Nëna dhe Biri lëvdojnë njëri-tjetrin në prani të nuses. Njerëzit tani e konsiderojnë Krishtin të ulët, të pandershëm, të pavlerë dhe thonë se i tillë është. Këta njerëz i pret mallkimi.
Libri 1 - KAPITULLI 46

Maria i foli të Birit duke thënë: "Qofsh bekuar Ti që je pa fillim dhe pa fund! Ti je më i guximshmi dhe më i virtytshmi nga të gjithë njerëzit. Ti je më i denji nga krijesat." Biri u përgjigj: " Fjalët e gojës tënde janë të ëmbla për Mua dhe ma ngazëlljenë zemrën si pije të ëmbla. Për Mua ti je më e ëmbla mes krijesave. Ashtu sikurse njeriu mund të shohë fytyra të ndryshme në pasqyrë por asnjë nuk i pëlqen sa e vetja, po kështu, edhe pse Unë i dua shenjtërit e Mi, ty të dua në mënyrë të veçantë sepse linda nga vetë trupi yt. Ti je si temjan aroma e të cilit pasi u ngjit tek Hyji e tërhoqi Atë në trupin tënd.

Është po kjo aromë që e solli trupin dhe shpirtin tënd lart tek Hyji ku tani ti banon me trup dhe shpirt. Qofsh bekuar sepse engjëjt gëzohen me bukurinë tënde dhe kushdo që të thërret me zemër të sinqertë lirohet në sajë të fuqisë sate. Të gjithë djajtë dridhen para dritës sate dhe nuk guxojnë të qëndrojnë në shkëlqimin tënd sepse u pëlqen të rrinë gjithnjë në errësirë. Ti më lëvdove për tre gjëra. The se kisha një trup tejet të fisshëm, pastaj se Unë isha më i guximshmi nga njerëzit dhe e treta the se isha më i denji nga krijesat. Këto gjëra tani nuk i pranojnë vetëm ata që kanë trup dhe shpirt. Ata thonë se Unë kam trup jo të fisshëm dhe se jam jam krijesa më e ulët. A ka gjë më të ulët se të shtysh dikë në mëkat? Këtë thonë ata për trupin Tim: se Ai çon në mëkat. Sipas tyre Hyji nuk ka kushedi çfarë neverie për mëkatin.

'Sepse,' thonë ata, 'asgjë nuk ekziston nëse nuk do Hyji dhe asgjë nuk është krijuar pa Të. Pse atëherë nuk duheshka t’i përdorim gjërat e krijuara ashtu siç na pëlqen? Brishtësia jonë natyrore ka nevojë për to; kështu kanë jetuar të gjithë para nesh dhe po kështu vazhdojnë të jetojnë.’ Kështu flasin tani njerëzit. Natyrën njerëzore me të cilën u shfaqa para njerëzve si Hyj i vërtetë ata e konsiderojnë të ulët, pasi Unë e këshillova njeriun të mos mëkatonte dhe tregova sa serioze është çështja. Ata e quajnë njëlloj sikur t’i kisha nxitur të bënin diçka të padobishme dhe të pahijshme. Ata thonë se nuk ka gjë fisnike përveç mëkatit dhe çka i pëlqen vullnetit të tyre. Thonë edhe që Unë jam më i pandershmi nga njerëzit. Kush është më pa nder se ai që kur flet të vërtetën, e godasin me gurë në gojë dhe në fytyrë dhe, sikur të mos mjaftonte, i dëgjon njerëzit tek e qortojnë duke thënë: 'Po të ishte njeri do të merrte hak.' Këtë më bëjnë.

U flas me anë të doktorëve të ditur dhe Shkrimit të Shenjtë, por ata thonë se Unë gënjej. Ma mavijosin gojën me gurë e grushte duke bërë kurorëthyerje, duke vrarë dhe duke gënjyer. Ata thonë: 'Po të ishte njerëzor, po të ishte Hyj i plotfuqishëm, do të hakmerrej për shkelje të tilla.' Por Unë bëj durim edhe pse thonë se dënimi nuk është as i përjetshëm as aq i rreptë sa ç’thuhet dhe fjalët e Mia i mbajnë për gënjeshtra. E treta më konsiderojnë si krijesën më të pavlerë. A ka krijesë më të pavlerë në një shtëpi se qeni apo a macja? Kaq është e vërtetë saqë i zoti do të ishte i lumtur nëse do të mund t’i këmbente me një kalë. Por njerëzit më konsiderojnë më poshtë se një qen. Nuk do të më merrnin nëse do u duhej të më këmbenin me qenin; janë gati të refuzojnë sesa të mbeten pa qenin. A ka vogëlimë sado të vogël që të mos e mendojnë dhe dëshirojnë më shumë se Mua? Nëse do të më çmonin më tepër sesa çmojnë krijesat, ata do të më donin mbi gjithkënd.

E megjithatë nuk ka asgjë, sado e parëndësishme të jetë, që të mos e duan më shumë se Mua. Trishtohen për gjithçka përveçse për Mua. Trishtohen për humbjet që pësojnë ata dhe miqtë e tyre. Trishtohen edhe për një fjalë të vetme fyese. Trishtohen kur fyejnë njerëz të një rangu më të lartë se vetja, por nuk trishtohen kur më fyejnë Mua, Krijuesin e gjithçkaje. A ka njeri, sado i përçmueshëm që të jetë, të cilit nuk i vënë veshin kur bën ndonjë pyetje apo nuk e shpërblejnë kur u jep diçka? Unë jam tepër i ulët dhe i përçmueshëm në sytë e tyre sepse nuk më konsiderojnë të denjë për asgjë të mirë, edhe pse jam Unë Ai që u ka dhënë gjithçka të mirë. Nëna Ime, ti e ke shijuar më tepër se të tjerët urtinë Time dhe asgjë veç së vërtetës nuk ka dalë prej buzëve të tua.

Asgjë tjetër veç së vërtetës nuk ka dalë prej buzëve të Mia. Në prani të të gjithë ëngjëjve do ta shfajësoj Veten para të parit, atij që tha se Unë kam trup jo të fisshëm. Do të provoj që në të vërtetë kam trup tejet të fisshëm, pa deformime dhe mëkat, dhe ai njeri do të bjerë në turp të përjetshëm që ta shohin të gjithë. Atij që tha se fjalët e Mia ishin gënjeshtra dhe se ai nuk e dinte nëse isha Hyj apo jo, do t’ia provoj se jam vërtet Hyj dhe ai do të rrëshqasë si baltë poshtë në ferr. Dhe të tretin, atë që më konsideroi të pavlerë, do ta ndëshkoj me mallkim të përjetshëm që ai mos ta shohë kurrë lavdinë Time dhe gëzimin Tim."

Pastaj Ai i tha nuses : "Shërbemë pa u lëkundur! Ti gjendesh, si të thuash, e rrethuar prej një muri nga i cili nuk mund t’ia mbathësh e as mund të gërmosh nën themelet e tij për të dalë. Duroje vullnetarisht këtë provë të vogël dhe pastaj do të pushosh përjetësisht në krahët e Mi! Ti e di vullnetin e Atit, i dëgjon fjalët e Birit dhe e njeh Shpirtin Tim. Ti gëzohesh dhe ngushëllohesh kur bisedon me Nënën dhe shenjtërit e Mi. Prandaj mos u lëkund! Përndryshe do të kesh të bësh me drejtësisë Time që do të të detyrojë të bësh çka tani me të mirë po të kërkoj të bësh."