Për fenë, shpresën dhe dashurinë që gjendeshin përsosshmërisht tek Krishti kur Ai vdiq dhe që gjenden të mangëta tek ne njerëzit e gjorë.
Libri 1 - KAPITULLI 39

Në vdekje pata tre virtyte. Së pari besimin, kur përkula gjunjtë dhe u luta, duke e ditur se Ati ishte në gjendje të më shpëtonte nga mundimet. Së dyti shpresën, kur këmbëngula me vendosmëri duke thënë: 'Jo vullneti Im.' Së treti, dashurinë, kur thashë: 'U bëftë vullneti Yt!' Vuajta fizikisht nga frika e natyrshme prej dhimbjeve dhe djersë gjaku më rrodhi nga trupi. Kështu që në mënyrë që miqtë e Mi të mos dridhen kur braktisen kur vjen momenti i provës për ta, u tregova personalisht se trupi gjithnjë i druhet dhimbjes.

Por ndoshta ti pyet sesi trupi Im nxorri djersë gjaku. Ja, në po atë mënyrë që gjaku i një të sëmuri thahet dhe konsumohet në damarët e tij, gjaku Im u konsumua për shkak të ankthit të natyrshëm përballë vdekjes. Duke dashur të tregonte mënyrën sesi do të hapej qielli dhe sesi njerëzit mund të hynin në të pas mërgimit, Ati me dashuri më dorëzoi të vuaj në mënyrë që trupi Im të lartësohej pas Mundimeve. Pasi natyra Ime njerëzore nuk mund ta meritonte lavdinë pa vuajtur, pavarësisht se mundesha të hyja në lavdi me natyrën Time hyjnore.

Pse atëherë njerëzit me pak besim, me shpresë të kotë dhe pa dashuri meritonkan të hyjnë në lavdinë Time? Nëse do kishin besim në gëzimin e përjetshëm dhe në ndëshkimin e tmerrshëm, nuk do të dëshironin tjetër veç Meje. Nëse vërtet do të besonin se Unë shoh dhe di gjithçka, se kam pushtet mbi gjithcka dhe se i gjykoj të gjithë, bota do t’u dukej e neveritshme dhe do të kishin frikë të mëkatonin në praninë Time më tepër nga frika prej Meje se sa nga opinioni i njerëzve. Nëse do të kishin shpresë të palëkundur, atëherë gjithë mendimet dhe inteligjenca e tyre do të drejtoheshin drejt Meje. Nëse do ta donin Hyjin, mendja e tyre do të mendonte së paku rreth çka bëra për ta, për përpjekjet për të predikuar, për vuajtjet e shumta, për dashurinë e madhe që pata deri në vdekje – aq shumë dashuri sa desha të vdes më mirë se sa t’i humbisja ata.

Por besimi i tyre është i dobët dhe i paqëndrueshëm dhe rrezikon të shembet shpejt sepse janë gati të besojnë kur nuk tundohen, por e humbasin besimin kur ndeshen me vështirësi. Shpresa e tyre është e kotë sepse shpresojnë që mëkatet do t’u falen pa vuajtur dhe pa u ndëshkuar siç duhet. Kanë besim se do ta marrin falas Mbretërinë e Qiellit. Duan ta marrin mëshirën Time të papërzier me drejtësi. Dashuria e tyre për Mua është e ftohtë sepse kurrë nuk digjen nga dëshira për të më gjetur përveçse kur i detyrojnë provat e jetës.

Si mund të ndizem me dashuri për njerëz që nuk kanë besim të drejtë, as shpresë të palëkundur, as dashuri të zjarrtë për Mua? Për pasojë, kur të më thërrasin dhe thonë 'Hyj, ki mëshirë për mua!' nuk do të meritojnë të dëgjohen apo të hyjnë në lavdinë Time. Meqë nuk duan ta ndjekin Zotin e tyre ne vuajtje, nuk do ta ndjekin as në lavdi. Asnjë ushtar nuk mund t’i pëlqejë zotërisë së vet dhe të fitojë simpatinë e tij pas një gabimi nëse më parë nuk e përul veten për të larguar zemërimin e Tij.