Nëna, engjëjt, profetët, apostujt dhe djajtë i përgjigjen Hyjit, në prani të nuses, duke dëshmuar madhërinë e Tij në krijim, mishërim, shëlbim etj. Por njerëzit tani i përgënjeshtrojnë dëshmitë e tyre duke merituar gjykim të ashpër.
Libri 1 - KAPITULLI 45

Nëna tha: "Nusja e tim Biri, vishu dhe mos u luaj vendit sepse im Bir po vjen. Trupin ia copëtuan si ta kishin bluar në mulli. Njerëzit mëkatuan me çdo gjymtyrë të tyren, prandaj im Bir pagoi me secilën prej gjymtyrëve të Veta. Ia shkulën flokët, ia nxorrën vendit kockat, ia ndrydhën kyçet, ia copëtuan kockat e ia çpuan tejpërtej duart dhe këmbët. Mendja iu trazua, zemra iu lëndua nga trishtimi, barku iu bë gropë, dhe gjithë kjo ngaqë njerëzimi kish mëkatuar me çdo gjymtyrë." Pastaj foli Biri në prani të ushtrisë qiellore dhe tha: "Edhe pse ju dini gjithçka në Mua, Unë flas për hir të nuses që është këtu. Engjëj, po ju pyes: Thomëni, kush ka qenë pa fillim dhe do të jetë pa fund?

Kush i ka krijuar gjithë gjërat dhe nuk është krijuar prej askujt? Thojeni dhe jepni dëshminë tuaj!" Njëzëri engjëjt u përgjigjën dukë thënë: "Zot, ky je Ti. Ne dëshmojmë tre gjëra: E para që Ti je Krijuesi ynë dhe i gjithçkaje në qiell dhe tokë. E dyta që Ti je dhe do të jesh pa fillim, sundimi yt pa fund dhe pushteti yt i përjetshëm. Pa Ty asgjë nuk është bërë dhe pa Ty asgjë nuk vjen në jetë. Së treti ne dëshmojmë se në Ty ne shohim çdo drejtësi dhe gjithçka që ka qenë dhe do të jetë. Gjithë gjërat janë të pranishme për Ty pa fillim e fund." Pastaj Ai i tha profetëve dhe patriarkëve: "Po ju pyes: Kush ju priu nga skllavëria në liri? Kush i ndau ujrat para jush? Kush ua dha Ligjin? O profetë, kush ju frymëzoi të flisni?" Ata u përgjiggjën: "Ti, o Zot. Ti na nxorre nga skllavëria. Ti na e dhe Ligjin. Ti e nxite shpirtin tonë të flasë."

Pastaj Ai i tha Nënës së Tij: "Jep dëshminë tënde të vërtetë për çka di rreth Meje!" Ajo u përgjigj: "Përpara se engjëlli Yt të vinte tek unë, unë isha vetëm me trup dhe shpirt. Pasi engjëlli foli, trupi Yt u mishërua brenda meje me natyrat hyjnore dhe njerëzore dhe unë ndjeva trupin Tënd brenda timit. Të mbajta pa dhimbje. Të linda pa ankth. Të mbështolla me pelena dhe të ushqeva me qumësht. Isha me Ty nga lindja në vdekje." Pastaj Zoti u tha apostujve: "Thoni, cili është ai që patë, dëgjuat dhe prekët me shqisat tuaja?" Ata u përgjigjën: "I dëgjuam fjalët e Tua dhe i mbajtëm parasysh. I dëgjuam fjalët e Tua të mrekullueshme kur na dhe Ligjin e Ri, kur me nje fjalë i urdhërove djajtë dhe ata dolën, kur me një fjalë ngjalle të vdekurin dhe shërove të sëmurin.

Të pamë me trup njerëzor. Pamë mrekullitë e Tua dhe lavdinë hyjnore të natyrës Sate njerëzore. Pamë kur të dorëzuan tek armiqtë e Tu dhe të kryqëzuan. Pamë që vuajte shumë dhe pastaj të varrosën. Të pamë kur u ngjalle. Prekëm flokët e Tu dhe fytyrën Tënde. Prekëm gjymtyrët e Tua dhe plagët e Tua. Ti hëngre me ne dhe bisedove me ne. Ti me të vërtetë je Biri i Hyjit dhe Biri i Virgjërës. Të pamë kur u ngjite, me natyrën Tënde njerëzore, në të djathtën e Atit ku Ti je pa fund."

Pastaj Hyji i pyeti shpirtrat e ndyrë: "Edhe pse e fshihni të vërtetën në ndërgjegjen tuaj, prapë se prapë ju urdhëroj të thoni kush është ai që e dobësoi pushtetin tuaj." Ata iu përgjigjën: "Si cuba që nuk thonë të vërtetën po nuk i lidhën, ne nuk themi të vërtetën nëse nuk na detyron jote hyjnore and e madhërishme. Ti je Ai që zbriti në ferr me pushtet. Ti e dobësove pushtetin tonë mbi botën. Ti more nga ferri çka të përkiste me të drejtë." Pastaj Zoti tha: "Vëreni, të gjithë ata që kanë shpirt dhe nuk janë veshur me trup dëshmojnë të vërtetën për Mua. Por ata që kanë shpirt dhe trup, pra qeniet njerëzore, më kundërvihen. Ka prej tyre që e njohin të vërtetën por nuk duan t’ia dinë për të.

Ka edhe që nuk e njohin, prandaj nuk e vrasin mendjen dhe thonë se nuk është aspak e vërtetë." Ai i tha engjëjve: "Ata thonë se dëshmia juaj është e rreme, se Unë nuk jam Krijuesi dhe Unë nuk di gjithçka. Kështu që ata i duan gjërat e krijuara më tepër se ç’më duan Mua." Ai u tha profetëve: "Ata ju përgënjeshtrojnë dhe thonë se Ligji është i pakuptimtë, se ju e fituat lirinë në sajë të guximit dhe aftësive tuaja, se shpirti ishte i rremë dhe se ju folët sipas vullnetit tuaj." Ai i tha Nënës së Tij: "Disa thonë se ti nuk je virgjër, të tjerë thonë se Unë nuk mora trup prej teje, të tjerët e njohin të vërtetën por nuk duan t’ia dinë për të."

Ai u tha apostujve: "Ata ju përgënjeshtrojnë sepse thonë se jeni gënjeshtarë, se Ligji i Ri është i padobishëm dhe i paarësyeshëm. Ka të tjerë që e besojnë se është i vërtetë, por nuk duan t’ia dinë për të. Tani pra po ju pyes: Kush do të jetë gjykatësi i tyre?" Ata të gjithë iu përgjigjën: "Ti, o Hyj, që je pa fillim dhe pa fund. Ti, Jezu Krisht, që je një me Atin. Gjykimi të është dhënë nga Ati, Ti je gjykatësi i tyre." Zoti u përgjigj: "Unë isha paditësi i tyre dhe tani jam gjykatësi i tyre. Por edhe pse Unë di dhe mund të bëj gjithçka, dua që të më thoni gjykimin tuaj në lidhje me ta!"

Ata iu përgjigjën: "Ashtu sikurse mbarë bota u zhduk në fillim nga ujrat e përmbytjes, po ashtu bota tani meriton të zhduket nga zjarri pasi fëlliqësia dhe padrejtësia janë më të mëdha se atëherë." Zoti u përgjigj: "Meqenëse jam i drejtë dhe i mëshirshëm dhe nuk gjykoj pa mëshirë dhe as mëshiroj pa drejtësi, edhe një herë do ta mëshiroj botën për hir të lutjeve të Nënës Sime dhe të shenjtërve të Mi. Nëse nuk duan të dëgjojnë, do t’i gjykoj edhe më rreptësisht."