Pas paralajmërimit të Hyjit, nusja zgjodhi për vete varfërinë, duke hequr dorë nga pasuritë dhe dëshirat trupore. Rreth së vërtetës mbi gjërat që iu rrëfyen dhe rreth tre gjërave të mrekullueshme që i tregoi Krishti.
Libri 1 - KAPITULLI 32

Ti duhet të jesh si një person që lë dhe si një person që mbledh. Duhet të heqesh dorë nga pasuritë dhe të mbledhësh virtyte, të heqësh dorë nga gjërat kalimtare dhe të mbledhësh gjëra të përjetshme, të heqësh dorë nga gjërat e dukshme dhe të mbledhësh të padukshme. Në vend të kënaqësive trupore do të të jap ngazëllimin e shpirtit; në vend të argëtimeve të botës do të të jap gëzimin e qiellit; në vend të ndereve të botës do të të jap nderimin e engjëjve; në vend të pranisë së familjes, praninë e Hyjit; në vend të zotërimit të të mirave tokësore do të të jap Vetveten, dhuruesin dhe Krijuesin e gjithçkaje.

Përgjigju tre pyetjeve që do të të bëj. E para, nëse dëshiron të jesh e pasur në këtë botë apo e varfër. Ajo u përgjigj: "Zot, do doja më mirë të isha e varfër, pasi pasuritë nuk më bëjnë ndonjë të mirë përveçse më japin ankth dhe më shpërqëndrojnë nga Ty." "Tregomë, e dyta, nëse në fjalët që ke dëgjuar nga goja Ime ke gjetur ndonjë gjë të qortueshme apo të rreme?" Dhe ajo tha: "Absolutisht jo, gjithçka është e arësyeshme." "E treta, tregomë cila kënaqësi është më e madhe, sensualja që ke provuar dikur apo shpirtërorja që provon tani?" Dhe ajo u përgjigj: "Më vjen turp nga vetja kur kujtoj gëzimin e dikurshëm që tani më duket i hidhur farmak; sa e më flaktë ka qenë dëshira ime për të, aq më i hidhur më duket tani. Jam gati të vdes sesa t’i kthehem përsëri asaj kënaqësie; nuk ka krahasim me kënaqësinë shpirtërore."

"Pra," tha Ai, "po e sheh vetë se gjithçka të kam treguar është e vërtetë. Atëherë pse trembesh dhe shqetësohesh që po vonojnë të realizohen gjërat që të kam thënë se do të ndodhnin? Sill ndërmend profetët, sill ndërmend apostujt dhe doktorët e shenjtë të Kishës! A gjetën gjë tjetër në Mua përveç të vërtetës? Kjo është arësyeja pse ata nuk merakoseshin për botën e as nuk e dëshironin atë. Vallë përse profetët parathanë ngjarje të ardhshme shumë përpara se të ndodhnin, përveçse ngaqë Hyji donte që më parë të shpalleshin fjalët e pastaj të ndodhnin ngjarjet në mënyrë që të paditurit të mësonin të besonin? Të gjitha misteret e mishërimit Tim iu bënë të ditura profetëve, madje edhe ylli që u printe mbretërve të urtë.

Ata i besuan fjalëve të profetit, kështu që merituan të shihnin çka besuan dhe fituan siguri kur panë yllin. Në po atë mënyrë tani fjalët e Mia duhet që fillimisht të shpallen dhe, më vonë, kur të ndodhin ngjarjet, do të besohen. Tre gjëra të kam treguar. E para, ndërgjegjen e një njeriu mëkatin e të cilit e bëra të qartë dhe e provova me shenja të qarta. Për ç’arësye? Vallë nuk mund ta shkatërroja? Vallë nuk mund ta plandosja në humerë në çast, nëse do të doja? Natyrisht që mundesha. Por e duroj ende që t’u jap mësim të tjerëve dhe për të treguar se sa i drejtë dhe i durueshëm jam dhe sa i mjerë është ky njeri që e sundon djalli. Pushteti i djallit mbi të është shtuar për shkak të synimit të tij për të qëndruar në mëkat dhe prej gëzimit që provon në mëkat, aq sa as fjalët e buta as kërcënimet serioze, pra as frika nga ferri, nuk e sjellin në vete. Dhe me plot të drejtë sepse, duke qenë se ështe i palëkundër në synimin për të mëkatuar, edhe nëse nuk mëkaton, meriton t’i dorëzohet djallit përjetësisht. Edhe mëkati më i vogël mjafton për të mallkuar këdo që gjen kënaqësi në të dhe nuk pendohet.

Të tregova dy të tjerë. Djalli mundonte trupin e njërit prej tyre, por nuk arriti të hyjë në shpirtin e tij; i pështjelloi ndërgjegjen tjetrit me intrigat e veta dhe prapë se prapë nuk hyri dot në shpirtin e tij. Por ti mund të pyesësh: 'A nuk janë ndërgjegja dhe shpirti e njëjta gjë? Vallë djalli nuk gjendet edhe në shpirt kur është në ndërgjegje?' Sigurisht që jo. Trupi ka dy sy për të parë por, edhe nëse ata e humbin aftësinë e të parit, trupi mund të vazhdojë të gëzojë shëndet. Edhe pse ndonjëherë intelekti dhe ndërgjegja pështjellohen për dënim, prapë se prapë shpirti jo gjithnjë dëmtohet deri në atë masë që përbën faj. Kështu pra djalli triumfoi mbi ndërgjegjen e njërit, por jo mbi shpirtin e tij.

Do të të tregoj një të tretë trupi dhe shpirti i të cilit janë krejtësisht nën pushtetin e djallit. Nëse nuk detyrohet nga pushteti Im dhe një hir i posaçëm nga Unë, ai kurrë nuk do të dalë prej tij. Djalli del prej disave me kënaqësi dhe shpejt, por prej disa të tjerëve vetem me pahir, i detyruar. Sepse ndërsa tek disa djalli hyn për shkak të mëkatit të prindërve ose për shkak të ndonjë gjykimi të fshehtë të Hyjit, si për shembull tek fëmijët apo tek personat me të meta mendore, tek të tjerët hyn prej mosbesnikërisë së tyre apo për ndonjë mëkat tjetër. Djalli del prej këtyre të fundit me kënaqësi nëse dëbohet nga persona që dinë ta urdhërojnë apo e njohin artin e dëbimit të djajve dhe nëse nuk e bëjnë këtë për krenari apo për ndonjë fitim të përkohshëm, pasi djalli ka aftësi të hyjë tek ai që e dëbon apo të kthehet tek personi nga po e përzënë kur në ta mungon dashuria për Hyjin. Ai kurrë nuk del nga trupi dhe shpirti i atyre që i zotëron tërësisht përveçse kur e detyroj Unë.

Ashtu sikurse uthulla nëse përzihet me verë të ëmbël, e prish ëmbëlsinë e verës dhe kurrë nuk mund të veçohet prej saj, po ashtu djalli nuk del nga shpirti i atij që zotëron përveçse nëpërmjet pushtetit Tim. Ç’është kjo verë në mos shpirti njerëzor që ishte më i ëmbël për Mua se çdo krijesë tjetër dhe aq i dashur për Mua saqë lejova të më godisnin dhe plagosnin për hir të tij? Pranova vdekjen që të mos e humbisja. Kjo verë u ruajt në fuçi pasi Unë e vendosa shpirtin në trup ku të mbahej për kënaqësinë Time si në një enë të vulosur. Por uthulla më e keqe u përzie me këtë verë të ëmbël – e kam fjalën për djallin ligësia e të cilit është më e thartë dhe e neveritshme për Mua se çdo uthull. Me pushtetin Tim kjo uthull do të nxirret prej personit emrin e të cilit do të ta tregoj, që Unë të të shfaq mëshirën dhe urtinë Time me anë të tij si dhe gjykimin dhe drejtësinë Time me personin tjetër.

SQARIM
I pari ishte një fisnik që këndonte në korin e kishës, njeri krenar i cili shkoi në Jeruzalem pa lejen e Papës dhe u pushtua nga djalli. Rreth këtij të djallosuri flitet diçka në librin III kapitulli 31 dhe në librin IV kapitulli 115. I djallosuri i dytë në të njëjtin kapitull është një murg çisternçez. Djalli e mundonte aq shumë saqë katër vetë mezi e mbanin palëvizur. Kur nxirrte guhën i zgjatej si gjuhë kau. Prangat në duar i copëtoheshin në mënyrë të padukshme.

Ky njeri u shpëtua nga fjalët e Shpirtit të Shenjtë nëpërmjet Zonjës Brixhidë pas një muaji dhe dy ditësh. I djallosuri i tretë ishte një administrator nga Ostergotlandi. Kur u paralajmërua të bënte pendesë, ai i tha atij që e paralajmëroi: "Vallë nuk mundet i zoti i shtëpisë të rrijë ku t’i pëlqejë? Djalli zotëron zemrën dhe gjuhën time. Si mund të bëj pendesë?" Duke mallkuar shenjtërit e Hyjit ai vdiq po atë natë pa sakramente apo rrëfim.