Fjalët e Krijuesit drejtuar nuses për ata që tani e përçmojnë dhe fyejnë sepse nuk i kushtojnë vëmendje dashurisë së Tij që i paralajmëroi me anë të profetëve dhe vuajti për hir të tyre. Ata nuk duan t’ia dinë për zemërimin dhe rreptësinë Tij ndaj kokëfortëve.
Libri 1 - KAPITULLI 44

Unë jam Krijuesi dhe Zoti i gjithçkaje. Unë e bëra botën dhe ajo largohet prej Meje. Dëgjoj në botë një gumëzhitje si të një blete që mbledh mjalt në tokë. Kur bleta fluturon dhe nis të ulet, ajo nxjerr një si tingull gumëzhues. Një gumëzhimë të tillë dëgjoj tani në botë tek thotë: 'Nuk dua t’ia di ç’do bëhet pas kësaj jete.' Tani të gjithë bërtasin: 'Nuk dua t’ia di!' E vërteta është që njerëzit nuk e sjellin ndërmend se nga dashuria për ta dërgova profetët që t’i paralajmërojnë, predikova dhe vuajta. Nuk e sjellin ndërmend zemërimin Tim që e ndëshkon të ligun dhe të pabindurin. Ata e e kanë të qartë se janë të vdekshëm e as nuk e dinë se kur do të vdesin, e prapë se prapë nuk u bëhet vonë.

Ata shohin dhe dëgjojnë për ndëshkimin që i dhashë Faraonit dhe Sodomës për shkak të mëkatit dhe se si u tregova vendin shumë mbretërve dhe princave me shpatë dhe ndëshkime të tjera. Por ata sillen sikur të ishin të verbër e të mos shihnin. Si bletë fluturojnë ku t’u teket. Fluturojnë sikur kërcejnë atëherë kur e lartësojnë vetveten me krenari, por shumë shpejt bëjnë rikoshetë dhe fundosen prapë në epshe dhe grykësi. Mbledhin mjalt për vete duke u cfilitur dhe përpjekur për nevojat trupore dhe jo shpirtërore, për lavdi tokësore dhe jo të përjetshme. I shndërrojnë në dënim të përjetshëm gjërat e e përkohshme që nuk u sjellin dobi. Prandaj, për hir të lutjeve të Nënës Sime, do t’u flas qartë këtyre bletëve, nga të cilat janë ndarë miqtë e Mi që janë në botë vetëm me trup, për t’u shpallur mëshirën. Nëse dëgjojnë, ata do të shpëtohen.