekulluar nga ky vegim, mbeti pa fjalë. Në atë çast iu shfaq i Bekuari Gjon Pagëzori dhe i tha: "Vëri mend mirë çfarë do të thotë gjithë kjo.

Kurora tregon se ajo është Mbretëresha, Zoja dhe Nëna e Mbretit të engjëjve. Flokët që i derdhen mbi shpinë tregojnë se është virgjër e pastër dhe e panjollë; manteli bojëqiell tregon që gjërat e përkohshme nuk kishin vlerë në sytë e saj. Tunika e artë tregon se ajo ishte e përkushtuar dhe e flaktë me shpirt e trup në dashurinë për Hyjin. Biri i saj i vuri shtatë zambakë në kurorë dhe në mes të zambakëve vendosi shtatë xhevahirë. Zambaku i parë është përvujtëria e saj; i dyti, frika; i treti, bindja; i katërti, durimi; i pesti, qëndrueshmëria; i gjashti, mirësia sepse me bujari i jep gjithkujt që kërkon; i shtati, mëshira sepse, çfarëdo nevoje të ketë dikush, nëse ai e thërret me gjithë zemër, do të shpëtohet.

Mes këtyre zambakëve Biri i saj vendosi shtatë xhevahirë. I pari është virtytshmëria e saj e jashtëzakonshme pasi virtytet e saj ia kalojnë çdo virtyti të njerëzve të tjerë. Xhevahiri i dytë është pastërtia e saj e përkryer pasi Mbretëresha e Qiellit ishte aq e pastër saqë as edhe një njollë e vetme nuk u gjet në të që kur lindi e derisa vdiq. As gjithë djajtë bashkë nuk mundën të gjenin në të qoftë edhe një grimcë papastërtie. Ajo ishte vërtet e pastër pasi nuk ishte me vend që Mbreti i lavdisë të rrinte përveçse në enën më të pastër dhe më të zgjedhur mes engjëve dhe njerëzve. Xhevahiri i tretë ish bukuria e saj pasi Hyji lëvdohet papushim nga shenjtërit për bukurinë e Nënës së Tij.

Bukuria e saj e bën të plotë gëzimin e engjëjve dhe të gjithë shpirtrave të shenjtë. Xhevahiri i katërt është urtia e Nënës Virgjër, pasi ajo ish plot me urti hyjnore dhe nëpërmjet saj gjithë urtia plotësohet dhe përkryhet. Xhevahiri i pestë është pushteti pasi ajo është aq e pushtetshme para Hyjit saqë mund të mposhtë çdo gjë të krijuar. Xhevahiri i gjashtë është qartësia e saj vezulluese, pasi ajo shndrrit aq qartë saqë derdh dritë mbi engjëjt, sytë i shkëlqejnë më qartë se drita dhe djajtë nuk guxojnë ta shohin qartësinë vezulluese të saj.

Xhevahiri i shtatë është plotësia e çdo gëzimi dhe ëmbëlsie shpirtërore sepse nuk ka gëzim që nuk shtohet prej saj, nuk ka ngazëllim që nuk bëhet më i plotë dhe më i përsosur prej saj, pasi ajo është e mbushur plot e përplot me hir më shumë se gjithë shenjtërit. Ajo është ena e pastër ku mbahet buka e engjëjve dhe ku gjendet gjithë ëmbëlsia dhe bukuria. Biri i saj ia vuri këta shtatë xhevahirë midis shtatë zambakëve në kurorë. Prandaj, nusja e Birit të saj, nderoje dhe lëvdoje atë me gjithë zemër sepse ajo është me të vërtetë e denjë për çdo lavd dhe nder!"