Fjalët që një engjëll i drejton nuses në lidhje me shpirtin e mendimeve të saj. Ka dy shpirtra, një i pakrijuar dhe tjetri i pakrijur, secili me karakteristikat e veta.
Libri 1 - KAPITULLI 54

Nië engjëll i foli nuses duke i thënë: "Ka dy shpirtra, njëri i pakrijuar dhe tjetri i krijuar. I pakrijuari ka tre karakteristika. Në radhë të parë ai është i nxehtë, së dyti i ëmbël, së treti i pastër. E para, ai jep nxehtësi jo nga gjërat e krijuara por nga vetja, duke qenë se, së bashku me Atin dhe me Birin, Ai është Krijues i gjithë gjërave dhe i plotfuqishëm. Ai jep nxehtësi sa herë që shpirti digjet nga dashuria për Hyjin. E dyta, Ai është i ëmbël sa herë që shpirti nuk gjen kënaqësi dhe gëzim përveçse në Hyjin dhe kur mediton mbi veprat e Tij. E treta, Ai është i pastër dhe në Të nuk mund të gjendet mëkat, as deformim, as korrupsion, as ndryshim. Ai nuk lëshon nxehtësi si zjarr material apo si dielli i dukshëm që i shkrin gjërat. Nxehtësia e Tij është dashuria dhe dëshira e brendshme e shpirtit që e mbush atë dhe e rrit në Hyjin. Ëmbëlsia që i shfaq shpirtit nuk është si ajo verërave të zgjedhura apo e kënaqësive sensuale, apo e çdo gjëje tjetër që i përket kësaj bote.

Përkundrazi, ëmbëlsia e shpirtit është e pakrahasueshme me çdo ëmbëlsi të përkohshme dhe e paimagjinueshme nga ata që nuk e kanë provuar. E treta, Shpirti është i pastër si rrezet e diellit ku nuk mund të gjendet njollë. Së dyti, shpirti i krijuar ka tre karakteristika. Ai digjet, është i hidhur dhe i papastër. E para, ai digjet dhe konsumohet si zjarr pasi e ndez shpirtin që zotëron me epsh dhe dëshira të mbrapshta në atë masë saqë shpirti nuk mund të mendojë as të dëshirojë gjë tjetër veç përmbushjes së këtyre dëshirave, e si pasojë jeta e tij e përkohshme kalon pa nder dhe ngushëllim.

E dyta, ai është i hidhur si vrer, pasi ai aq e ndez shpirtin me epshin e tij saqë kënaqësitë e ardhshme i duken një hiç dhe të mirat e përjetshme i duken marrëzi. Gjithçka që ka të bëjë me Hyjin dhe që shpirti është i detyruar të bëjë për Të, i duket e hidhur e neveritshme si çorbë e prishur dhe vrer. E treta, ai është i papastër pasi e bën shpirtin aq të pacipë dhe të prirur drejt mëkatit saqë ai nuk skuqet nga asnjë mëkat dhe nuk do të hiqte dorë nga asnjë mëkat po të mos i vinte turp nga njerëzit më tepër seç i vjen nga Hyji.

Prandaj shpirti digjet si zjarr, sepse ai digjet për fëlliqësira dhe ndez të tjerët bashkë me veten. Prandaj shpirti është i hidhur, sepse çdo e mirë është e hidhur për të dhe ashtu si për vete, ai don ta bëjë të mirën të hidhur edhe për të tjerët. Prandaj është i papastër, sepse gjen gëzim në fëlliqësi dhe kërkon t’i bëjë të tjerët si vetja. Tani ti mund të më pyesësh dhe të thuash: 'A nuk je edhe ti shpirt i krijuar si ai tjetri? Pse nuk je si ai?’ Unë të përgjigjem: Sigurisht që edhe mua më ka krijuar po Ai Hyj që ka krijuar shpirtin tjetër, pasi ka vetëm një Hyj, Ati, Biri dhe Shpirti Shenjt dhe këta të tre nuk janë tre hyje por një Hyj.

Që të dy jemi bërë mirë dhe u krijuam për mirë, pasi Hyji nuk ka krijuar gjë tjetër përveç gjërave të mira. Por Unë jam si yll pasi kam qëndruar palëkundur në mirësinë dhe dashurinë e Hyjit në të cilat u krijova. Ndërsa ai është si thëngjill pasi e ka braktisur dashurinë e Hyjit. Prandaj ashtu si një yll ka shkëlqim dhe vezullim, ndërsa thëngjilli është i zi pis, një engjëll i mirë që është si yll ka shkëlqimin e vet, domethënë Shpirtin Shenjt. Pasi gjithçka që ka, e ka nga Hyji, nga Ati, Biri dhe Shpirti Shenjt. Ai ngrohet në dashurinë e Hyjit, ai shkëlqen në shkëlqimin e Tij dhe rri me Të e i nënshtrohet vullnetit të Tij pa dashur kurrë ndonjë gjë që Hyji nuk e don. Prandaj digjet, prandaj është i pastër.

Djalli është si një thëngjill i shëmtuar dhë më i shëmtuar se çdo krijesë tjetër, sepse, ashtu siç ish më i bukur se të tjerët, meritoi të bëhej më i shëmtuar se të tjerët pasi iu kundërvu Krijuesit të tij. Ashtu sikurse engjëlli i Hyjit shkëlqen me dritën e Hyjit dhe digjet papushim në dashurinë e Tij, po ashtu djalli digjet papushim në ankthin e ligësisë së vet. Ligësia e tij është e pangopur ashtu sikurse hiri dhe mirësia e Shpirtit Shenjt është e patregueshme. Pasi nuk ka asnjë në botë që të jetë aq i rrënjosur në djallin saqë shpirti i mirë mos ta vizitojë herë pas here dhe t’i prekë zemrën. Po ashtu nuk ka asnjë aq të mirë saqë djalli të mos përpiqet ta ngacmojë me tundim. Shumë njerëz të mirë dhe të drejtë janë tunduar nga djalli me lejen e Hyjit. Kjo jo për ligësinë e tyre, por për lavdinë e tyre më të madhe.

Biri i Hyjit, një në hyjni me Atin dhe Shpirtin Shenjt, u tundua në natyrën njerëzore që pati marrë. Aq më tepër vihen në provë të zgjedhurit e Tij për një shpërblim më të madh! Prapë, shumë njerëz të mirë ndonjëherë bien në mëkat dhe ndërgjegja e tyre errësohet nga fallsiteti i djallit, por ata kthehen më të fortë dhe qëndrojnë më të fortë se më parë me fuqinë e Shpirtit Shenjt. Nuk ka asnjë që nuk e kupton këtë në ndërgjegjen e vet, qoftë kur sugjerimi i djallit e çon në deformimin e mëkatit apo kur e çon në të mirë, mjaft që ai të mendojë për këtë dhe ta shqyrtojë me kujdes. Prandaj nusja e Zotit tim, nuk duhet të dyshosh nëse shpirti i mendimeve të tua është i mirë apo i keq.

Pasi ndërgjegja të tregon çfarë gjërash të injorosh dhe çfarë të zgjedhësh. Ç’mund të bëjë një shpirt që është plot me djallin kur shpirti i mirë nuk mund të hyjë në të pasi është plot me ligësi? Ai duhet të bëjë tre gjëra. Ai duhet të bëjë një rrëfim të sinqertë dhe të plotë të mëkateve. Edhe nëse nuk ndjen keqardhje në zemër për shkak të zemrës së ngurtësuar, prapë se prapë i bën mirë pasi për shkak të rrëfimit djalli i jep ca pushim dhe largohet nga shpirti i mirë. E dyta le të tregohet i përvuajtur dhe të vendosë t’i shlyejë mëkatet që ka kryer dhe të bëjë çdo të mirë që mundet dhe pastaj djalli do të nisë të largohet. E treta, për ta kthyer shpirtin e mirë përsëri, ai duhet t’i lutet Hyjit përvujtërisht dhe, me dashuri të vërtetë, t’i vijë keq për mëkatet që ka kryer, pasi dashuria për Hyjin e vret djallin.

Djalli është aq ziliqar dhe cmirëzi saqë do preferonte më mirë të vdiste njëqind herë sesa të shihte dikë që bën për Hyjin qoftë edhe të mirën më të vogël nga dashuria për Të." Pastaj Virgjëra Mari i foli nuses duke thënë: "Nusja e re e tim Biri, vishu, vër karficën, domëthënë mundimet e Birit Tim!" Ajo iu përgjigj: "Zoja ime, ma vër ti vetë!" Dhe ajo tha: "Patjetër që do të ta vë. Unë dua edhe që ti ta dish sesi Biri im ishte i predispozuar dhe pse etërit e prisnin me aq padurim. Ai si të thuash qëndronte mes dy qyteteve. Një zë nga qyteti i parë i thërriti duke thënë: 'Ti që qëndron mes dy qyteteve, ti je njeri i urtë pasi ti di të ruhesh nga rreziqet që afrohen.

Ti je edhe boll i fortë për të duruar të këqijat që kanosen. Ti je edhe kurajoz pasi nuk trembesh nga asgjë. Të kemi dëshiruar dhe të kemi pritur. Hape portën tonë! Armiqtë po e pengojnë të hapet!' Nga qyteti i dytë u dëgjua një zë që thoshte: 'O njeri i mirë dhe i fortë, dëgjoji ankimet dhe rënkimet tona! Ne qëndrojmë në errësirë dhe vuajmë uri dhe etje të padurueshme. Shikoje mjerimin tonë dhe varfërinë tonë të mjerueshme! Na shkelin si bar i kositur. Në jemi vyshkur larg çdo mirësie dhe gjithë forca na ka lënë. Eja e na shpëto pasi Ti vetëm je ai që pritnim, shpresonim tek Ti si çlirimtari ynë!

Eja dhe jepi fund varfërisë sonë, ktheje kujën tonë në gëzim. Ji ndihma dhe shpëtimi ynë! Eja o trupi më i denjë dhe i bekuar që linde nga Virgjëra e pastër!' Biri im i dëgjoi këto dy zëra që vinin nga dy qytetet, domethënë nga qielli dhe ferri. Prandaj në mëshirën e vet ai hapi dyert e ferrit me mundimet e Tij të mëdha, duke derdhur gjakun, dhe i shpëtoi miqtë e Tij të atjeshëm. Ai hapi edhe qiellin dhe i dha gëzim engjëjve duke çuar atje miqtë që kish shpëtuar nga ferri. Bija ime, mendo për këto gjëra dhe mbaji gjithmonë parasysh!"