Nëna dhe Biri këmbejnë bekime dhe lëvdata. Virgjëra krahasohet me arkën ku mbaheshin shkopi, mana dhe pllakat e Ligjit. Ky imazh përmban detaje të mrekullueshme.
Libri 1 - KAPITULLI 53

Maria i foli të Birit: "I bekuar je Ti, Biri im, Hyji im dhe Zoti i engjëjve! Ti je Ai zërin e të cilit dëgjuan profetët, trupin e të cilit panë apostujt, ai të cilin perceptuan Hebrenjtë dhe armiqtë e tu. Me natyrën Tënde hyjnore dhe njerëzore dhe me Shpirtin e Shenjtë Ti je një Hyj. Pasi profetët e dëgjuan Shpirtin, apostujt e panë lavdinë e hyjnisë Sate, Hebrenjtë kryqëzuan trupin Tënd. Prandaj qofsh bekuar pa fillim dhe pa fund!" Biri u përgjigj: "Bekuar qofsh ti, sepse ti je edhe Virgjër edhe Nënë! Ti je arka e Ligjit të Vjetër ku ndodheshin këto tre gjëra: shkopi, mana dhe pllakat.

Tre gjëra u bënë me shkopin. E para, ai u shndërrua në gjarpër pa helm. E dyta, deti u nda me të. E treta, nga shkëmbi u nxorr ujë. Ky shkop më simbolizon Mua që ndenja në krahërorin tënd dhe mora natyrë njerëzore prej teje. Së pari, Unë jam po aq i frikshëm për armiqtë e Mi sa ç’ish gjarpri për Mojsiun. Ata ia mbathën prej Meje sikur të kishin përpara një gjarpër; ata kanë tmerr prej Meje dhe më përçmojnë si gjarpër, edhe pse jam pa helmin e ligësisë dhe jam plot me çdo mëshirë. Nëse duan, Unë pranoj që ata të më mbajnë. Unë kthehem tek ta nëse ma kërkojnë këtë. Unë rend tek ta si një nënë tek një bir i humbur dhe i gjetur, nëse më thërrasin. U tregoj mëshirë dhe ua fal mëkatet nëse luten.

E bëj këtë për ta e megjithatë ata më përçmojnë si gjarpër. Së dyti, deti u nda nga ky shkop në kuptimin që rruga drejt qiellit, e mbyllur nga mëkati, u hap nga gjaku dhe dhimbja Ime. Deti ne fakt u hap dhe çka ish i pakalueshëm u bë shteg kur dhimbja në gjithë gjymtyrët e Mia arriti në zemër dhe zemra më plasi nga forca e dhimbjes. Pastaj, pasi e nxori popullin nga deti, Mojsiu nuk i çoi ata drejt e në tokën e premtuar, por në shkretëtirë që të viheshin në provë dhe të mësonin.

Edhe tani që njerëzit e kanë pranuar besimin dhe urdhëresat e Mia, ata nuk vijnë drejt e në qiell, por është e nevojshme që ata të provohen në shkretëtirë, pra në botë, në lidhje me dashurinë që kanë për Hyjin. Përveç kësaj populli e provokoi Hyjin me tre gjëra në shkretëtirë: së pari e provokoi kur bëri një idhull për vete dhe e adhuroi; së dyti e provokoi kur ankohej për mungesën e kusive me mish që hante në Egjipt; së treti e provokoi me krenari kur deshën të shkojnë dhe t’i luftojnë armiqtë e tyre pa pëlqimin e Hyjit. Njerëzit tani mëkatojnë kundër Meje në të njëjtën mënyrë. E para ata adhurojnë një idhull sepse duan botën dhe gjithçka që është në të më tepër sesa më duan Mua që jam Krijuesi i tyre. Në të vërtetë bota është hyji i tyre, jo Unë. Siç thashë në Ungjillin Tim: 'Aty ku është thesari i njeriut, atje ai e ka zemrën.' Prandaj thesari i tyre është bota pasi e kanë zemrën atje dhe jo tek Unë. Prandaj ashtu si ata të tjerët u zhdukën në shkretëtirë nga shpata që u përshkoi trupin, edhe këta do të zhbihen nga shpata e mallkimit të përjetshëm që do t’u përshkojë shpirtin dhe në mallkim do të jetojnë pa fund.

E dyta ata mëkatuan kur u ankuan për mungesën e kusive me mish. Unë i kam dhënë njerëzimit gjithçka që i nevojitet për një jetë të ndershme dhe të moderuar, por ata duan të zotërojnë gjithë gjërat pa fre dhe masë. Pasi nëse fiziku do t’ua lejonte, ata vazhdimisht do të kryenin marrëdhënie seksuale, do të pinin pa kufizim, do të dëshironin pa masë; dhe për aq kohë sa do të mundeshin, nuk do të hiqnin dorë kurrë nga të mëkatuarit. Për këtë arësye e njëjta gjë do t’u ndodhë këtyre ashtu siç u ndodhi atyre në shkretëtirë: do të vdesin papritur. Sepse çfarë është koha e kësaj jete në krahasim me përjetësinë përveçse një çast i vetëm? Prandaj, për shkak të shkurtësisë së kësaj jete, vdekja e tyre fizike do të jetë e shpejtë dhe do të jetojnë në vuajtje shpirtërore përgjithmonë.

E treta ata mëkatuan në shkretëtirë nga krenaria pasi deshën të shkojnë në betejë pa pëlqimin e Hyjit. Njërëzit duan të shkojnë në qiell me anë të krenarisë së tyre. Ata nuk më besojnë Mua por vetes së vet, duke bërë vullnetin e vet dhe duke braktisur Timin. Prandaj ashtu si ata të tjerët u vranë nga armiqtë e tyre, edhe këta do të vriten në shpirt nga djajtë dhe tortura e tyre do të jetë e përjetshme. Në këtë mënyrë më urrejnë si gjarpër dhe adhurojnë një idhull në vendin Tim dhe duan krenarinë e vet në vend të përvujtërisë sime. Mëgjithatë, Unë jam ende aq i mëshirshëm saqë nëse kthehen tek Unë me zemër të penduar, Unë do të kthehem tek ta si një baba i përkushtuar dhe do t’i mirëpres.

Së treti, shkëmbi nxorri ujë me anë të këtij shkopi. Ky shkëmb është zemra e ngurtë njerëzore. Kur ajo çpohet nga frika dhe dashuria Ime, menjëherë rrjedhin lotë pendese prej saj. Askush nuk është aq i pavlefshëm, asnjë aq i keq, saqë lotët të mos i rrjedhin rrëke dhe çdo gjymtyrë e tij të mos shtyhet në devocion, nëse do të kthehej tek Unë, nëse do të reflektonte në zemrën e tij për vuajtjet e Mia, nëse do të mendonte për pushtetin Tim, nëse do të sillte ndërmend që mirësia ime i bën tokën dhe pemët të japin fryt. Në arkën e Mojsiut, së dyti gjendej mana. Po ashtu në ty, Nëna dhe Virgjëra ime, u gjend buka e engjëjve dhe e shpirtrave të shenjtë këtu në tokë, të cilët asgjë nuk i kënaq përveç ëmbëlsisë Sime, për të cilët gjithë bota është e vdekur, të cilët, nëse do të ish vullneti Im, do të rrinin pa ngrënë.

Së treti në arkë ishin pllakat e Ligjit. Po kështu në ty gjendej Zotëria i gjithë ligjeve. Prandaj qofsh bekuar mbi gjithë krijesat në qiell dhe në tokë!" Pastaj Ai i foli nuses duke thënë: "Thuaju miqve të Mi tre gjëra. Kur banoja fizikisht në botë, Unë i zbuta fjalët e Mia që ato t’i bënin të mirët më të fortë dhe të devotshëm. Në fakt të këqinjtë u përmirësuan, siç ishte rasti me Maria Magdalenën, Mateun dhe shumë të tjerë. Po ashtu Unë i zbuta fjalët e Mia që armiqtë e Mi të mos ishin në gjendje ta pakësonin forcën e tyre. Prandaj ata që i marrin fjalët e Mia le të punojnë me zell në mënyrë që të mirët të bëhen më të zjarrtë në mirësi nëpërmjet fjalëve të Mia, të këqinjtë të pendohen për ligësinë e tyre dhe mos t’i lejojnë armiqve të Mi që të pengojnë fjalët e Mia.

Aq sa mund t’u bëj keq engjëjve në qiell, aq I bëj keq edhe djallit. Pasi, nëse do të doja, Unë fare mirë mund t’i shqiptoja fjalët e Mia që t’i dëgjonte gjithë bota. Unë jam në gjendje që ta hap ferrin që të gjithë të shohin ndëshkimet e tij. Por kjo nuk do të ishte e drejtë pasi njerëzit do të më shërbenin nga frika, në një kohë që duhet të më shërbejnë nga dashuria. Pasi vetëm ai që ka dashuri do të hyjë në mbretërinë e qiellit. Përveç kësaj Unë do t’i hyja në hak djallit nëse do t’i merrja skllevërit e tij të ligjshëm kur ata nuk bëjnë vepra të mira. Do t’i hyja në hak edhe engjëjve në qiell nëse shpirti i njeriut të papastër do të vihej në një nivel me atë që është i pastër dhe i zjarrtë në dashuri.

Askush nuk do të hyjë në qiell përveç atyre që janë provuar si ar në zjarrin e purgatorit ose që kanë dhënë provë për vetveten me vepra të mira në tokë duke fshirë çdo njollë. Nëse nuk di se kujt i duhen dërguar fjalët e Mia, po ta them Unë. Meriton t’i marrë fjalët e Mia ai që do të fitojë merita me vepra të mira për të hyrë në qiell, apo ai që tashmë i ka merituar me vepra të mira që ka bërë në të shkuarën. Fjalët e Mia u duhen zbuluar njerëzve të tillë dhe duhet të hyjnë tek ta. Ata që i shijojnë fjalët e Mia dhe përvujtërisht presin gdhendjen e emrave të tyre në librin e jetës, i mbajnë fjalët e Mia. Ata që nuk i shijojnë ato, në fillim i provojnë, pastaj nxjerrin duke i vjellë menjëherë."