Fjalët e Mbretëreshës së Qiellit drejtuar bijës së saj të shtrenjtë në lidhje me dashurinë e madhe që Biri kishte për Nënën Virgjër dhe sesi Nëna e Krishtit u ngjiz nga një martesë e pastër dhe u shenjtërua në krahërorin e së ëmës dhe se si ajo u ngrit me trup dhe shpirt në Qiell dhe rreth fuqisë së emrit të saj dhe engjëjve që i caktohen njeriut për të mirë ose keq.
Libri 1 - KAPITULLI 9

Unë jam Mbretëresha e Qiellit. Duaje tim Bir sepse Ai është tejet i denjë; kur ke Atë ke gjithçka që ia vlen. Ai është tejet i dëshirueshëm; kur ke Atë ke gjithçka që është e dëshirueshme. Duaje Atë edhe sepse është i virtytshëm; kur ke Atë i ke të gjithë virtytet. Lërmë të të rrëfej se sa e madhe është dashuria e tij për trupin dhe shpirtin tim dhe se sa nder Ai i dha emrit tim. Ai, im Bir, më deshi përpara se unë ta doja sepse Ai është Krijuesi im. Ai i bashkoi nënën dhe babain tim në një martesë aq të pastër saqë nuk kish tjetër çift aq të pastër sa ata. Ata kurrë nuk deshën të kishin marrëdhënie përveçse sipas Ligjit, pra vetëm për hir të ngjizjes së një fëmije. Qysh se një engjëll u shpalli se do të kishin për fëmi Virgjërën nga e cila do të vinte shpëtimi i botës, ata ishin gati më mirë të vdisnin se sa të bashkoheshin me dashuri epshore; epshi kish vdekur për ta.

Por të siguroj se prej dashurisë hyjnore, bazuar në fjalët e engjëllit, ata u bënë një trup jo prej epshit por nga dashuria për Hyjin. Në këtë mënyrë unë u ngjiza nga fara e tyre prej dashurisë hyjnore. Pasi u formua trupi im, Hyji dërgoi shpirtin e krijuar brenda tij prej Hyjnisë së Vet; shpirti u shenjtërua menjeherë së bashku me trupin dhe engjëjt kujdeseshin për të ditë e natë. Është e pamundur të të tregoj se ç’lumturi e madhe e përfshiu nënën time kur shpirti im u shenjtërua dhe u bashkua me trupin. Më pas, pasi u plotësuan ditët e mia mbi tokë, Ai fillimisht ngriti në Qiell shpirtin tim, si epror i trupit, në një vend më të lartë se i të tjerëve, pranë lavdisë së Hyjnisë së Tij dhe më pas lartësoi trupin tim aq lart saqë trupi i asnjë krijese nuk është më afër Hyjit sesa i imi.

Shih sa shumë im Bir e deshi shpirtin dhe trupin tim! E megjithatë ka disa njerëz që me ligësi mohojnë se unë jam në Qiell me trup dhe shpirt dhe janë disa të tjerë që thjesht nuk arrijnë ta kuptojnë këtë. Por kjo e vërtetë është e sigurtë: unë u ngjita në lavdinë e Hyjit me trup dhe shpirt. Dëgjo sa shumë im Bir e ka nderuar emrin tim! Mua më quajnë Mari, siç thotë Ungjilli. Kur engjëjt e dëgjojnë këtë emër ata, me inteligjencën e tyre, galdojnë dhe falenderojnë Hyjin që ka bërë një të mirë kaq të madhe nëpërmjet meje dhe me mua dhe që shohin natyrën njerëzore të tim Biri të përlëvduar në hyjninë e tij. Shpirtrat e Purgatorit galdojnë jashtë mase njëlloj siç gëzon një i sëmurë që dergjet në shtrat dhe dëgjon nga të tjerët një fjalë ngushëlluese që ia kënaq zemrën dhe e bën të ngazëllehet papritur e pakujtuar.

Kur dëgjojnë emrin tim, engjëjt e mirë mënjeherë afrohen tek shpirtrat e mirë që ata kanë në ngarkim si engjëj mbrojtës dhe gëzohen për përparimin e tyre. Engjëj të mirë i jepen gjithkujt për mbrojtje ndërsa engjëj të këqinj për provë. Kjo nuk do të thotë se engjëjt ndahen ndonjëherë nga Hyji, por që ata e ndihmojnë shpirtin pa u larguar nga Hyji dhe rrinë pandërprerë në prani të Tij ndërkohë që vazhdojnë të ndezin flakë shpirtin dhe ta nxisin të bëjë mirë. Djajtë të gjithë dridhen nga ky emër. Kur dëgjojnë emrin Mari ata menjëherë e lëshojnë shpirtin nga kthetrat e tyre. Ashtu si zogu që e ka mbëerthyer prenë me kthetra dhe sqep e lëshon atë sapo dëgjon një zë, por kthehet vrik sapo sheh që nuk ndodhi asgjë, po kështu djajtë e lëshojnë shpirtin, të frikësuar nga tingëllimi i emrit tim, por kthehen përsëri tek ai me shpejtësinë e një shigjetë nëse nuk shohin ndonjë përmirësim.

Asnjë nuk është aq indifferent në në dashurinë për Hyjin – po qe se nuk është i mallkuar- saqë djalli të mos largohet menjëherë prej tij kur ai thërret emrin tim me vendosmërinë për të mos iu kthyer kurrë zakoneve të këqija; dhe djalli qëndron larg tij për sa kohë ai nuk dëshiron të bëjë mëkat mortor. Megjithatë ndonjëherë djalli lejohet t’i bie në qafë njeriut për hir të shpërblimit më të madh të tij, por asnjëherë nuk lejohet që të zotërojë.