Ashtu sikurse Hyji i foli Mojsiut nga shkurrja që digjej, po ashtu Krishti i flet nuses dhe i tregon për djallin që simbolizohet nga Faraoni, për kalorësit e sotëm që simbolizohen nga populli i Izraelit dhe për trupin e Virgjërës që simbolizohet nga kaçubja. Tani kalorësit dhe ipeshkvinjtë po ndërtojnë shtëpi për djallin.
Libri 2 - Kapitulli 10

Në Ligjin e Mojsiut shkruhet se Mojsiu tek po kulloste grigjat e veta në shkretëtirë pa një kaçube që digjej pa u shkrumbuar, pati frikë dhe e mbuloi fytyrën. Një zë i foli nga kaçubja: 'Kam dëgjuar për vuajtjet e popullit Tim dhe më vjen keq për të pasi po e shtypin egërsisht.' Unë që tani po flas me ty jam ai zë që u dëgjua nga kaçubja. E kam marrë vesh mjerimin e popullit Tim. Cili ishte populli Im në mos Izraeli? Me këtë emër Unë tani kam parasysh kalorësit e Mi në botë që, në bazë të premtimeve të kalorësisë, më përkasin Mua, por që po sulmohen nga djalli.

Ç’i bëri Faraoni popullit Tim në Egjipt? Tre gjëra. E para, për ndërtimin e mureve ata nuk duheshin ndihmuar nga mbledhësit e kashtës që më parë i kishin ndihmuar për të bërë tulla. Tani duhet të shkonin ta mblidhnin vetë ku të mundeshin, nëpër të gjithë vendin. E dyta, ndërtuesit nuk merrnin asnjë shpërblim për mundimet e tyre, edhe kur prodhonin numrin e caktuar të tullave. E treta, mbikqyrësit i rrihnin egërsisht nëse nuk e realizonin normën. Me mundime të mëdha populli Im ndërtoi dy qytete për faraonin.

Ky faraon nuk është tjetër përveçse djalli që sulmin popullin Tim, domethënë kalorësit të cilët duhet të jenë populli Im. Për të vërtetë po të them se nëse kalorësit do t’u përmbaheshin rregulloreve të përcaktuara nga miku Im i parë, ata do të ishin mes miqve të Mi më të mirë. Ashtu si Abrahami që i pari mori urdhrin e rrethprerjes dhe m’u bind e u bë miku Im më i shtrenjtë dhe gjithkush që imitontë fenë dhe veprat e Abrahamit kish pjesë në dashurinë dhe lavdinë e tij, po kështu kalorësit më pëlqyen në mënyrë të veçantë mes gjithë urdhrave fetarë, pasi premtuan se do të derdhnin për Mua atë që kishin më të shtrenjtë, gjakun e tyre. Për këtë premtim më pëlqyen shumë, siç më pëlqeu Abrahami për rrethprerjen, e ata pastroheshin çdo ditë duke i mbajtur premtimet dhe duke bërë bamirësi.

Këta kalorës tani po shtypen keq nën skllavërinë e djallit, djalli po i plagos me një plagë vdekjeprurëse e i ka zhytyr në dhimbje dhe vuajtje. Ipeshkvinjtë e kishës po ndërtojnë dy qytete për të, njëlloj si bijtë e Izraelit. Qyteti i parë nënkupton mundimin fizik dhe ankthin e pakuptimtë për fitimin e të mirave tokësore. Qyteti i dytë është trazimi dhe vuajtja shpirtërore, pasi ata kurrë nuk prehen nga dëshirat e kësaj bote. Cfiliten, sikletosen e kanë ankth në shpirt e prandaj gjërat shpirtërore u duken barrë e rëndë.

Ashtu sikurse Faraoni nuk i jepte popullit Tim çka nevojitej për prodhimin e tullave e as u jepte fusha me grurë, as verë apo gjëra të tjera të dobishme, por populli duhet të shkonte e t’i gjente ato vetë me dhimbje e mundim në zemër, po ashtu djalli sillet me ta tani. Edhe pse mundohen dhe e lakmojnë botën me zemër, prapë nuk janë të aftë ta përmbushin dëshirën e tyre dhe ta shuajnë etjen e lakmisë. Brehen përbrenda nga dhimbja dhe fizikisht nga lodhja. Prandaj më vjen keq për vuajtjet e tyre, pasi kalorësit e Mi, populli Im, po ndërtojnë shtëpi për djallin dhe po lodhen parreshtur sepse nuk realizojnë dot çfarë duan dhe sepse mundohen për të mira që nuk ia vlen e fryt i ankthit të tyre nuk është bekimi por turpi.

Kur Mojsiu iu dërgua popullit, Hyji i dha atij një shenjë të mrekullueshme për tre arësye. E para, sepse çdo njeri në Egjipt adhuronte hyjin e vet personal dhe sepse kishte qenie të panumërta që njerëzit kujtonin se ishin zotëra. Prandaj duhej një shenjë e mrekullueshme që nëpërmjet saj dhe me pushtetin e Hyjit njerëzit të besonin se kishte një Hyj dhe një Krijues të gjithçkaje për shkak të shenjave e kështu të shihej se idhujt ishin pa vlerë. Së dyti, një shenjë iu dha Mojsiut si simbol që parakallëzontë trupin Tim. Ç’simbolizonte kaçubja në flakë që nuk shkrumbohej përveçse Virgjërën që ngjizi me anë të Shpirtit Shenjt dhe lindi pa u cënuar fizikisht? Nga kjo kaçube dola Unë duke marrë natyrë njerëzore nga trupi virgjëror i Marisë. Po ashtu gjarpri që iu dha si shenjë Mojsiut simbolizonte trupin Tim. Së treti, një shenjë iu dha Mojsiut për të konfirmuar vërtetësinë e ngjarjeve të ardhshme dhe për të parakallëzuar shenjat e mrekullueshme që do të realizoheshin në të ardhmen e kështu të mund të provohej më qartë ekzistenca e Hyjit sa më shumë gjërat e simbolizuara nga shenjat realizoheshin me kalimin e kohës.

Tani po u dërgoj fjalët e Mia bijve të Izraelit, domethënë kalorësve të Mi. Ata nuk kanë nevojë për shenja të mrekullueshme për tre arësye. Së pari sepse Hyji dhe Krijuesi i gjithçkaje tashmë adhurohet dhe njihet nga Shkrimi i Shenjtë dhe nga shenja të shumta. Së dyti, tani nuk po më presin të lind pasi e dinë se Unë kam lindur me të vërtetë e u bëra njeri dhe shkrimi është përmbushur krejtësisht. Dhe nuk ka fe më të mirë dhe më të sigurt se ajo që tashmë është predikuar nga predikuesit e Mi të shenjtë. Megjithatë Unë kam bërë tre gjëra nëpërmjet teje që ndihmojnë për të besuar. Shenja e parë janë fjalët e Mia të vërteta që nuk bien në kundërshtim me fenë e vërtetë.

Shenja e dytë është dalja e djallit nga një i djallosur me anë të fjalës Sime. Shenja e tretë është pushteti që i dhashë dikujt për të bashkuar zemrat mosbesuese në dashuri reciproke. Prandaj mos ki asnjë dyshim rreth atyre që do të besojnë në Mua. Ata që më besojnë Mua, besojnë edhe në fjalët e Mia. Ata që më shijojnë Mua, i shijojnë edhe fjalët e Mia. Është shkruar se Mojsiu e mbuloi fytyrën pasi foli me Hyjin.

Ndërsa ti nuk ke nevojë ta mbulosh fytyrën. T’i hapa sytë e shpirtit që të shohësh gjëra shpirtërore. T’i hapa veshët që të dëgjosh gjëra shpirtërore. Do të të tregoj një imazh të trupit Tim siç ish gjatë dhe para Pasionit Tim e siç ish pas ringjalljes, siç e panë Magdalena, Pjetri dhe të tjerë. Do të dëgjosh edhe zërin Tim siç i foli Mojsiut nga kaçubja. Po atë zë që po flet tani nga brenda shpirtit tënd."