Fjalët e Virgjërës drejtuar nuses ku tregohet për trishtimin që i shkaktuan asaj Mundimet e Krishtit, për Adamin dhe Evën që e shitën botën dhe për Krishtin dhe Nënën e tij Virgjër që e riblenë atë.
Libri 1 - KAPITULLI 35

Maria foli: "Sill ndërmend, bijë, Mundimet e tim Biri. Më dukej sikur gjymtyrët e Tij të ishin gjymtyrët dhe zemra ime. Ashtu si fëmijët e tjerë normalisht rrinë në krahërorin e nënës së tyre, ashtu ndenji Ai në mua. Veçse Ai u ngjiz nga mirësia e flaktë e dashurisë së Hyjit, kurse të tjerët ngjizen nga lakmia trupore. Prandaj kushëriri i Tij Gjoni thotë me të drejtë: 'Fjala u bë njeri.' Ai erdhi dhe qëndroi brenda meje me anë të dashurisë. Fjala dhe dashuria e mishëruan tek unë. Për mua Ai ish si zemra ime. Për këtë arësye, kur e linda, m’u duk sikur gjysma e zemrës po dilte prej meje. Kur po vuante, më dukej sikur vuante zemra ime. Kur diçka është gjysëm jashtë e gjysëm brenda dhe pjesa e jashtme lëndohet, pjesa brenda ndjen të njëjtën dhimbje. Prandaj kur tim Bir e fshikulluan dhe plagosën, ndjeja sikur fshikullonin dhe plagosnin zemrën time.

Unë isha personi që i qëndrova më pranë gjatë Mundimeve dhe kurrë nuk u ndava prej Tij. Qëndroja afër kryqit dhe njëlloj si çka është më pranë zemrës dhemb më shumë, po ashtu dhimbja e tij ishte më therëse për mua se për të tjerët. Kur më hodhi sytë nga kryqi dhe unë e vështrova, lotët më rrodhën nga sytë si gjaku nga dejet. Kur më pa të pushtuar nga dhimbja, u prek aq shumë saqë dhimbja e plagëve të Veta iu fashit para dhimbjes sime. Pra mund të them me gojën plot se dhimbja e Tij ishte dhimbja ime dhe zemra e Tij zemra ime. Ashtu sikurse Adami dhe Eva e shitën botën për një mollë të vetme, ti mund të thuash se Biri im dhe unë e riblemë botën me një zemër të vetme. Pra, bija ime, sill ndërmend dhimbjen time në vdekjen e tim Bir dhe nuk do ta kesh të vështirë të heqësh dorë nga bota."