Zoti i tregon nuses që Ai është ushqim i padëshirueshëm për shpirtrat e të Krishterëve, ndërsa botën ata e duan dhe gjejnë gëzim në të. Për ndëshkimin e tmerrshëm që i pret këta njerëz.
Libri 1 - KAPITULLI 57

Biri i foli nuses: "Të Krishterët tani po sillen me Mua ashtu siç u sollën Hebrenjtë. Hebrenjtë më përzunë nga Tempulli dhe e kishin ndarë mendjen të më vrisnin, por duke qenë se ora Ime ende nuk kish ardhur, Unë u shpëtova nga duart. Kështu sillen të Krishterët tani me Mua. Ata më përzënë nga tempulli i tyre, domethënë nga shpirti i tyre që duhet të jetë tempulli Im dhe do të më vrisnin menjëherë nëse do të mundeshin. Në gojën e tyre Unë jam si mish i prishur që bie erë dhe mendojnë se Unë them gënjeshtra dhe nuk duan t’ia dinë aspak për Mua. Më kthejnë shpinën, por Unë do ta fsheh fytyrën prej tyre pasi nuk kanë asgjë përveçse lakmi në gojë dhe vetëm epsh shtazor në trup. Vetëm kotësirat i kënaqin sytë e tyre. Pasionin dhe dashurinë Time nuk i honepsin dhe jeta Ime u duket barrë.

Prandaj Unë do të veproj si kafsha që kishte shumë strofulla: kur gjuetarët e gjëmonin në një strofull, ajo ia mbathte tek një tjetër. Do ta bëj këtë sepse të Krishterët po më përndjekin me veprat e tyre të këqija dhe më kanë përzënë nga strofulla e zemrës së tyre. Prandaj Unë do të shkoj tek Paganët në gojën e të cilëve tani dukem i hidhur dhe pa shije, por do të bëhem më i ëmbël se mjalti për ta. Megjithatë akoma jam aq i mëshirshëm sa do ta mirëpres këdo që kërkon falje dhe thotë: 'Zot, unë e di se kam mëkatuar rëndë dhe lirisht dua ta përmirësoj jetën me hirin Tënd. Ki mëshirë për mua për hir të mundimeve të Tua të mëdha!' Por për ata që vazhdojnë të bëjnë keq, Unë do të vij si një gjigand që ka tre karakteristika: është i frikshëm, i fortë dhe i ashpër. Do të vij e t’u kall një frikë të tillë të Krishterëve saqë të mos guxojnë të ngrejnë as gishtin e vogël kundër Meje. Do të vij edhe me një fuqi të tillë saqë ata do të duken si xhuxha para Meje. E treta, do të vij me aq ashpërsi saqë atyre do të pendohen dhe do të vuajnë përjetësisht."