Krishti këshillon nusen se si duhet të jetojë. Djalli pranon para Krishtit se nusja e do Krishtin mbi gjithcka dhe pyet Krishtin pse e do aq shumë nusen. Djalli pohon dashurinë që Krishti ka për nusen.
Libri 1 - KAPITULLI 34

Unë jam Krijuesi i qiellit dhe tokës e që ish Hyj i vërtetë dhe njeri i vërtetë në krahërorin e Virgjërës, që vdiq, u ngjall dhe u ngjit në qiell. Ti, nusja ime e re, ke ardhur në një vend të panjohur. Prandaj duhet të mësosh katër gjëra: së pari, gjuhën e vendit; së dyti, si të vishesh siç duhet; së treti, si t’i organizosh ditët dhe kohën sipas vendit; së katërti, të mësohesh me lloje të reja ushqimesh. Meqenëse ke kaluar nga paqëndrueshmëria e botës në qëndrueshmëri, duhet të mësosh një gjuhë të re, domethënë se si të heqësh dorë nga fjalët e kota, madje edhe nga fjalët e ligjshme sepse heshtja dhe paqja janë shumë të rëndësishme.

Duhet të vishesh me thjeshtësi dhe mos të të rritet mendja sikur je më e shenjtë se të tjerët, as të mos të të vijë turp të sillesh me përvujtëri para njerëzve. E treta, kohën duhet ta organizosh në mënyrë të tillë që ashtu siç gjeje shpesh kohë për nevojat e trupit, po ashtu tani t’ia kushtosh kohën vetëm shpirtit dhe të mos dëshirosh kurrë të mëkatosh kundër Meje. E katërta, ushqimi yt i ri është heqja dorë nga ushqimet e zgjedhura dhe rehatirat, por me masë, aq sa mund të përballojë konstrukti yt. Ekseset nuk më pëlqejnë, sepse dua racionalitet dhe synimi është që t’u vihet fre orekseve.

Taman në atë çast u shfaq djalli. Zoti i tha: "Ti je krijuar nga Unë dhe e njeh drejtësinë Time. Tregomë nëse kjo nuse e re më përket me të drejtë! Të jap leje ta shikosh dhe kuptosh zemrën e saj që të dish si të më përgjigjesh. A do ajo tjetër gjë sa më do Mua? A do të më ndërronte me tjetër gjë? " Djalli u përgjigj: "Ajo nuk do tjetër gjë sa Ty. Nëse do t’i jepje virtytin e durimit, ajo do ishte gati të duronte çdo vuajtje që të mos të të humbiste. Shoh një lloj lidhëse të zjarrtë që zbret prej Teje tek ajo dhe që e lidh zemrën e saj aq fort me Ty saqë ajo nuk mendon e do tjetër veç Teje."

Pastaj Zoti i tha djallit: "Tregomë ç’ndjen ti në zemër dhe si të duket kjo dashuri e madhe që kam për të." Djalli u përgjigj dhe tha: "Unë kam dy sy, njërin trupor, edhe pse nuk kam trup, me anë të të cilit i perceptoj aq qartë gjërat e përkohshme saqë nuk ka asgjë të fshehtë apo t’errët që më shpëton pa e parë . Syrin e dytë e kam shpirtëror dhe me të shoh çdo dhimbje sado e vogël qoftë dhe mund ta kuptoj se me cilin mëkat ka lidhje. Nuk ka mëkat sado i vogë qoftë që më shpëton pa e parë nëse nuk është fshirë nga pendesa. Megjithatë, edhe pse nuk ka organe aq të ndjeshëm sa sytë, prarë se prapë do të isha gati që dy pishtarë të ndezur të më depërtonin parreshtur në sy mjaft që ajo të mos shikonte me sytë e shpirtit.

Kam gjithashtu dy veshë. Njëri prej tyre është trupor dhe s’ka asnjë që të flasë aq fshehurazi sa unë mos ta dëgjoj dhe marr vesh. I dyti është vesh shpirtëror dhe s’ka asnjë që të mendojë apo dëshirojë të bëjë mëkat, sado fshehurazi, që unë të mos e dëgjoj me këtë vesh nëse mëkati nuk është fshirë nga pendesa. Ekziston një lloj ndëshkimi në ferr që i përngjan një përroi gurgullues që buron nga një zjarr tmerrësisht i nxehtë. Do isha gati të duroja që ai të më hynte e dilte nga veshët papushim mjaft që ajo të mos dëgjonte me veshët e shpirtit. Kam edhe një zemër shpirtërore. Do pranoja të ma bënin copë e thërrime papushim mjaft që që dashuria e saj për Ty të zbehej. Por meqë po më drejtohesh direkt, lejomë të të bëj një pyetje: Thuamë, pse e do kaq shumë atë dhe pse nuk zgjodhe një person më të shenjtë, më të pasur dhe më të bukur për vete? " Hyji u përgjigj: "Sepse kështu e lypte drejtësia. Ti u krijove në Mua dhe vështrove gjithë drejtësinë në Mua.

Thuamë, ndërsa ajo po dëgjon, përse qe e drejtë që ti të bije aq poshtë dhe ç’po mendoje kur re!" Djalli u përgjigj: "Pashë tre gjëra në Ty: Pashë lavdinë dhe nderin Tënd mbi gjithcka dhe mendova për lavdinë time. Kështu që në krenarinë time vendosa që jo thjesht të isha i barabartë me Ty por edhe të ta kaloja. E dyta, pashë që Ti ishe më i fuqishmi nga të gjithë. Prandaj dëshirova të isha më i fuqishëm se Ty. E treta, pashë ç’do të ndodhte në të ardhmen dhe duke qenë se lavdia dhe nderi yt ishin pa fillim dhe do të ishin edhe pa fund, të pata zili dhe mendova se kisha pranuar të më torturonin përgjithmonë me çdo lloj ndëshkimi mjaft që Ti të vdisje. Me mendime të tilla rashë. Dhe kështu u krijua ferri."

Zoti u përgjigj: "Ti më pyeye përse e dua kaq shumë këtë grua. Nuk ka dyshim se Unë e kthej për mirë çdo ligësi tënden. Meqenëse ti u krenove dhe nuk deshe të më kesh Mua, Krijuesin tënd, si të barabartë, Unë duke e përulur veten në çdo mënyrë i mbledh mëkatarët rreth Meje dhe e bashkëndaj lavdinë Time me ta. E dyta, duke qenë se pate një dëshirë aq të ulët sa deshe të ishe më i fuqishëm se Unë, i bëra mëkatarët më të fuqishëm se Ty dhe pjesëmarrës në fuqinë Time. E treta, për shkak të zilisë tënde ndaj Meje, Unë kam aq shumë dashuri saqë e dhashë Vetveten për çdo njeri.” Pastaj Zoti tha:

"Tani, o djall, zemërligësia jote doli sheshit. Tregomë, ndërsa ajo dëgjon, se sa e dua." Dhe djalli tha: "Nëse do të ishte e mundur, do të ishe gati të vuaje në çdo gjymtyrë po atë dhimbje që vuajte dikur në kryq në të gjitha gjymtyrët bashkë, mjaft që të mos e humbasësh." Pastaj Zoti u përgjigj: "Nëse atëherë jam kaq i mëshirshëm sa fal këdo që kërkon falje, kërkomë përulësisht mëshirë dhe do të të mëshiroj." Djalli iu përgjigj: "Këtë nuk do ta bëj kurrën e kurrës! Atëherë kur rashë u caktua një ndëshkim për çdo mëkat, për çdo mendim apo fjalë të pavlerë. Çdo shpirt që bie do t’u në nështrohet këtyre ndë shkimeve.

Jam gati më mirë të gëlltis papushim ndëshkime aq sa më zë goja sesa të përulem para Teje." Pastaj Zoti i tha nuses së Tij: "Shih sa zemërgur është princi i kësaj bote dhe se sa pushtet ka si rezultat i gjykimeve të Mia të fshehta! Natyrisht që mund ta shkatërroja në çast me fuqinë Time, por i bëj keq aq sa ç’mund t’i bëj keq një engjëlli të mirë në qiell. Kur të vijë koha e tij, dhe tani po afrohet, do ta gjykoj atë dhe pasuesit e tij. Pra ti, nusja ime, qëndro në veprat e mira! Mos ki frikë nga tjetër përvec Meje! Sepse Unë jam Zot mbi djallin dhe mbi gjithcka."