Krishti e krahason veten me Mojsiun që e nxorri popullin nga Egjypti. Priftërinjtë e mallkuar që Ai ka zgjedhur për vete në vend të profetëve si miqtë e Tij më të ngushtë, tani bërtasin: "Largohu prej nesh!"
Libri 1 - KAPITULLI 49

Biri foli: "Më parë e krahasova veten me Mojsiun. Kur po i printe popullit, uji qëndroi si mur në të djathtë dhe në të majtë. Figurativisht Unë jam me të vërtetë Mojsiu. Unë e udhëhoqa popullin e Krishterë, domethënë hapa qiellin për të dhe i tregova rrugën. Por tani kam zgjedhur miq të tjerë për vete, më të veçantë dhe më të ngushtë se profetët, konkretisht priftërinjtë e Mi, të cilët jo vetëm i dëgjojnë dhe i shikojnë fjalët e Mia kur më shohin Mua vetë, por edhe më prekin me duar, gjë që asnjë nga profetët apo engjëjt nuk mund ta bënte.

Këta priftërinj të cilët i kam zgjedhur si miq në vend të profetëve, më thërrasin jo me dëshirë dhe dashuri siç bënin profetët, por thërrasin me dy zëra që bien ndesh me njëri-tjetrin. Pasi ata nuk thërrasin siç thërrisnin profetët: 'Eja, o Zot, sepse Ti je i mirë!' Por thërrasin: 'Largohu prej nesh sepse fjalët e Tua janë të hidhura dhe veprat e Tua të rënda dhe ato janë skandal për ne!' Ja dëgjoni se ç’thonë këta priftërinj të mallkuar! Unë qëndroj përpara tyre si delja më e butë dhe ata marrin lesh prej Meje për veshjet e tyre dhe qumësht për t’u ushqyer e megjithatë më përbuzin pse i dua kaq shumë.

Unë qëndroj përpara tyre si një vizitor që thotë: 'Mik, më jep çka më mungon dhe do të marrësh shpërblimin më të madh nga Hyji!' Por në këmbim të thjeshtësisë Sime prej deleje ata më përzënë si të isha ujk që u ka zënë pritë deleve. Në vend të mikpritjes më trajtojnë si tradhtar që nuk e meriton mikpritjen dhe nuk më pranojnë brenda. Çfarë do të bëjë vizitori i refuzuar? Mos duhet të përdorë armët kundër të zotit të shtëpisë që e përzë? Në asnjë mënyrë. Kjo nuk do të ishte e drejtë pasi zoti i shtëpisë mund të japë apo të refuzojë t’i japë gjërat e veta.

Çfarë do të bëjë atëherë vizitori? Me siguri do t’i thotë atij që e refuzon: 'Mik, meqë nuk don të më pranosh brenda, do të shkoj tek një tjetër që do të ketë mëshirë për Mua.' Dhe kur shkon tek dikush tjetër, Ai dëgjon prej tij: 'Mirëseerdhe zotëri, gjithçka e imja është e Jotja. Qofsh ti zotëria tani! Unë do të jem shërbëtori dhe bujtësi Yt.' Këto janë banesat ku më pëlqen të qëndroj, ku dëgjoj një zë të tillë. Unë jam si vizitori që njerëzit e refuzojnë. Edhe pse Unë mund të hyj në çfarëdo vendi në sajë të fuqisë Sime, prapë se prapë, për shkak të drejtësisë Sime, Unë hyj vetëm atje ku njerëzit më presin me vullnet të mirë si Zotërine e tyre të vërtetë, jo si bujtës, dhe e dorëzojnë vullnetin e tyre në duart e Mia."