Fjalët e Birit drejtuar nuses ku tregon sesi njerëzit kalojnë nga një e mirë e vogël në përsosmëri dhe zhyten nga një e keqe e vogël në ndëshkimin më të madh.
Libri 1 - KAPITULLI 43

Biri tha: "Ndodh që një e mirë e madhe vjen nga një e mirë e vogël. Hurma ka erë të mrekullueshme dhe fruti i saj ka një bërthamë. Nëse kjo bërthamë mbillet në tokë pjellore, ajo çel, lulëzon dhe rritet e bëhet pemë e lartë. Por nëse mbillet në tokë djerrë, ajo thahet. Toka që dëfren në mëkat është krejtësisht shterpë nga të mirat. Nëse në të mbillet fara e virtytit, ajo nuk çel. Pjellore është toka e mendjes që e pranon mëkatin dhe i vjen keq që ka mëkatuar. Nëse mbillet bërthama e hurmës, domethënë nëse sillet ndërmend gjykimi Im i rreptë dhe pushteti Im, ajo lëshon tre rrënjë në mendje. Rrënja e parë është të kuptuarit se njeriu nuk mund të bëjë asgjë pa ndihmën Time.

Kjo e bën të hapë gojën për të m’u lutur. Rrënja e dytë është dhënia e lëmoshave për hir të emrit Tim. Rrënja e tretë është largimi nga çështjet personale për të më shërbyer Mua. Ai fillon pastaj të praktikojë abstinencën, agjërimin dhe vetëmohimin: këto përbëjnë trungun e pemës. Më pas, degët e dashurisë rriten ndërkohë që ai i prin drejt së mirës kujtdo që mundet. Pastaj fruti rritet ndërsa ai i mëson të tjerët aq sa di dhe me devotshmëri përpiqet të gjejë mënyra për të më dhënë lavdi më të madhe.

Ky lloj fruti më pëlqen shumë. Në këtë mënyrë, nga një fillesë e vogël njeriu arrin në përsosmëri. Ashtu sikurse fara lëshon rrënjë fillimisht me anë të një devotshmërie të vockël, ashtu trupi rritet me anë të abstinencës, degët shtohen me anë të dashurisë, trupi shëndoshet me anë të predikimit. Në po të njëjtën mënyrë, një person zhytet gjithnjë e më thellë nga një e keqe e vogël deri në dënimin dhe ndëshkimin më të madh. A e di cili është dëmi më i madh për gjërat që mbillen dhe rriten? Sigurisht është rasti kur i vogli që do të lindë nuk lind dot dhe vdes në barkun e nënës. Vuan dhe vdes edhe nëna dhe babai e merr dhe e varros që të kalbet në varr bashkë me fëmijën.

Shpirti i pamoralshëm është si gruaja e djallit dhe ndjek vullnetin e tij në gjithçka. Shpirti ngjiz një fëmijë me djallin kur i pëlqen mëkati dhe gjen kënaqësi në të. Ashtu sikurse nëna ngjiz dhe jep fryt nga një farë e vogël, po ashtu shpirti i lind fryte djallit kur gjen kënaqësi në mëkat. Ndërsa mëkatet ndjekin njëri tjetrin dhe rriten, fuqia dhe gjymtyrët e trupit zhvillohen. Nëna fryhet nga shtimi i mëkateve. Ajo dëshiron të lindë por nuk mundet sepse e ka konsumuar natyrën e saj në mëkat dhe jeta i mërzitet. Do të donte të mëkatonte por nuk mundet dhe Hyji nuk ia lejon.

Pastaj, nga pamundësia për të bërë vullnetit e vet, fuqia dhe gëzimi për të jetuar e braktisin. I plasin ujrat (barku) kur nuk shpreson se mund të bëjë ndonjë të mirë. Dhe vdes kur blasfemon dhe fajëson drejtësinë e Hyjit. Atëherë i ati, djalli, e çon në varrin e ferrit ku varroset përgjithmonë me kalbësirën e mëkatit të vet dhe fëmijën e kënaqësisë së shthurur. Pra, siç e sheh, nga fillesa të vogla mëkati rritet e bëhet mallkim."