Fjalët e Nënës drejtuar nuses ku përshkruhet madhështia e Birit të saj dhe se si Krishti tani po kryqëzohet më egërsisht nga armiqtë e tij, të Krishterët e këqinj, sesa nga Hebrenjtë dhe se si, për pasojë, këta njerëz do të ndëshkohen më rreptë.
Libri 1 - KAPITULLI 37

Nëna tha: "Im Bir kish tre të mira. E para ishte që askush nuk ka trup më të mirë se të Tijin, pasi Ai kish dy natyra të përsosura, hyjnoren dhe njerëzoren; dhe ish aq i patëmetë sa ashtu sikur nuk mund të gjendet njollë në syrin më të shëndetshëm, po ashtu as edhe një difekt i vetëm nuk gjendej në trupin e Tij. E mira e dytë ishte që Ai kurrë nuk mëkatoi. Ka raste kur fëmijët mbartin mëkatet e prindërve bashkë me të vetat. Ky fëmijë kurrë nuk mëkatoi e megjithatë mbarti mëkatet e të gjithëve. E mira e tretë ishte që ndërsa disa vdesin nga dashuria për Hyjin dhe shpërblimin e tyre më të madh, Ai vdiq nga dashuria për armiqtë njëlloj siç vdiq për mua dhe miqtë e Tij.

Kur armiqtë e kryqëzuan, i bënë katër gjëra. E para, e kurorëzuan me ferra; e dyta, i gozhduan duart dhe këmbët; e treta, i dhanë të pijë uthull; e katërta, i shpuan brinjën. Trishtohem sepse armiqtë që Ai tani ka në botë e kryqëzojnë më egërsisht seç e kryqëzuan Hebrenjtë. Edhe pse ti mund të thuash se Ai tani nuk mund të vuajë dhe vdesë, prapë se prapë ata e kryqëzojnë me mëkatet e tyre. Dikush mund të fyejë dhe dëmtojë një imazh të armikut të vet dhe, edhe pse imazhi nuk e ndjen dëmin që i bëhet, autori duhet paditur dhe ndëshkuar për synimin keqdashës. Po ashtu veset me të cilat kryqëzojnë tim Bir janë, nga ana shpirtërore, më të neveritshme për Të dhe më serioze se veset e atyre që e kryqëzuan fizikisht.

Por ndoshta ti pyet: 'Si e kryqëzojnë?' Ja, fillimisht e vënë në kryqin që kanë përgatitur për Të. Kjo ndodh kur ata nuk i përfillin normat e Krijuesit dhe Zotit të tyre. Pastaj e çnderojnë kur Ai i paralajmëron me anë të shërbëtorëve të Tij që t’i shërbejnë po ata nuk ua vënë veshin dhe bëjnë si t’u teket. Ia gozhdojnë dorën e djathtë duke e mbajtur drejtësinë për padrejtësi, kur thonë: 'Mëkati nuk është aq i rëndë dhe i neveritshëm për Hyjin, pasi thuhet që Hyji nuk ndëshkon askënd përgjithmonë, por kërcënimet e Tij janë vetëm sa për të na trembur. Pse do të na kish shëlbuar nëse do që ne të humbasim?' Ata nuk reflektojnë që edhe për mëkatin më të vogël në të cilin njeriu gjen gëzim, ai meriton dënim të përjetshëm. Duke qenë se Hyji nuk lë pa ndëshkuar as edhe më të voglin mëkat dhe pa shpërblyer as edhe të mirën më të vogël, ata do të marrin ndëshkim të përjetshëm pasi dëshirojnë palëkundshmërisht të mëkatojnë dhe Biri im, që i sheh zemrat e tyre, e llogarit dëshirën si vepër. Pasi ata do ta realizonin dëshirën nëse im Bir do t’ua lejonte.

Ia gozhdojnë dorën e majtë kur e kthejnë virtytin në ves. Duan të vazhdojnë të mëkatojnë deri në fund, duke thënë: 'Nëse në fund themi, qoftë edhe një herë të vetme, "Hyj, ki mëshirë për mua!", mëshira e Hyjit është aq e madhe sa Ai do të na falë.' Nuk është virtyt të duash të mëkatosh pa e shlyer mëkatin, të duash ta marrësh shpërblimin pa u përpjekur për të, përveçse kur ka një farë pendese në zemër, përveçse kur dikush me të vërtetë dëshiron të bëjë kthesë nëse do mundej po të mos e pengonte sëmundja apo diçka tjetër. Ia gozhdojnë këmbët kur gjejnë kënaqësi në mëkat, pa menduar as edhe një herë të vetme për vuajtjet e tim Biri apo pa e falenderuar një herë të vetme nga thellësia e zemrës duke i thënë: 'Hyj, sa shumë ke vuajtur! Lëvduar qofsh për vdekjen Tënde!' Fjalë të tilla kurrë nuk dalin nga buzët e tyre.

E kurorëzojnë me kurorë talljesh kur vënë në lojë shërbëtorët e Tij dhe e quajnë të pakuptimtë t’i shërbejnë Atij. I japin të pijë uthull kur galdojnë dhe krenohen në mëkat. Mendimi se sa serioz është mëkati, kurrë nuk u shkon ndërmend. Ia shpojnë zemrën kur dëshirojnë të qëndrojnë në mëkat. Me të vërtetë po të them, dhe këtë mund t’ua thuash miqve të Mi, se në sytë e tim Biri njerëz të tillë janë më të padrejtë se ata që e dënuan, më të këqinj se armiqtë që e kryqëzuan, më të pafytyrë se ata që e shitën.

Kanë hak një ndëshkim më të madh se të tjerët. Pilati e dinte fort mirë se im Bir nuk kish mëkatuar dhe nuk meritonte të vdiste. Megjithatë, duke qenë se i druhej humbjes së pushtetit të përkohshëm dhe revoltës së hebrenjve, ai, me ngurim, e dënoi tim Bir me vdekje. Nga se duhej të trembeshin këta njerëz nëse do t’i shërbenin Atij? Apo çfarë nderi dhe privilegji do të humbisnin nëse do ta nderonin? Për këtë do të marrin një ndëshkim më të rëndë, duke qenë se janë më të këqinj se Pilati në sytë e tim Biri. Pilati e dënoi nga frika, sipas kërkesës dhe dëshirës së të tjerëve. Kurse këta e dënojnë për interes të tyre dhe pa asnjë frikë, duke e çnderuar me mëkate që po të duan mund t’i shmangin. Por ata as i shmangen mëkateve e as u vjen turp për mëkatet e kryera, sepse nuk u shkon ndërmend se nuk e meritojnë mirësinë e Atij të cilit nuk i shërbejnë. Janë më keq se Juda, pasi Juda, pasi e trathtoi Hyjin, e pranoi që Ai ishte Hyji dhe se ai vetë kish mëkatuar rëndë kundër Tij. Por u dëshpërua dhe e i dha fund ditëve të veta duke përfunduar në ferr sepse mendoi se nuk ishte i denjë të jetonte.

Këta njerëz e pranojnë se mëkatojnë dhe prapë vazhdojnë të mëkatojnë pa u penduar me zemër. Madje duan ta zaptojnë Mbretërinë e Qiellit me dhunë dhe forcë duke menduar se mund ta fitojnë jo me vepra por me një shpresë të kotë – të kotë sepse nuk do t’i jepet askujt që nuk përpiqet për të dhe nuk e mohon vetveten për Hyjin. Ata janë më keq se ata që e kryqëzuan Atë. Kur këta të fundit i panë veprat e mira të tim Biri, si psh ngjalljen e të vdekurve, shërimin e të gërbulurve, ata menduan me vete: 'Ai bën mrekulli të padëgjuara dhe të jashtëzakonshme, duke mposhtur këdo që dëshiron vetëm me një fjalë, i di mendimet tona, bën ç’të dojë. Nëse ia del mbanë, të gjithë do duhet t’i nënshtrohemi pushtetit të Tij dhe të bëhemi vartës të Tij.' Prandaj, në vend që t’i nënshtroheshin, e kryqëzuan nga zilia.

Por po ta kishin ditur se Ai ishte Mbreti i Lavdisë, kurrë nuk do ta kishin kryqëzuar. Nga ana tjetër, këta njerëz i shohin veprat dhe mrekullitë e Tij të mëdha çdo ditë, përfitojnë nga mirësitë e Tij. Dëgjojnë se si duhet t’i shërbejnë dhe t’i afrohen, por mendojnë me vete: 'Do të ishte e rëndë dhe e padurueshme të hiqnim dorë nga të gjitha të mirat e përkohshme, të bënim vullnetin e Tij dhe jo tonin.' Prandaj e përçmojnë vullnetin e Tij duke mos e lënë të sundojë mbi vullnetin e tyre dhe e kryqëzojnë tim Bir me kokëfortësi duke grumbulluar mëkat mbi mëkat. Ata janë më keq se kryqëzuesit e Tij sepse Hebrenjtë vepruan nga zilia dhe ngaqë nuk e dinin që Ai ishte Hyji. Kurse këta e dinë që Ai është Hyji dhe nga ligësia, mendjemadhësia dhe lakmia e kryqëzojnë shpirtërisht më egërsisht se ç’e kryqëzuan të tjerët fizikisht, pasi këta janë shëlbuar kurse të tjerët ende nuk ishin shëlbuar. Prandaj, o nuse, bindju dhe kije frikë tim Bir sepse, edhe pse i mëshirshëm, Ai është i drejtë!"