Fjalët e Krijuesit, në praninë e ushtrisë qiellore dhe të nuses, ku Ai ankohet për pesë vetë që përfaqësojnë papën dhe klerikët, laikët e këqinj, hebrenjtë dhe paganët. Për ndihmën që u jep miqve të Tij që përfaqësojnë gjithë njerëzimin dhe gjykimn e ashpër që i pret armiqtë e Tij.
Libri 1 - KAPITULLI 41

Unë jam Krijuesi i gjithë gjërave. Linda nga Ati përpara se Luciferi të vinte në jetë. Unë jam pandashmërisht në Atin dhe Ati në Mua dhe një Shpirt në të Dy. Prandaj ka vetëm një Zot – jo tre zotër. Unë jam Ai që i premtoi trashëgimi të përjetshme Abrahamit dhe që e nxorri popullin e Vet nga Egjypti me anë të Moisiut. Unë jam Ai që foli me anë të profetëve. Ati më vendosi në krahërorin e Virgjërës pa u ndarë nga Unë, duke mbetur pandashmërisht me Mua, me qëllim që njerëzimi, i cili e kish braktisur Hyjin, të mund të kthehej tek Hyji nëpërmjet dashurisë Sime. Megjithatë, tani, në praninë tënde, o ushtri qiellore, edhe pse ti sheh dhe di gjithçka në Mua, në mënyrë që ta marrë vesh dhe ta mësojë nusja, e cila nuk mund t’i perceptojë gjërat shpirtërore nëpërmjet atyre fizike, Unë bëj të ditur zemërimin Tim para jush për pesë personat këtu të pranishëm, pasi ata ata më fyejnë në shumë mënyra.

Ashtu sikurse dikur në Ligj Unë përfshiva nën emrin Izrael gjithë kombin izraelit, kështu tani me anë të këtyre pesë personave Unë kam parasysh gjithë botën. I pari simbolizon udhëheqësin e kishës dhe priftërinjtë, i dyti laikët e këqinj, i treti hebrenjtë, i katërti paganët, i pesti miqtë e Mi. Përsa të përket ty, o hebre, Unë nuk marr parasysh në ty ata hebrenj që janë fshehurazi të krishterë dhe më shërbejnë me dashuri të sinqertë, fe të drejtë dhe vepra të përsosura në fshehtësi. Dhe në ty, o pagan, Unë nuk marr parasysh ata që, sikur ta dinin se si apo të kishin dikë që t’i mësonte, do të ishin të gatshëm të ecnin në udhën e urdhëresave të Mia; ata përpiqen të vënë në zbatim aq sa dinë dhe aq sa janë në gjendje të bëjnë.

Ata në asnjë mënyrë nuk do të gjykohen me ju. Tani po deklaroj zemërimin që ti më shkakton, o udhëheqësi i kishës Sime, ti që je ulur në karrigen Time. Unë ia dhashë këtë karrige Pjetrit dhe pasardhësve të tij që të uleshin me dinjitet dhe autoritet të trefishtë: e para, për të patur pushtetin e lidhjes dhe zgjidhjes së mëkateve të njerëzve; e dyta, për të qenë të hapur për pendestarët; e treta, për t’ua mbyllur qiellin të mallkuarve dhe atyre që më tallin. Por ti që duhet t’i falësh shpirtrat dhe t’i sjellësh tek Unë, në të vërtetë je vrasësh shpirtrash.

Unë e vura Pjetrin si bari dhe shërbëtor të deleve të Mia. Por t’i i shpërndan dhe i plagos; ti je më keq se Luciferi. Ai ishte ziliqar dhe dëshironte të më vriste për të sunduar në vendin Tim. Por ti je më keq se ai sepse jo vetëm më vret duke më ndarë prej teje me veprat e tua të këqija, por edhe vret shpirtra me shembullin tënd të keq. Unë i shëlbova shpirtrat me gjakun Tim dhe t’i besova ty si një miku besnik. Por ti ia dorëzon armikut nga i cili i çlirova. Ti je më i padrejtë se Pilati. Ai vetëm sa më dënoi me vdekje. Por ti jo vetëm që më dënon sikur t’isha zotëria i pavlerë i asgjëje, por edhe dënon shpirtrat e të zgjedhurve të Mi dhe liron fajtorët. Ti je më i pamëshirshëm se Juda. Ai vetëm sa më shiti. Por ti jo vetëm që më shet Mua, por shet edhe shpirtrat e të zgjedhurve të Mi për interesat e tua të ulta dhe fame boshe. Ti je më i neveritshëm se hebrenjtë. Ata vetëm sa kryqëzuan trupin Tim. Por ti kryqëzon dhe ndëshkon shpirtrat e të zgjedhurve të Mi të cilët ligësia dhe paudhësitë e tua i plagosin më rëndë se çdo shpatë.

Dhe kështu, duke qenë se ti je si Luciferi, më i padrejtë se Pilati, më i pamëshirshëm se Juda dhe më i neveritshëm se hebrenjtë, Unë kam të drejtë që zemërohem. Zoti i tha personit të dytë, domethënë laikëve: "Unë i krijova gjithë gjërat për ty. Ti më dhe pëlqimin tënd dhe Unë të dhashë Timin. Ti më premtove besim duke u betuar se do të më shërbeje. Por tani ti je larguar prej Meje si dikush që nuk e njeh Hyjin. Ti i mban fjalët e Mia për gënjështra, veprat e Mia për gjëra të pakuptimta. Ti thua se vullneti Im dhe urdhëresat e Mia janë shumë të rënda. Ti nuk e ke ruajtur besimin që premtove. Ti e ke shkelur betimin dhe e ke braktisur emrin Tim. Ti je ndarë nga shoqëria e shenjtërve të Mi dhe je bashkuar me shoqërinë e djajve duke u bërë ortaku i tyre. Ti mendon se askush përveç teje nuk meriton lavd dhe nder.

Ty të duket e vështirë gjithçka që ka të bëjë me Mua dhe që duhet të bësh për Mua, kurse gjërat që të pëlqejnë të duken të lehta për t’u bërë. Prandaj kam të drejtë që zemërohem me ty sepse ti e ke shkelur besimin që më premtove në pagëzim dhe më pas. Sikur të mos mjaftonte, ti e mban për shtirje dashurinë që kam treguar me fjalë dhe vepra. Ti thua se Unë isha i marrë që vuajta." Ai i tha personit të tretë: "Unë e nisa historinë e dashurisë me ty. Të zgjodha si popullin Tim, të nxorra nga skllavëria, të dhashë Ligjin Tim, të solla në tokën që i pata premtuar etërve të tu dhe të dërgova profetë për të të ngushëlluar. Pastaj zgjodha një virgjër nga ty dhe mora natyrë njerëzore prej saj. Jam zemëruar me ty sepse ti ende nuk pranon të besosh në Mua por thua: 'Krishti ende nuk ka ardhur, por ka për të ardhur.'"

Zoti i tha personit të katërt, domethënë paganit: "Unë të krijova dhe të shëlbova që të bëheshe i Krishterë. Të bëra çdo të mirë. Por ti i përngjan një njeriu që nuk është në vete sepse nuk di çfarë bën. Ti i përngjan një të verbëri sepse nuk di nga shkon. Ti adhuron krijesën në vend të Krijuesit, të rremen në vend të së vërtetës. Ti përkulesh para gjërave që janë poshtë teje. Prandaj zemërohem me ty." Ai i tha të pestit: "Afrohu, mik!" Dhe iu drejtua ushtrisë qiellore drejtpërsërdrejti: "Miq të dashur, miku im këtu përfaqëson shumë miq. Ai është si një njeri i rrethuar nga të ligjtë e që mbahet peng. Kur thotë të vërtetën, i gjuajnë me gurë në gojë. Kur bën ndonjë vepër të mirë, i ngulin një heshtë në gjoks. Medet, ju miq dhe shenjtër të Mi, si mund t’i duroj njerëz të tillë dhe sa kohë do ta lejoj këtë përbuzje?"

Shën Gjon Pagëzori u përgjigj: "Ti je si një pasqyrë e panjollë. Ne shohim dhe dimë gjithçka në Ty si në një pasqyrë, pa patur nevojë për fjalë. Ti je ëmbëlsia e pashoqe ku ne shijojmë çdo gjë të mirë. Ti je si më e mprehta shpatë dhe gjykatës i drejtë." Zoti iu përgjigj: "Miku im, çfarë the është e vërtetë. Të zgjedhurit e Mi shohin çdo mirësi dhe drejtësi në Mua. Edhe shpirtrat e këqinj i shohin këto, edhe pse jo në dritë por në ndërgjegjen e tyre. Ashtu si një i burgosur që më parë i ka lexuar letrat e veta dhe ende i mban mend ato edhe kur është në errësirë, po ashtu edhe djajtë pavarësisht se nuk e shohin drejtësinë Time në dritën e qartësisë Sime, prapë se prapë e njohin dhe shohin atë në ndërgjegjen e tyre. Unë jam si shpatë që pret më dysh. I jap çdonjërit atë që meriton." Pastaj Zoti shtoi, duke iu drejtuar te Bekuarit Pjetër: "Ti je themeluesi i besimit dhe i kishës Sime. Ndërsa ushtria Ime po dëgjon, jep dënimin për këta pesë persona!"

Pjetri u përgjigj: "Lavd dhe nder Ty, o Zot, për dashurinë që ke treguar për tokën tënde! Të bekoftë gjithë ushtria Jote pasi ti na bën të shohim dhe dimë në Ty gjithë gjërat që kanë qenë dhe do të jenë! Ne shohim dhe dimë gjithçka në Ty. Është vërtet e drejtë që personi i parë, ai që është ulur në karrigen Tënde dhe bën veprat e Luciferit, ta dorëzoje me turp karrigen ku guxoi të ulet dhe të dënohet si Luciferi. Gjykimi për të dytin është se ai që ka braktisur besimin tënd meriton të zhytet në ferr kokëposhtë pasi të përçmoi Ty që duhej të ishe kreu i tij dhe deshi vetveten. Gjykimi i të tretit është që ai nuk meriton ta shohë fytyrën Tënde dhe duhet ndëshkuar për ligësinë dhe lakminë e tij, pasi të pafetë nuk meritojnë të të shohin.

Gjykimi për të katërtin është që ai meriton të kyçet në errësirë si një njeri që nuk është në vete." Kur Zoti e dëgjoi këtë, Ai u përgjigj: "Betohem për Hyjin Atë, zërin e të cilit Gjon Pagëzori e dëgjoi në lumin Jordan, betohem për trupin që Gjoni pagëzoi, pa dhe preku në lumin Jordan, betohem për Shpirtin që u shfaq në formë pëllumbi në lumin Jordan se do të zbatoj drejtësinë ndaj këtyre të pestëve."

Pastaj Zoti foli prapë duke i thënë të parit prej të pestëve: "Shpata e rreptësisë Sime do të ngulet në trupin tënd duke të hyrë nga maja e kokës dhe duke u zhytur aq thellë dhe fort saqë nuk do mund të nxirret dot më kurrë. Karrigia jote do të plandoset si gur i rëndë dhe nuk do të pushojë së rëni derisa të bjerë në pjesën më të ulët të humnerës. Gishtat e tu, pra këshilltarët e tu, do të digjen në zjarr të pashuar prej squfuri. Krahët e tu, domethënë mëkëmbësit e tu, që duhet të ishin përpjekur për të mirën e shpirtrave, por që në të vërtetë u përpoqën për përfitime dhe ndere tokësore, do të gjykohen me dënimin për të cilin flet Davidi: 'Fëmijët e tij mbetshin jetimë, gruaja e tij e ve dhe të huajt e marrshin pronën e tij.' Çdo të thotë ‘gruaja e tij’ përveçse që shpirti lihet jashtë jashtë lavdisë qiellore dhe që Hyji e lë të ve? Fëmijët e tij,' domethënë virtytet që dukej se zotëronin dhe populli im i thjeshtë, ata që u vendosën nën ta, do të ndahen prej tyre. Pozita dhe pronat e tyre do t’u mbesin të tjerëve dhe ata do të trashëgojnë turp të përjetshëm në vend të pozitës së privilegjuar.

Do të zhyten në llumin e ferrit dhe kurrë nuk do të dalin prej aty. Prandaj ashtu si në këtë botë ata u ngritën mbi të tjerët me ndere dhe krenari, po ashtu në ferr do të zhyten më thellë se të tjerët e do të jetë e pamundur të dalin prej aty. Gjymtyrët e tyre, domethënë priftërinjë që u serviloseshin dhe i imitonin, do të ndahen prej tyre dhe do të veçohen si një mur që kur shembet nuk i mbetet gur pasi llaçi nuk ngjit më.

Nuk do të ketë mëshirë për ta sepse dashuria Ime nuk do t’i ngrohë kurrë dhe as do t’i pranoj në qiell. Përkundrazi, të zhveshur nga çdo e mirë, ata do të mundohen pafundësisht së bashku me udhëheqësit e tyre. Të dytit i them: Meqë nuk do ta mbash besimin që më premtove dhe nuk më do, do të të dërgoj një kafshë nga përroi i rrëmbyeshëm dhe do të të përpijë. Dhe ashtu si një përrua shkon tatëpjetë, ashtu kafsha do të të zbresë ty në pjesët më të ulta të ferrit. Ashtu siç është e pamundur të shkohet kundër rrymës së një përroi të rrëmbyeshëm, po ashtu ti do ta kesh të vështirë të dalësh nga ferri.

I them të tretit: Meqenëse ti, o hebre, nuk do të besosh se Unë kam ardhur, kur të vij për gjykimin e dytë, ti nuk do të më shohësh në lavdinë Time por në ndërgjegjen tënde dhe do të shohësh se gjithçka që pata thënë ishte e vërtetë. Atëhere s’do të të mbetet tjetër veç të marrësh dënimin e merituar. I them të katërtit: Meqenëse nuk merakosesh të besosh e as do t’ia dish, errësira do të jetë drita jote dhe zemra jote do të ndriçohet për të kuptuar se gjykimet e Mia janë të drejta e megjithatë ti nuk do të dalësh në dritë. I them të pestit: Unë do të bëj tre gjëra për ty. E para, do të të mbush me dashurinë Time. E dyta, do ta bëj gojën tënde më të fortë dhe të qëndrueshme se çdo gur, kështu që gurët që do të të hedhin do kthehen mbrapsht.

E treta, do të të armatos me armët e Mia që asnjë heshtë të mos të të shpojë dot dhe çdo gjë do të zhbihet para teje si dylli pranë zjarrit. Pra bëhu i fortë dhe qëndro si burrë! Si ushtar në luftë që pret ndihmën e të zotit dhe lufton deri në pikën e fundit, po ashtu edhe ti qëndro i fortë dhe lufto! Zoti, Hyji yt, të Cilit askush nuk mund t’i bëjë ballë, do të të ndihmojë. Dhe duke qenë se miqtë e Mi janë të paktë, do t’u jap nder dhe do t’I shtoj në numër. Vështroni, miqtë e mi, ju që i shihni dhe i kuptoni këto gjëra në Mua, kjo është gjendja e tyre para Meje. Fjalët që sapo thashë do të realizohen. Këta persona kurrë nuk do të hyjnë në mbretërinë Time, për sa kohë jam Unë mbret, nëse nuk bëjnë kthesë. Pasi qielli nuk do t’i jepet askujt përveç atyre që përvujtërohen dhe bëjnë pendesë." Pastaj gjithë ushtria u përgjigj: "Lavd të qoftë Ty, Zot Hyj, që je pa fillim dhe fund!"