Biri i flet nuses për tre kategori të Krishterësh që simbolizohen nga Hebrenjtë që jetonin në Egjipt. Miqtë e Hyjit duhet t’ua bëjnë të ditura njerëzve të paditur këto rrëfime që i janë dhënë nuses.
Libri 1 - KAPITULLI 60

Biri i foli nuses duke thënë: "Unë jam Hyji i Izraelit, Ai që foli me Mojsiun. Kur e dërgova tek populli Im, Mojsiu kërkoi një shenjë duke thënë, 'Përndryshe populli nuk do të më besojë.' Nëse populli të cilit iu dërgua Mojsiu i përkiste Hyjit, pse nuk pati besim ai? Duhet ta dini se kishte tre lloj njerëzish mes Hebrenjve. Disa prej tyre besonin në Hyjin dhe në Mojsiun. Të tjerët besonin në Hyjin por nuk kishin besim tek Mojsiu sepse mendonin se ndoshta ai po thoshte dhe bënte gjëra nga mendja e vet dhe prej mendjemadhësisë. Lloji i tretë ishin ata që nuk besonin as në Hyjin as në Mojsiun.

Po ashtu tani ka tre lloj njerëzish në rradhët e të Krishterëve që simbolizohen nga Hebrenjtë. Ka disa që vërtet besojnë në Hyjin dhe në fjalët e Mia. Ka të tjerë që besojnë në Hyjin por nuk kanë besim tek fjalët e Mia sepse nuk dinë si ta dallojnë shpirtin e mirë nga i keqi. Lloji i tretë janë ata që as besojnë në Mua as besojnë që ty të kam folur Unë. Por, siç thashë, edhe pse disa prej Hebrenjve nuk kishin besim tek Mojsiu, prapë se prapë ata të gjithë e kaluan Detin e Kuq me të e dolën në shkretëtirë ku ata që nuk kishin besim adhuruan idhujt duke ndezur zemërimin e Hyjit. Për pasojë vdiqën mjerisht edhe pse këtë e bënë vetëm ata që nuk kishin fe.

Për këtë arësye duke qenë se shpirti njerëzor është i avashtë për të besuar, miku Im duhet t’ua bëjë të ditura fjalët e Mia atyre që kanë besim në të. Pastaj ata do t’u përcjellin të tjerëve që nuk dinë të bëjnë dallim mes një shpirti të mirë dhe një shpirti të keq. Nëse dëgjuesit u kërkojnë një shenjë, le t’u tregojnë atyre një shkop ashtu siç bëri Mojsiu, domethënë le t’ua shpjegojnë atyre fjalët e Mia. Shkopi i Mojsiut ish i drejtë dhe për shkak të shndërrimit në gjarpër ishte edhe i frikshëm. Po ashtu fjalët e Mia janë të drejta dhe nuk ka gënjeshtra në to. Ato janë të frikshme sepse tregojnë një gjykim të drejtë. Le t’u shpjegojnë dhe të deklarojnë se nëpërmjet fjalëve dhe zërit të një goje të vetme, djalli u largua nga krijesa e Hyjit – po ai djall që mund të lëvizë malet nëse fuqia Ime nuk do ta pengonte.

Ç’pushtet i përkiste atij me lejen e Hyjit, nëse ai ia mbathi nga tingëllimi i një fjale të vetme? Po ashtu si ata Hebrenj që, edhe pse nuk besonin as në Hyjin as në Mojsiun, u larguan nga Egjipti drejt tokës së premtuar, gati si të ishin të detyruar të shkonin me të tjerët, po kështu shumë të Krishterë do të dalin pa dashur së bashku më të zgjedhurit e Mi, pa besuar në fuqinë Time shpëtimtare.
Ata nuk besojnë aspak në fjalët e Mia; ata vetëm sa kanë një shpresë të rremë në fuqinë Time. Megjithatë fjalët e Mia do të përmbushen edhe pse ata nuk duan dhe ata si të thuash do të detyrohen të përparojnë derisa të arrijnë aty ku dua Unë."