Krishti i përngjan një zotërie të fuqishëm që ndërtoi një qytet të madh dhe një pallat të bukur që simbolizojnë botën dhe kishën. Gjykatësit, mbrojtësit dhe punëtorët e kishës i kanë hyrë një rruge të gabuar.
Libri 1 - KAPITULLI 55

Unë jam si një zotëri i fuqishëm që ndërtoi një qytet dhe i vuri emrin e tij. Në qytet pastaj ai ndërtoi një pallat në të cilin kish dhoma të vogla për nevoja magazinimi. Pasi ndërtoi pallatin dhe i vuri në vijë punët e veta, ai e ndau popullin e vet në tre grupe duke thënë: 'Po nisem drejt viseve të largëta. Qëndroni të palëkundur dhe punoni me guxim për lavdinë Time! Kam marrë masa për ushqimin dhe nevojat tuaja. Keni gjykatës për t’ju gjykuar. Keni mbrojtës për t’ju mbrojtur nga armiqtë. Kam marrë masa edhe për punëtorë që t’ju ushqejnë. Ata do të më paguajnë një të dhjetën e punës së tyre, duke e rezervuar për përdormin Tim dhe në nderin Tim.'

Megjithatë, pasi kaloi ca kohë që ai ishte larguar, emri i qytetit u harrua. Pastaj gjykatësit thanë: 'Zotëria ynë ka shkuar në vise të largëta. Le të gjykojmë drejt dhe të bëjmë drejtësi që kur zotëria ynë të kthehet të mos qëndrojmë në bankën e të akuzuarve por të meritojmë lëvdata dhe bekime.' Pastaj mbrojtësit thanë: 'Zotëria ynë ka besim tek ne dhe na ka vënë në mbrojtje të shtëpisë së tij. Pra le të abstenojmë nga ushqimi dhe pija e tepruar, që të mos behëmi të paaftë për betejë! Lë të abstenojmë nga gjumi i tepruar, që të mos na zënë në befasi! Le të armatosemi mirë dhe të jemi gjithnjë vigjilentë që të mos të na gjejë papërgatitur sulmi i armikut!

Nderi i zotërisë sonë dhe siguria e popullit të tij varet shumë nga ne.' Pastaj punëtorët thanë: 'Zotëria ynë është i madh dhe shpërblimi që jep është i lavdishëm. Pra le të punojmë fuqishëm dhe t’i japim jo vetëm të dhjetën e punës sonë, por edhe gjithçka që tepron nga shpenzimet tona të jetesës! Shpërblimi ynë do të jetë akoma më i lavdishëm sa më e madhe të jetë dashuria që ai sheh tek ne.' Pas kësaj kaloi prapë ca kohë dhe zotëria i qytetit dhe i pallatit u harrua. Pastaj gjykatësit thanë me vete: ‘Zotëria ynë po vonohet shumë. Nuk dimë a do të kthehet apo jo. Prandaj le të gjykojmë siç na pëlqen dhe të bëjmë ç’të duam!'

Pastaj mbrojtësit thanë: 'Jemi të marrë sepse punojmë dhe nuk dimë ç’shpërblim do të marrim. Le të bëjmë aleancë me armiqtë dhe të flejmë e pimë me ta! Pasi s’ka ç’na duhet se armiqtë e kujt kanë qenë.' Pastaj punëtorët thanë: 'Pse e ruajmë arin tonë për një tjetër? Nuk dimë se kush do ta marrë pas nesh. Prandaj është më mirë që ta përdorim e të bëjmë me të ç’të duam. Le t’u japin të dhjetat gjykatësve që duke i zbutur të mund të bëjmë ç’të duam.' Me të vërtetë Unë jam si ai zotëriai fuqishëm. Ndërtova për vete një qytet, domethënë botën, dhe vendosa në të një pallat, domethënë kishën. Emri që iu vu botës ishte urtia hyjnore pasi bota e kish këtë emër qysh nga fillimi duke qenë se u bë me urti hyjnore.

Ky emër nderohej nga të gjithë dhe Hyji lëvdohej për urtinë e Tij dhe mrekullisht pranohej nga të gjitha krijesat. Tani emri i qytetit është përdhosur dhe ndërruar dhe urtia njerëzore është emri ri që përdoret. Gjykatësit që më marë merrnin vendime të drejta në frikën e Hyjit, mbahen me të madh dhe janë shkak për rënien e njerëzve të thjeshtë. Dëshirojnë të jenë elokuentë për të fituar lëvdata nga njerëzit; flasin përzemërsisht që të fitojnë privilegje; i tolerojnë lehtësisht të gjitha fjalët që t’i quajnë të mirë dhe të butë; pranojnë rryshfete për të dhënë vendime të padrejta. Janë të urtë kur vjen puna për interesat e tyre tokësore dhe dëshirat e tyre, por janë gojëkyçur kur vjen puna për të më lëvduar Mua. I nëpërkëmbin njerëzit e thjeshtë dhe ua mbyllin gojën. E shtrinë lakminë e vet tek të gjithë dhe e bëjnë të drejtën të gabuar. Kjo është urtia që duan njerëzit sot, ndërsa e Imja është harruar.

Mbrojtësit e kishës, që janë fisnikët dhe kavalierët, i shohin armiqtë e Mi, plaçkitësit e kishës Sime, dhe bëjnë sikur nuk shohin. I dëgjojnë akuzat e tyre dhe nuk duan t’ia dinë. Ata i njohin dhe i kuptojnë veprat e atyre që i sulmojnë urdhëresat e Mia e megjithatë i tolerojnë pa e bërë qejfin qeder. Ata i shikojnë çdo ditë tek bëjnë mëkate mortore pa i ndëshkuar dhe pa i vrarë ndërgjegja, madje flenë pranë e pranë me ta dhe kanë marrëdhënie me ta, duke e u betuar për miqësinë me ta. Punëtorët, që përfaqësojnë të gjithë shtetasit, i refuzojnë urdhëresat e Mia e nuk më japin dhuratat dhe të dhjetat që më takojnë. U japin rryshfet gjykatësve dhe u tregojnë respekt për të fituar pëlqimin e tyre. Madje marr guximin të them se shpata e frikës për Mua dhe kishën time është hedhur tej dhe se një thes me para është pranuar në vend të saj.