Biri e mëson nusen në lidhje me djallin. Ai e sqaron se përse nuk i largon bakëqinjtë nga kjo jetë përpara se ata të bien në mëkat. Mbretëria e qiellit u jepet të pagëzuarve përpara se të arrijnë moshën e arësyes.
Libri 2 - Kapitulli 1

Biri i foli nuses, duke thënë: "Kur djalli të tundon, thuaji këto tre gjëra: 'Fjalët e Hyjit nuk mund të jenë përveçse të vërteta.' Së dyti: 'Asgjë nuk është e pamundur për Hyjin, Ai mund të bëjë gjithçka.' Së treti: 'Ti, o djall, nuk mund të më japësh dashuri më të flaktë se ajo që më jep Hyji.' " Përsëri Hyji i foli nuses, duke thënë: "Unë i shoh njerëzit në tre mënyra: së pari, trupin e tyre së jashtmi dhe në çfarë gjendje është ai; së dyti, ndërgjegjen e tyre të brendshme, drejt çfarë priret ajo dhe në ç’mënyrë; së treti, zemrën e tyre dhe çfarë ajo dëshiron. Si zogu kur sheh një peshk në det vlerëson thellësinë e ujit dhe studion erërat e shtrëngatës, po ashtu Unë di të vlerësoj sjelljet e çdo njeriu dhe të vendos se çfarë i takon secilit, sepse Unë jam më symprehtë dhe mund ta vlerësoj gjendjen e njeriut më mirë seç e njeh njeriu vetveten.

Duke qenë se Unë shoh dhe di gjithçka, ti mund të më pyesësh përse Unë nuk i largoj bakëqinjtë nga kjo jetë përpara se ata të fundosen në honet e mëkatit. Unë vetë e kam bërë këtë pyetje dhe Unë vetë do t’i përgjigjem për ty: Unë jam Krijuesi i gjithçkaje dhe i di që më parë të gjitha gjërat. Unë di dhe shikoj gjithçka që ka qenë dhe gjithçka që do të jetë. Por edhe pse Unë di dhe mund të bëj gjithçka, prapë se prapë, për arësye drejtësie, Unë nuk ndërhyj në konstruktin natyror të trupit, ashtu sikurse bëj me prirjet e shpirtit. Çdo njeri vazhdon të ekzistojë sipas konstruktit natyror të trupit, ashtu siç është, dhe Unë e kam ditur këtë qysh nga përjetësia. Fakti që dikush jeton më gjatë dhe një tjetër më pak ka të bëjë me forcën apo dobësinë natyrore dhe lidhet me konstruktin fizik të njeriut. Nuk është pasojë e paradijes Sime nëse dikush humbet shikimin apo bëhet i çalë apo diçka tjetër, pasi paradija Ime e gjithanshme është e tillë që askujt nuk i vjen e keqja prej saj e ajo nuk është e dëmshme për asnjë.

Përveç kësaj, këto gjëra nuk ndodhin as për shkak të trajektores dhe pozicionit të trupave qiellorë, por për shkak të disa parimeve të fshehta drejtësie që gjenden në konstruktin dhe ruajtjen e natyrës. Mëkati dhe çrregullimet natyrore shkaktojnë deformime të ndryshme në trup. Kjo nuk ndodh ngaqë Unë e dëshiroj këtë direkt, por ngaqë e lejoj të ndodhë për hir të drejtësisë. Edhe pse Unë mund të bëj gjithçka, prapë se prapë Unë nuk e shkel drejtësinë. Po kështu, gjatësia apo shkurtësia e jetës së njeriut lidhet me dobësinë apo forcën e konstruktit të tij fizik dhe ka qenë në paradijen Time që askush nuk mund ta cënojë.

Këtë mund ta kuptosh me anë të një shembulli. Imagjino sikur të ishin dy rrugë në të cilat shkohet nëpërmjet një rruge të vetme. Në të dyja rrugët ka shumë varre pranë e pranë e të mbivendosur. Fundi i njërës prej të dy rrugëve bie thikë në humnerë; fundi i tjetrës shkon përpjetë. Në udhëkryq shkruhet: 'Kushdo që i futet kësaj rruge, e fillon me kënaqësi fizike dhe e përfundon me mjerim dhe turp të madh. Kushdo që i futet rrugës tjetër do të lodhet disi në fillim, por në fund do të gjejë gëzim dhe ngushëllim të madh.' Dikush që po ecte në rrugën teke ishte krejtësisht i verbër. Por kur arriti tek udhëkryqi, sytë iu hapën dhe ai pa çfarë ishte shkruar për dy rrugët.

Ndërsa po studionte shenjën dhe po mendonte me vete, papritur iu shfaqën dy vetë që i thanë njëri-tjetrit: 'Le të vërejmë me kujdes se cilën rrugë do të zgjedhë dhe pastaj ai do t’i përkasë atij prej nesh rrugën e të cilit do të zgjedhë.' Udhëtari po bluante me vete të mirat dhe të këqijat e secilës rrugë. Bëri zgjedhje të matur dhe vendosi t’i futej rrugës fillimi i së cilës kërkonte ca mund për t’u përshkuar e në fund kish gëzim dhe nuk zgjodhi atë që fillonte me gëzim dhe përfundonte në mundim. Ai vendosi se ishte më e arësyeshme dhe e përballueshme të lodheshe ca në fillim dhe të pushoje i sigurt në fund.

A e kupton çdo të thotë kjo? Ta them Unë. Këto dy rrugë janë e mira dhe e keqja që mund të bëjë njeriu. Varet nga vullneti i lirë i njeriut që të zgjedhë ç’i pëlqen kur arrin moshën e arësyes. Një rrugë e vetme të çon tek dy rrugët e zgjedhjes mes së mirës dhe së keqes; me fjalë të tjera, nga mosha fëminore kalohet në moshën e pjekurisë. Personi që po ecën në rrugën e parë i përngjan një të verbëri sepse është sikur të ishte i verbër qysh nga fëmijëria deri në moshën e pjekurisë, pasi nuk di ta dallojë të mirën nga e keqja, mëkatin nga virtyti, të lejueshmen nga e ndaluara.

Personi që po ecën në rrugën e parë, pra në moshën e fëmijërisë, i përngjan një të verbri. Por kur ai arrin në udhëkryq, domethënë në moshën e pjekurisë, sytë e gjykimit i hapen. Pas kësaj ai di si të vendosë e të zgjedhë nëse është më mirë të provosh fillimisht ca mundim e më pas gëzim të përjetshëm, apo pak gëzim në fillim dhe mundim të përjetshëm në fund. Cilëndo rrugë që të zgjedhë, nuk do t’i mungojnë ata që do t’ia numërojnë me kujdes hapat. Ka shumë varre në këto rrugë, njëri pas tjetrit, njëri mbi tjetrin, pasi si në rini ashtu edhe në pleqëri njëri vdes më shpejt, tjetri më vonë, njëri në rini e tjetri në moshë të thyer. Fundi i kësaj jete simbolizohet me të drejtë nga varret: ai do t’i vijë të gjithëve, njërit në njërën mënyrë e tjetrit në një mënyrë tjetër, sipas konstruktit natyror të secilit dhe ekzaktësisht ashtu siç Unë e kam paraditur.

Nëse Unë do ta largoja nga kjo jetë dikë kundër konstruktit natyror të trupit, djalli do të kishte arësye për të më akuzuar. Prandaj që djalli të mos gjejë dot asgjë në Mua që bie ndesh sadopak me drejtësinë, Unë nuk përzihem më me konstruktin natyror të trupit, ashtu siç bëj me konstruktin e shpirtit. Por vëre mirësinë dhe mëshirën Time! Pasi, siç thotë mësuesi, Unë i jap virtyt atyre që nuk kanë asnjë virtyt. Për shkak të dashurisë Sime të madhe, Unë u jap mbretërinë e qiellit të gjithë të pagëzurve që vdesin përpara moshës së arësyes. Siç është shkruar: Ati ka dashur t’ia japë mbretërinë e qiellit këtyre. Për shkak të dashurisë Sime të thellë, Unë tregohem i mëshirshëm edhe me fëmijët e paganëve.

Nëse ndonjë prej tyre vdes pa arritur moshën e arësyes, duke qenë se nuk mund të vinë të më njohin ballë për ballë, ata shkojnë në një vend që juve nuk u lejohet ta dini, po ku ata do të jetojnë pa vuajtje. Ata që e përshkojnë rrugën teke mbërrijnë tek këto dy rrugë, domethënë në moshën kur bëhet dallimi mes së mirës dhe së keqes. Atëherë e kanë vetë në dorë të zgjedhin çfarë u pëlqen më tepër. Shpërblimi që do të marrin do të përkojë me prirjen e vullnetit të tyre sepse ata dinë ta lexojnë shenjën e shkruar në udhëkryq e cila u tregon se është më mirë të heqin ca mundim në fillim dhe pastaj t’i presë gëzimi dhe jo të kenë gëzime në fillim dhe mundime në fund. Ndonjëherë ndodh që njerëzit largohen nga kjo jetë me herët seç e lejon normalisht konstrukti i tyre fizik, siç ndodh në rastin e vrasjeve, dehjeve dhe gjërave të këtij lloji.

Kjo vjen ngaqë ligësia e djallit arrin në atë pikë saqë mëkatari do të meritonte një ndëshkim jashtëzakonisht të gjatë nëse do të jetonte gjatë në botë. Prandaj disa njerëz merren nga kjo jetë më herët sesa e lejon gjendja e tyre fizike, sepse kështu e lyp drejtësia dhe për shkak të mëkateve të tyre. Largimin e tyre nga jeta Unë e kam ditur qysh nga përjetësia dhe është e pamundur për këdo që ta cënojë paradijen Time. Ndonjëherë edhe njerëz të mirë largohen nga kjo jetë më herët seç e lejon konstrukti i tyre fizik. Për shkak të dashurisë së madhe që kam për ta dhe për shkak të dashurisë së tyre të zjarrtë dhe përpjekjeve të tyre për t’i vënë fre trupit për hatrin Tim, drejtësia ndonjëherë e lyp që të merren nga kjo jetë, siç është paraditur prej Meje qysh nga përjetësia. Pra Unë nuk ndërhyj në konstruktin natyror të trupit, ashtu siç bëj me konstruktin e shpirtit."