Përgjigja që Zoti i dha një engjëlli që po lutej që nuses t’i jepeshin vuajtje në trup dhe në shpirt; shpirtrat e përsosur vuajnë më shumë.
Libri 1 - KAPITULLI 36

Zoti i tha një engjëlli që po lutej për nusen e Zotit: "Ti je si një ushtar i Tënzot që kurrë nuk e heq helmetën prej lodhjes dhe kurrë nuk i largon sytë nga beteja prej frikës. Ti je i patundshëm si mal, ti digjesh si flakë. Je aq i pastër saqë nuk ka njollë në ty. Ti më lutesh që të kem mëshirë për nusen Time. Edhe pse ti di dhe sheh gjithçka në Mua, thuamë, ndërsa ajo po dëgjon, ç’mëshire kërkon për të. Sepse mëshira është e trefishtë.

Ka mëshirë me të cilën ndëshkohet trupi dhe shpëtohet shpirti, si në rastin e shërbëtorit Tim Jobit që në trup provoi çdo lloj dhimbjeje, por shpirti i shpëtoi. Lloji i dytë i mëshirës është ajo me të cilën trupi dhe shpirti shpëtohen nga ndëshkimi, si në rastin e mbretit që jetonte zhytur në gjithfarë epshesh dhe dhe nuk provoi dhimbje as në trup as në shpirt deri sa ish në botë. Lloji i tretë i mëshirës është ajo me të cilën trupi dhe shpirti ndëshkohen dhe, për pasojë, trupi dhemb dhe zemra pikëllohet, si në rastin e Pjetrit, Palit dhe shenjtërve të tjerë.

Ka tre gjendje për njerëzit në botë. Gjendja e parë është ajo e atyre që bien në mëkat dhe ngrihen përsëri. Ka raste kur Unë lejoj që këta të përjetojnë vuajtje në trup në mënyrë që të mund të shpëtohen. Gjendja e dytë është e atyre që do donin të jetonin përgjithmonë për të mëkatuar gjithnjë. Gjithë dëshira e tyre është e drejtuar nga bota. Nëse herë pas here bëjnë diçka për Mua, e bëjnë me shpresën e begatimit të interesave të tyre të përkohshme. As ndëshkim trupor as shumë dhimbje e brendshme nuk u jepet këtyre njerëzve.

Përkundrazi, ata lejohen t’i plotësojnë dëshirat e tyre sepse do e marrin shpërblimin këtu poshtë deri edhe për gjënë më të vogël që do të kenë bërë për Mua; ndërsa në jetën tjetër i pret ndëshkimi i pafund, duke qenë se dëshirojnë gjithnjë të mëkatojnë. Gjendja e tretë është e atyre që më tepër druhen se mos mëkatojnë kundër Meje dhe fyejnë vullnetin Tim sesa i druhen çdo lloj ndëshkimi. Do ishin gati të duronin përjetësisht tortura të padurueshme sesa ta ndiznin zemërimin Tim me dashje. Tundimi i trupit dhe zemrës u jepet këtyre, si në rastin e Pjetrit, Palit dhe shenjtërve të tjerë, në mënyrë që ata të mund t’i shlyejnë në këtë botë fajet e veta; ndëshkohen ose për një farë kohe, ose për hir të një lavdie më të madhe, apo për t’u bërë shembull për të tjerët. E kam shfaqur këtë mëshirë të trefishtë ndaj tre personave në këtë mbretëri dhe ti i di emrat e tyre.

Tani pra, engjëlli dhe shërbëtori Im, ç’lloj mëshire kërkon për nusen Time?" Dhe ai tha: "Mëshirë për shpirtin dhe trupin, që ajo të mund t’i shlyejë në këtë botë fajet e veta e asnjë mëkat i saji të mos vijë në gjykimin Tënd." Zoti u përgjigj: "U bëftë ashtu siç dëshiron!" Pastaj Ai iu drejtua nuses: "Ti je e Imja dhe Unë do të bëj me Ty ç’më pëlqen. Mos duaj askënd sa më do Mua! Pastroju parreshtur nga mëkati, në çdo kohë, sipas këshillës së atyre tek të cilët të kam besuar. Mos fshih asnjë mëkat! Mos lër asgjë pa shqyrtuar! Asnjë mëkat mos e mbaj për të lehtë dhe të papërfillshëm! Gjithçka që shpërfill do të ta kujtoj dhe gjykoj Unë. Asnjë mëkat i yti nuk do të gjykohet prej Meje nëse do të jetë shlyer në këtë jetë me pendesë. Mëkatet për të cilat nuk është bërë pendesë do të pastrohen ose në Purgator ose nëpërmjet ndonjë gjykimi Tim të fshehtë, nëse nuk janë shlyer këtu në tokë."