Në prani të ushtrisë qiellore dhe të nuses, natyra hyjnore e Krishtit i flet natyrës njerëzore të Tij kundër të Krishterëve, njëlloj si Hyji i foli Mojsiut kundër popullit. Për priftërinjtë e mallkuar që duan botën dhe përçmojnë Krishtin dhe për dënimin dhe mallkimin e tyre.
Libri 1 - KAPITULLI 48

Në qiell u duk ushtria e madhe dhe Hyji i tha asaj: "Shikoni, për hir të nuses sime këtu të pranishme, po ju fjas juve, miqtë e Mi, juve që dini, kuptoni dhe shihni gjithë gjërat në Mua. Ashtu si dikush që flet me vete, natyra Ime hyjnore do t’i flasë natyrës Sime njerëzore. Mojsiu qëndroi me Zotin në mal për dyzet ditë dhe netë. Kur populli pa se ai po vonohej, ata morën ar dhe e hodhën në zjarr dhe me të bënë një viç që e quajtën zotin e tyre. Pastaj Hyji i tha Mojsiut: 'Populli ka mëkatuar. Do t’i fshij nga faqja e dheut ashtu siç fshihen fjalët nga një libër.' Mojsiu u përgjigj: 'Mos e bëj këtë , Zoti im! Kujtoju se si i udhëhoqe përmes Detit të Kuq dhe bëre mrekulli për ta. Nëse i fshin nga faqja e dheut, ku është premtimi Yt? Mos e bëj këtë, të lutem, sepse pastaj armiqtë e Tu do të thonë: Hyji i Izraelit është i keq, Ai e udhëhoqi përmes detit dhe e vrau në shkretëtirë.' Dhe Hyji u qetësua nga këto fjalë.

Figurativisht Unë jam Mojsiu. Natyra Ime hyjnore i flet natyrës Sime njerëzore siç bëri me Mojsiun, duke thënë: 'Shiko ç’ka bërë populli Yt, shiko si më kanë përçmuar! Të gjithë të Krishterët do të vriten dhe besim i tyre do të fshihet nga faqja e dheut.' Natyra Ime njerëzore përgjigjet: 'Mos e bëj këtë, o Zot. Kujtohu se si Unë e udhëhoqa popullin përmes detit me gjakun Tim kur më mavijosi nga shputa e këmbës deri në majë të kokës! I premtova jetë të përjetshme. Ki mëshirë për të për hir të mundimeve të Mia!' Kur natyra hyjnore e dëgjoi këtë, ajo u qetësua dhe tha: 'U bëftë vullneti Yt, sepse çdo gjykim të është dhënë Ty!' Shikoni ç’dashuri, miqtë e Mi!

Por tani, në praninë tuaj, miqtë e Mi shpirtërorë, engjëj dhe shenjtër të Mi, dhe në prani të miqve të Mi truporë që janë në botë, por vetëm me trup, Unë ankohem se populli Im po mbledh dru zjarri dhe po ndez një zjarr e në të po hedh ar për të bërë një viç që ta adhurojë si hyj. Si viç ai ka katër këmbë, një kokë, një fyt dhe një bisht. Kur Mojsiu u vonua në mal, populli tha: 'Nuk e dimë ç’i ka ndodhur.' Dhe u erdhi keq që ai i kish nxjerrë nga robëria dhe thanë: 'Le të gjejmë një hyj tjetër që të ecë para nesh!'

Kështu sillen me Mua tani këta priftërinj të mallkuar. Ata thonë: 'Pse bëjmë jetë më të përmbajtur se të tjerët? Ç’e mirë na vjen nga kjo? Do të na binte më mirë sikur të mos e vrisnim mendjen dhe të jetonim në epsh. Pra le të shijojmë botën për të cilën jëmi të sigurt! Se në fund të fundit nuk jemi të sigurt për premtimin e Tij.' E kështu ata mbledhin dru zjarri, pra ia përkushtojnë të gjitha shqisat e tyre dashurisë së botës. Ndezin një zjarr atëherë kur gjithë dëshira e tyre është e drejtuar nga bota. Ata digjen atëherë kur epshi i tyre ngrohet në mendjet e tyre dhe shndërrohet në vepër. Më pas ata hedhin ar në zjarr, që do të thotë se gjithë dashurinë dhe respektin që duhet të kenë për Mua ata i shfaqin për të fituar respektin e botës.

Kështu bëhet viçi, pra dashuria e plotë për botën, me katër këmbët e apatisë, padurimit, dëfrimeve të tepërta dhe grykësisë. Këta priftërinj që duhet të më përkasin Mua, janë apatikë në nderimin Tim, të padurueshëm në vuajtje, e teprojnë me dëfrimet dhe kurrë nuk kënaqen me çka kanë. Ky viç ka dhe një kokë dhe një fyt, pra një dëshirë të plotë për grykësi që kurrë nuk mund të shuhet sikur edhe gjithë deti të vërshonte brenda tyre. Bishti i viçit është ligësia e tyre pasi, nëse munden, nuk i lejojnë askujt të mbajë pronat e veta.

Me shembullin e pamoralshëm dhe talljet e tyre, ata i bëjnë keq dhe çojnë në udhë të shtrembër këdo që më shërben Mua. Aq shumë dashuri kanë në zemër për viçin saqë kjo dashuri u jep gëzim dhe hare. Ata mendojnë për Mua ashtu siç mendoi populli për Mojsiun: 'U bë kohë që ka ikur,' thonë ata. 'Fjalët e Tij duken pa kuptim dhe të përpiqesh për Të është barrë. Le të bëjmë vullnetin tonë, hyji ynë le të jenë fuqia dhe kënaqësia jonë!' E ata nuk mjaftohen duke më harruar krejtësisht, por më trajtojnë si idhull. Paganët adhuronin drurin, gurin dhe të vdekurit. Mes të tjerëve adhuronin një idhull me emrin Belzebub. Priftërinjtë e tij i ofronin temjan dhe përkuleshin para tij duke e lëvduar.

Çdo gjë e padobishme që tepronte nga flitë e ofruara hidhej përtokë dhe e hanin zogjtë dhe mizat. Priftërinjtë mbanin për vete gjithçka të dobishme. Pastaj e mbyllnin brenda idhullin dhe e mbanin vetë çelësin e derës që të mos hynte dot askush. Kështu po më trajtojnë tani priftërinjtë. Më ofrojnë temjan, pra u flasin njerëzve fjalë të bukura për të fituar respekt për vete dhe fitime të përkohshme, por jo nga dashuria për Mua. Dhe ashtu sikurse aroma e temjanit nuk mund të kapet por vetëm të ndihet dhe shihet, po ashtu fjalët e tyre nuk kanë aq ndikim tek shpirtrat sa të zënë rrënjë dhe të mbeten në zemrat e tyre, por thjesht sa dëgjohen dhe duket sikur japin kënaqësi për pak kohë.

Ata ofrojnë lutje, por jo siç më pëlqejnë Mua. Si njerëz me britma lavdi në buzë por me heshtje në zemër, ata më qëndrojnë pranë me lutje në buzë dhe zemër që vërdalliset nëpër botë. Por nëse do të flisnin me një person të një rangu të lartë, do të përqëndroheshin në çka thonin që të mos bënin gabime që do t’u binin në sy të tjerëve. Ndërsa në praninë Time janë si njerëz të shastisur, me buzë thonë një gjë dhe me zemër thonë gjë tjetër. Ai që i dëgjon fjalët e tyre nuk mund të jetë i sigurt për to. I përkulin gjunjtë para Meje, pra më premtojnë përvujtëri dhe bindje. Por në të vërtetë janë të përvuajtur aq sa Luciferi. I binden dëshirave të veta, jo Mua.

Gjithashtu ata më mbyllin brenda dhe e mbajnë vetë çelësin. Ma hapin derën dhe ofrojnë lavde kur thonë: 'U bëftë vullneti Yt si në qiell ashtu në tokë!' Por pastaj më mbyllin brenda kur bëjnë vullnetin e vet kurse i Imi bëhet si vullneti i një njeriu të burgosur dhe të pafuqishëm sepse as mund të shihet as mund të dëgjohet. E mbajnë vetë çelësin në kuptimin që me shembullin e tyre çojnë në udhë të shtrembër ata që duan të bëjnë vullnetin Tim. Dhe nësë do të mundeshin, do të dëshironin ta pengonin vullnetin Tim që të kryhej me përjashtim të rastit kur përkon me vullnetin e tyre. Mbajnë nga flija e ofruar gjithçka të nevojshme dhe të dobishme për ta dhe i kërkojnë të gjitha të drejtat dhe privilegjet e tyre. Por duket se i mbajnë për të padobishme trupat e njerëzve që bien përdhe dhe vdesin, njerëz për të cilët janë të detyruar të ofrojnë flinë më të rëndësishme por që në të vërtetë ua lënë mizave, domethënë krimbave.

Ata nuk kujdesen e as shqetësohen për të drejtat e këtyre njerëzve apo për shpëtimin e shpirtrave të tyre. Çfarë iu tha Mojsiut? 'Vriti ata që e bënë këtë idhull!' Disa u vranë por jo të gjithë. Prandaj fjalët e Mia tani do të vinë e do t’i vrasin disa në trup dhe shpirt me anë të dënimit të përjetshëm, të tjerët në këtë jetë që të kthehen dhe të jetojnë dhe të tjerë me një vdekje të shpejtë sepse janë priftërinj tepër të urryeshëm për Mua. Me çfarë t’i krahasoj ata? Në vërtetë ata janë si trëndafila të egër që nga jashtë janë të bukur dhe të kuq, por brenda janë plot me papastërtira dhe gjemba. Në të njëtën mënyrë, këta njerëz vinë tek Unë sikur ishin skuqur nga dashuria dhe u duken të pastër njerëzve, por brenda janë plot me papastërti. Nëse futen në tokë, prej tyre mbijnë të tjerë.

Po kështu këta njerëz i fshehin mëkatin dhe ligësinë e tyre në zemër si në tokë, dhe zhyten aq shumë në mëkat saqë nuk u vjen turp të dalin para njerëzve e të mburren për mëkatin e vet. Prandaj të tjerët jo vetën gjejnë kështu një rast për të mëkatuar, por plagosen seriozisht në shpirt, duke menduar me vete: 'Nëse sillen kështu priftërinjtë, atëherë është akoma më e ligjshme për ne që të mëkatojmë.' Në këtë mënyrë ata jo vetëm i ngjasojnë lules, por edhe gjembave, në kuptimin që nuk denjojnë t’i vënë veshin qortimeve; mendojnë se askush nuk është më i urtë se ta dhe se mund të bëjnë siç u pëlqen. Prandaj betohem me natyrat e Mia hyjnore dhe njerëzore, në prani të të gjithë engjëjve, se do të depërtoj nëpër derën që i kanë mbyllyr vullnetit Tim. Vullneti Im do të kryhet ndërsa i tyri do të asgjësohet dhe do të mbyllet në ndëshkim të pafund. Prandaj, siç thuhej dikur, do ta filloj gjykimin me klerikët e Mi, nga altari Im."