Fjalët e Virgjërës së lavdishme drejtuar bijës së saj rreth mënyrës së të veshurit dhe llojit të petkave dhe zbukurimeve me të cilat bija duhet zbukuruar dhe veshur.
Libri 1 - KAPITULLI 7

Unë jam Maria që ka lindur Birin e Hyjit, Hyj i vërtetë dhe njeri i vërtetë. Unë jam Mbretëresha e engjëjve. Im Bir të do me gjithë zemër. Prandaj duaje! Ti duhet të zbukurohesh me petkat më të bukura dhe unë do të të tregoj si dhe çfarë rrobash duhet të veshësh. Ashtu si më parë mbaje kanatiere, sipër saj bluzë, këpucë, mantel dhe një karficë mbi gjoks, kështu tani duhet të veshësh veshje shpirtërore. Kanatierja është pendesa. Ashtu sikurse kanatierja vishet ngjitur me trupin, po ashtu pendesa dhe rrëfimi janë rruga e parë drejt kthimit tek Hyji. Nëpërmjet saj mendja, e cila dikur gjente kënaqësi në mëkat, pastrohet dhe trupi i pafre mbahet nën kontroll. Dy këpucët janë dy predispozitat, konkretisht njeti për të ndrequr shkeljet e dikurshme dhe njeti për të bërë mirë dhe për të qëndruar larg së keqes. Bluza jote është shpresa tek Hyji. Sikurse bluza ka dy mëngë, ashtu shpresa jotë pastë drejtësi dhe mëshirë. Në këtë mënyrë do të shpresosh për mëshirën e Hyjit sepse ti nuk e shpërfill drejtësinë tij.

Sille ndërmend drejtësinë dhe gjykimin e tij pa harruar mëshirën e tij, pasi ai nuk ushtron drejtësi pa mëshirë e as mëshirë pa drejtësi. Manteli është feja. Ashtu sikurse manteli mbulon gjithçka dhe githçka mbështillet brenda tij, po ashtu natyra njerëzore mund të përfshijë dhe fitojë gjithçka nëpërmjet fesë. Ky mantel duhet zbukuruar me nishanet e dashurisë së dhëndrit, konkretisht me mënyrën se si të ka krijuar, se si të ka shëlbuar, se si të ka ushqyer e të ka futur brenda shpirtit të vet dhe të ka hapur sytë shpirtërorë. Karfica është kujtimi i mundimeve të tij. Ngulite fort në zemër mendimin se si e tallën dhe fshikulluan, se si në kryq -ende gjallë- kullonte gjak i shpuar në çdo nerv, se si në vdekje i gjithë trupi iu drodh nga dhimbjet e mprehta të mundimeve, se si e braktisi shpirtin e tij në duart e Atit. Qëndroftë kjo karficë gjithnjë mbi gjoksin tënd! Në kokën lër të të vënë një kurorë, domethënë pastërtinë e afeksioneve të tua, që të bën të preferosh më mirë torturën sesa njollosjen. Qofsh e thjeshtë dhe e denjë! Mos mendo për asgjë, mos dëshiro tjetër veç Hyjit dhe Krijuesit tënd. Kur ke atë, ke gjithçka. E zbukuruar kështu do të presësh dhëndrin.