Krishti i flet nuses për lavdinë dhe nderin e kakorësit të mirë dhe të vërtetë, për engjëjt që dalin ta takojnë dhe Trininë e lavdishme që e pret me përzemërsi dhe e çon në një vend paqeje të papërshkrueshme si shpërblim për mundimet e pakta.
Libri 2 – Kapitulli 11

Të tregova më parë për fundin dhe ndëshkimin e kalorësit që qe i pari që e braktisi shërbimin kalorsiak që më pati premtuar. Tani do të përshkruaj me metafora (se përndryshe nuk je në gjendje t’i kuptosh gjërat shpirtërore) lavdinë dhe nderin e atij që i pari hyri në shërbimin e vërtetë kalorsiak dhe burrërisht qëndroi në të deri në fund. Kur ai arriti në fund të jetës dhe shpirti i tij u nda nga trupi, pesë legjione engjëjsh dolën për ta përshëndetur. Bashkë me ta doli edhe një turmë djajsh që të gjenin ndonjë akuzë kundër tij, sepse ata janë plot ligësi e kurrë nuk rreshtin së bëri ligësira.

Pastaj një zë i qartë dhe kumbues u dëgjua në qiell tek thoshte: 'Zoti dhe Ati im, a nuk është ky ai që iu nënshtrua vullnetit Tënd dhe e zbatoi atë përsosshmërisht?' Pastaj vetë ai njeri u përgjigj në ndërgjegjen e vet: 'Me të vërtetë unë jam ai.' U dëgjuan tre zëra. I pari ishte ai i natyrës hyjnore që tha: 'A nuk jam Unë Ai që të krijova dhe të dhashë trup dhe shpirt? Ti je biri Im dhe ke kryer vullnetin e Atit tënd. Eja tek Unë, Krijuesi i plotfuqishëm dhe Ati yt i dashur! Ti meriton trashëgimi të përjetshme sepse je bir. E meriton trashëgiminë e Atit tënd sepse iu binde Atij.

Prandaj, biri Im, eja tek Unë! Të mirëpres me gëzim dhe ndere' Zëri i dytë ishte i natyrës njerëzore dhe tha: 'Vëlla, eja tek vëllai yt! E dhashë jetën për ty në betejë dhe derdha gjakun për ty. Ti, që iu binde vullnetit Tim, eja tek Unë! Ti, që dhe gjak për gjak dhe ishe gati të jepje vdekje për vdekje dhe jetë për jetë, eja tek Unë! Ti që më imitove Mua me jetën tënde, hyj tani në jetën Time dhe në gëzimin Tim të amshuar! Të pranoj si vëllain Tim të vërtetë.' Zëri i tretë ishte ai i Shpirtit (por të tre janë një Hyj, jo tre hyje) që tha: 'Eja, kalorësi Im, jeta jote më pëlqente aq shumë saqë Unë digjesha nga dëshira të banoja me ty!

Me sjelljen tënde burrërore meritove mbrojtjen Time. Prandaj hyj në paqe për të gjitha vuajtjet fizikë që ke hequr! Për vuajtjet e tua mendore, hyj në ngushëllimin e papërshkrueshëm! Për dashurinë dhe përpjekjet e tua burrërore, eja tek Unë dhe Unë do të jetoj në ty e ti në Mua! Pra eja tek Unë o kalorësi Im i shquar që kurrë nuk dëshirove gjë tjetër përveç Meje!' Pastaj pesë zëra u dëgjuan nga secili legjion i engjëjve.

I pari foli dhe tha: 'Ejani të marshojmë përpara këtij kalorësi të shquar e të mbajmë armët e tij, domethënë le t’i paraqesim Hyjit tonë besimin që ai e ruajti të palëkundur dhe e mbrojti nga armiqtë e drejtësisë.' Zëri i dytë tha: 'Të mbajmë edhe mburojën para tij, domethënë le t’i tregojmë Hyjit tonë durimin e tij që, edhe pse Hyji e njeh, do të përlëvdohet më tepër për shkak të dëshmisë sonë. Me durimin e tij ai jo vetëm që i përballoi vështirësitë me durim, por edhe e falenderoi Hyjin për to.'

Zëri i tretë tha: 'Ejani të marshojmë para tij dhe t’ia paraqesim shpatën e tij Hyjit, domethënë le t’i tregojmë Atij bindjen me të cilën ai qëndroi besnik në kohë të vështira e të begata, sipas premtimit të bërë.' Zëri i katërt tha: 'Ejani e t’i tregojmë Hyjit kalin e tij, domethënë le t’i dëshmojmë për përvujtërinë e tij. Ashtu sikurse kali mban trupin e njeriut, po ashtu përvujtëria i printe dhe e ndiqte atë duke e shoqëruar në kryerjen e çdo vepre të mirë. Krenaria nuk gjeti asgjë të vetën në të, prandaj ai kalëroi i sigurt.' Zëri i pestë tha: 'Ejani e t’ia paraqesim helmetën e tij Hyjit tonë, domethënë le të dëshmojmë për dashurinë që ai ushqente për Hyjin!

Ai mendonte për Të në zemrën e tij gjithmonë. E kishte në buzë e në vepra dhe e donte mbi gjithçka. Nga dashuria dhe respekti për Hyjin ai u nda nga bota. Pra le t’ia paraqesim këto gjëra Hyjit tonë pasi, në këmbim të pak mundimeve, ky njeri ka merituar paqe dhe gëzim të përjetshëm nga Hyji i tij që ai e dëshironte aq shumë dhe aq shpesh!' I shoqëruar nga tingëllimi i këtyre zërave dhe nga një kor i mrekullueshëm engjëjsh, miku Im u dërgua në paqen e përjetshme.

Kur shpirti i tij e pa këtë, i tha vetes me gëzim: 'Lum unë që jam krijuar! Lum unë që i kam shërbyer Hyjit tim që tani e shoh! Lum unë sepse kam gëzim dhe lavdi që s’do të mbarojnë kurrë!' Në këtë mënyrë miku Im erdhi tek Unë dhe mori një shpërblim të tillë. Edhe pse jo të gjithë e derdhin gjakun për emrin Tim, prapë se prapë të gjithë do të marrin të njëjtin shpërblim nëse janë gati ta japin jetën për Mua nëse u jepet rasti. Ja pra sa i rëndësishëm është synimi i drejtë!"