Fjalët e Virgjërës për t’i mësuar nuses si ta dojë Birin e saj mbi gjithçka dhe për virtytet dhe hiret që ka Virgjëra e lavdishme.
Libri 1 - KAPITULLI 42

Nëna foli: "Unë pata tre virtyte me të cilat i pëlqeva tim Biri. Pata aq shumë përvujtëri saqë asnjë krijesë, as engjëll apo njeri, nuk ish më e përvuajtur se unë. E dyta, unë kisha bindje me anë të së cilës u përpoqa t’i bindesha tim Biri në gjithçka. E treta, pata dashuri të pashoqe. Për këtë arësye im Bir më ka dhënë nderim të trefishtë. Së pari, m’u dha nder më tepër se engjëjve dhe njerëzve saqë, edhe pse Hyji është burimi dhe Krijuesi i gjthçkaje, nuk ka virtyt në Të që nuk shkëlqen në mua. Por unë jam një krijesë së cilës Ai i ka falur hirin më të madh në krahasim me të tjerët.

Së dyti, në sajë të bindjes unë fitova aq pushtet sa nuk ka mëkatar, sado i njollosur të jetë, që nuk do të fitojë faljen nëse më drejtohet mua me njetin për të bërë kthesë dhe me zemër të penduar. Së treti, në sajë të dashurisë, Hyji është afruar aq shumë tek unë saqë kushdo që sheh Hyjin më sheh mua dhe kushdo që më sheh mua mund të shohë natyrën hyjnore dhe njerëzore në mua dhe mua në Hyjin si në një pasqyrë. Pasi kushdo që sheh Hyjin sheh tre persona në Të dhe kushdo që më sheh mua sheh, si të thuash, tre persona. Pasi Hyji më ka shtrënguar fort pas vetes me shpirt dhe trup dhe më ka mbushur me çdo virtyt, kështu që nuk ka virtyt në Hyjin që nuk shkëlqen në mua edhe pse Hyji është Ati dhe dhuruesi i të gjitha virtyteve. Ashtu sikurse në dy trupa të bashkuar -njëri merr çfarëdo që merr edhe tjetri- kështu Hyji ka bërë me mua. Nuk ka ëmbëlsi që nuk ekziston në mua.

Ndodh njëlloj si me një njeri që ka një arrë dhe e ndan me dikë tjetër. Shpirti dhe trupi im janë më të pastër se dielli dhe më të qartë se çdo pasqyrë. Kështu që ashtu si tre vetë nëse dalin para pasqyrës shihen në të, po ashtu Ati, Biri dhe Shpirti Shenjt mund të shihen në pastërtinë time. Dikur unë pata në krahëror tim Bir së bashku me natyrën e Tij hyjnore. Tani Ai mund të shihet në mua me natyrën hyjnore dhe atë njerëzore si në një pasqyrë, pasi unë jam ngritur në lavdinë qiellore. Pra, nusja e tim Biri, përpiqu të imitosh përvujtërinë time e mos duaj tjetër veç tim Biri!"