Mësimet që Zoti i jep nuses në lidhje me urtinë e vërtetë dhe të rreme dhe rreth engjëjve të mire që ndihmojnë të diturit e mirë dhe djallit që ndihmon të diturit e këqinj.
Libri 1 - KAPITULLI 33

Disa prej miqve të Mi janë si studjues me tre tipare: e para, kanë inteligjencë mbi normalen; e dyta, urti pa ndihmë njerëzore sepse Unë vetë i mësoj në zemër; e treta, janë plot ëmbëlsi dhe dashuri hyjnore me të cilat e mposhtin djallin. Por në ditët e sotme, njerëzit i futen studimeve për arësye të tjera. E para, kërkojnë të bëhen të ditur në mënyrë që t’i mbajnë për studjues të shquar. E dyta, kërkojnë të bëhen të ditur në mënyrë që të pasurohen. E treta kërkojnë të bëhen të ditur për të fituar ndere dhe privilegje.

Prandaj, kur të hynë në shkolla për të studiuar, Unë do t’i braktis sepse studiojnë nga krenaria, kurse Unë u mësova përvujtërinë. Studiojnë nga lakmia, kurse Unë nuk kisha ku të vija kokën. Studiojnë për të fituar privilegje, ngaqë nuk durojnë të kenë dikë mbi vete, kurse Unë u gjykova nga Pilati dhe u vura në lojë nga Herodi. Prandaj do t’i braktis sepse nuk studiojnë mësimet e Mia. Megjithatë, duke qenë se jam i mirë dhe njerëzishëm, i jap gjithkujt çfarë kërkon.

Ai që kërkon bukë, do t’i jepet, por ai që kërkon kashtë do t’i jepet kashtë. Miqtë e mi kërkojnë bukë sepse kërkojnë dhe studiojnë urtinë hyjnore ku mund të gjendet dashuria Ime. Por të tjerët kërkojnë kashtë, domethënë urti të kësaj bote. Ashtu sikurse kashta është e padobishme dhe ushqim për kafshë pa arësye, po ashtu nuk ka dobi urtia e botës që ata kërkojnë e as nuk është ushqim për shpirtin. Nuk sjell asgjë përveçse një reputacioni të vockël dhe rraskapitjeje të pakuptimtë, pasi kur njeriu vdes, gjithë urtia e tij merr fund dhe ata që e lëvdonin nuk mund ta shohin më.

Unë jam si një zotëri i madh me shumë shërbëtorë të cilët, në emër të zotërisë së tyre, u shpërndajnë njerëzve sipas nevojave. Engjëjt e mirë dhe engjëjt e këqinj janë nën urdhrat e Mia. Engjëjt e mirë kujdesen për ata që studiojnë urtinë Time, domethënë për ata që më shërbejnë, duke i ushqyer me ngushëllim dhe punë që sjell gëzim. Engjëjt e këqinj kujdesen për të urtët e kësaj bote. I frymëzojnë për çfarë duan dhe i formojnë sipas dëshirës, duke i frymëzuar të spekullojnë dhe t’i futen një mali me punë. Por nëse ata do t’i kthenin sytë nga Unë, do të mund t’u jepja bukë për të cilën nuk duhet të punojnë si dhe gjëra të kësaj bote. Por ata kurrë nuk ngopen me botën e kështu i bëjnë keq vetes dhe jo mirë.

Por ti, nusja ime, duhet të jesh si djath dhe trupi yt si forma ku djathi qëndron derisa merr formë. Në këtë mënyrë shpirti yt, që më pëlqen dhe shijojn si djath, duhet provuar dhe pastruar në trup aq gjatë sa nevojitet që trupi dhe shpirti të merren vesh dhe t’i nënshtrohen së njëjtës formë vetëpërmbajtjeje në mënyrë që mishi t’i bindet shpirtit dhe shpirti t’i prijë mishit drejt çdo virtyti.