Tre pyetje që Krijuesi i bën nuses: e para për burrin që shërben dhe gruan që sundon; e dyta për burrin që punon dhe gruan që harxhon; e treta për Zotërinë që shpërfillet dhe shërbëtorin që nderohet.
Libri 1 - KAPITULLI 40

Unë jam Krijuesi dhe Zoti yt. Përgjigjju tre pyetjeve që do të të bëj. Ç’gjendje ka në një shtëpi ku gruaja vishet si zonjë dhe burri si shërbëtor? A është e drejtë kjo? Ajo u përgjigj: "Jo, Zot, nuk është e drejtë." Dhe Zoti tha: "Unë jam Zoti i gjithçkaje dhe Mbreti i engjëjve. E vesha shërbëtorin Tim, domethëne natyrën Time njerëzore, vetëm për dobi dhe nevojë. Nuk kërkova tjetër në botë përveç ushqimit dhe veshjes së paktë. E megjithatë ti, që je nusja Ime, dëshiron të jesh si zonjë, me pasuri dhe ndere. Ç’e mirë vjen prej tyre? Gjithçka është kotësi dhe nga gjithë gjërat duhet hequr dorë. Njerëzimi nuk është krijuar për eksese të tilla por për të patur çka i nevojitet natyrës.

Krenaria e shpiku eksesin dhe tani ai konsiderohet dhe dëshirohet si gjë normale. E dyta, a është e drejtë që burri të punojë nga mëngjesi deri në mbrëmje, kur gruaja shpenzon për një orë gjithçka që ai ka fituar?" Ajo u përgjigj: "Nuk është e drejtë. Përkundrazi, gruaja është e detyruar të jetojë dhe veprojë sipas vullnetit të burrit." Dhe Zoti tha: "Unë veprova si burri që punon nga mëngjesi në darkë. Punova qysh nga vogëlia deri në kohën e Mundimeve duke e treguar rrugën drejt qiellit me predikim dhe duke i zbatuar ato që u predikoja të tjerëve.

Gruaja, domethënë shpirti njerëzor që duhet të jetë si gruaja ime, e harxhon mundimin Tim me jetesë luksoze. Për pasojë, asgjë që kam bërë nuk mund t’i sjellë dobi asaj dhe as Unë nuk gjej ndonjë virtyt tek ajo që të më pëlqejë. E treta, thuamë, a nuk është gabim dhe e padurueshme që zotëria i një shtëpie të përçmohet dhe shërbëtori të nderohet?" Dhe ajo tha: "Po, sigurisht që është." Zoti tha: "Unë jam Zotëria i gjithë gjërave. Shtëpia Ime është bota. Gjithë njerëzit me të drejtë duhet të jenë shërbëtorët e Mi. Por Unë, Zoti, përçmohem tani në botë ndërsa njerëzimi nderohet. Prandaj ti që të kam zgjedhur kujdesu që të bësh vullnetin Tim sepse gjithçka në botë nuk është tjetër veç stërkalë oqeani dhe ëndërr e gënjeshtërt!"