Krishti i tregon nuses për natyrën e pandryshueshme dhe përjetësinë e drejtësisë së Tij. Pasi mori natyrë njerëzore, Ai e tregoi drejtësinë e Vet nëpërmjet dashurisë në një dritë të re. Ai me mirësi tregon mëshirë ndaj të mallkuarve dhe u mëson kalorësve mëshirën.
Libri 2 - Kapitulli 12

Unë jam Mbreti i vërtetë. Askush nuk e meriton të quhet mbret përveç Meje. Unë jam Ai që gjykoi engjëllin e parë i cili mëkatoi për shkak të krenarisë, lakmisë dhe zilisë. Jam ai që gjykoi Adamin, Kainin dhe gjithë botën me anë të përmbytjes për shkak të mëkateve të gjinisë njerëzore. Jam Unë Ai që e lejoi popullin e Izraelit të binte në skllavëri dhe mrekullisht e çlirova me shenja të mrekullueshme. Çdo drejtësi gjendet në Mua. Drejtësia gjithnjë ishte dhe është në Mua pa fillim dhe fund. Kurrë nuk pakësohet, gjithnjë mbetet e vërtetë dhe e pandryshueshme. Edhe pse tani drejtësia Ime duket disi më e zbutur dhe Hyji tashmë duket si gjykatës më i durueshëm, kjo nuk tregon ndryshim në drejtësinë Time, që kurrë nuk ndryshon, por vetëm sa e nxjerr më në pah dashurinë Time. Unë tani e gjykoj botën me po atë drejtësi dhe me po atë gjykim të drejtë si atëherë kur lejova që populli Im të bëhej skllav në Egjipt dhe të vuante në shkretëtirë.

Para se të mishërohesha, dashuria Ime qëndronte fshehur. E mbajta fshehur në drejtësinë Time si dritë të eklipsuar nga një re. Pasi mora natyrë njerëzore, edhe pse ligji që qe dhënë ndryshoi, vetë drejtësia nuk ndryshoi por u bë më e dukshme dhe doli më qartë në pah me anë të dashurisë së Birit të Hyjit. Kjo ndodhi në tre mënyra. E para, ligji u zbut pasi kish qenë i rreptë për shkak të mëkatarëve të pabindur dhe zemërgurë dhe kish qenë i vështirë me qëllim që të zbuste krenarët. E dyta, Biri i Hyjit vuajti dhe vdiq. E treta, gjykimi Im tani duket sikur është më larg dhe duket sikur është shtyrë nga mëshira dhe sikur është më i butë ndaj mëkatarëve se më parë. Në fakt, aktet e drejtësisë në lidhje me prindërit e parë, me përmbytjen apo me ata që vdiqën në shkretëtirë, duken të ashpra dhe strikte. Por po ajo drejtësi është ende në Mua dhe gjithnjë ka qenë. Porse mëshira dhe dashuria tani janë më të dukshme. Më parë, për arësye urtie, dashuria qëndronte fshehur brenda drejtësisë dhe u shfaq me mëshirë edhe pse në një mënyrë edhe më të fshehtë, pasi Unë kurrë nuk kam kryer dhe kurrë nuk kryej drejtësi pa mëshirë apo mirësi pa drejtësi. Megjithatë tani ti mund të pyesësh: nëse Unë tregoj mëshirë në drejtësinë Time, në ç’mënyrë jam i mëshirshëm ndaj të mallkuarve? Po të përgjigjem me anë të një shembëlltyre. Është sikur një gjykatës të jetë ulur në gjykim dhe vjen për t’u gjykuar vëllai i tij.

Gjykatësi i thotë: 'Ti je vëllai im dhe unë gjykatësi yt, por edhe pse të dua sinqerisht, unë nuk mundem e as është e drejtë që të veproj padrejtësisht. Në ndërgjegjen tënde ti e sheh se çfarë meriton. Lypset që të gjykohesh siç e meriton. Nëse do të ishte e mundur të veprohej kundër drejtësisë, unë me gëzim do ta merrja mbi vete dënimin tënd.' Unë jam si ai gjykatës. Ky person është si vëllai Im për shkak të natyrës Sime njerëzore. Kur ai vjen të gjykohet nga Unë, ndërgjegja e informon për fajin e tij dhe ai e kupton se cili është dënimi që meriton. Duke qenë se Unë jam i drejtë, unë i përgjigjem shpirtit – për t’u shprehur figurativisht – dhe i them: 'Ti në ndërgjegjen tënde e sheh se ç’dënim meriton. Tregomë ç’meriton.' Shpirti pastaj më përgjigjet: 'Ndërgjegja më informon për dënimin tim. Meritoj të ndëshkohem sepse nuk t’u binda Ty.' Unë përgjigjem: 'Unë, gjykatësi yt, e mora mbi vete gjithë ndëshkimin tënd dhe ta bëra të ditur rrezikun dhe mënyrën si t’i shpëtoje ndëshkimit. Drejtësia nuk mund të lejonte që ti të hyje në qiell pa e shlyer fajin tënd. Pagova Unë për ty sepse ti nuk ishe në gjendje ta shlyeje vetë.

Me anë të profetëve të tregova se çfarë do të më ndodhte Mua dhe nuk lashë pa realizuar as edhe një detaj të vogël nga ato që parakallëzuan profetët. Të tregova gjithë dashurinë Time që të të nxisja të ktheheshe tek Unë. Por meqenëse ti u largove nga Unë, ti meriton të dënohesh sepse e shpërfille mëshirën. Por Unë ende jam aq i mëshirshëm saqë, po të ishte e mundur që të vdisja përsëri, për ty do të isha gati të duroja po ato vuajtje që dikur hoqa në kryq për të të shpëtuar nga dënimi. Por drejtësia thotë se është e pamundur që Unë të vdes prapë për ty, edhe pse mëshira më thotë se do të donte të vdiste përsëri për ty nëse do të ishte e mundur. Në këtë mënyrë Unë jam i mëshirshëm dhe dashamirës edhe ndaj të mallkuarve. Unë e dua njerëzimin qysh nga fillimi, edhe kur dukesha i zemëruar, por askush nuk donte t’ia dinte për dashurinë Time.

Duke qenë se jam i drejtë dhe i mëshirshëm, i paralajmëroj të ashtëquajturit kalorës të Mi se ata duhet ta kërkojnë mëshirën Time që drejtësia Ime të mos bjerë mbi ta. Drejtësia është ë palëkundur si mal, digjet si zjarr, është e frikshme si shkreptimë dhe e beftë si shigjetë. Paralajmërimi Im është i trefishtë. Së pari i paralajmëroj siç bën ati me të bijtë, që ata të kthehen tek Unë sepse Unë jam Ati dhe Krijuesi i tyre. Le të kthehen dhe do t’u jap trashëgiminë që u përket. Le të kthehen sepse, edhe pse më kanë refuzuar, prapë do t’i mirëprisja me gëzim dhe do të dilja t’i takoja me dashuri. Së dyti, u kërkoj si vëlla që të kujtojnë plagët dhe veprat e Mia. E treta, si Zoti i tyre Unë u kërkoj të kthehen tek Zoti të cilit i kanë premtuar fe, ndaj të Cilit duhet të kenë besnikëri dhe të Cilit i janë përkushtuar me betim.
Prandaj, o kalorës, kthehuni tek Unë, Ati juaj, që ju rriti me dashuri. Mendoni për Mua, vëllain Tuaj, që u bë si ju nga dashuria për ju. Kthehuni tek Unë, Zoti i mirë. Është tejet e pandershme që t’i premtoni fenë dhe besimin një zotërie tjetër. Ju më premtuat se do ta mbronit kishën Time dhe do t’i ndihmonit nevojtarët. Ndërsa tani i premtoni besnikëri armikut Tim dhe e hidhni tej flamurin Tim e mbani lart flamurin e armikut Tim!

Prandaj, o kalorës, kthehuni tek Unë me përvujtëri të vërtetë, sepse më keni braktisur nga krenaria. Nëse ju duket e vështirë të duroni ndonjë gjë për Mua, kujtoni ç’bëra për ju. Per ju shkova në kryq me këmbët e përgjakura, duart dhe këmbët e Mia u shpuan për ju; nuk kurseva as edhe një gjymtyrë Timen për ju. E prapë ju nuk doni t’ia dini për këto dhe largoheni prej Meje. Kthehuni dhe do t’u jap tre lloj ndihmash. Së pari, forcë për të qenë në gjendje t’i bëni ballë armiqve tuaj fizikë dhe shpirtërorë. Së dyti, zemërgjerësi të guximshme që të mos i trembeni askujt përveç Meje dhe t’i konsideroni gëzim përpjekjet për Mua. Së treti, do t’u jap urti që ta kuptoni fenë e vërtetë dhe vullnetin e Hyjit. Pra kthehuni dhe silluni si burra! Pasi Unë që po ju jap këtë paralajmërim jam vetë Ai të cilit i shërbejnë engjëjt, Ai që i liroi etërit tuaj të bindur, i ndëshkoi të pabindurit dhe i përuli krenarët. Isha i pari në luftë, i pari në vuajtje. Prandaj më ndiqni që të mos shkriheni siç shkrihet dylli në zjarr. Pse nuk e mbani premtimin? Pse e shkelni betimin? Vallë vlej më pak apo jam më i padenjë se disa miq tuaj tokësorë të cilëve kur u premtoni besnikëri, e mbani fjalën? Kurse Mua, dhuruesit të jetës dhe nderit, kujdestarit të shëndetit, ju nuk i jepni çka i keni premtuar.

Për këtë arësye, kalorës të mirë, mbajini premtimet dhe, nëse jeni tepër të dobët për t’i mbajtur me vepra, të paktën kini vullnetin e mirë për t’i mbajtur ato! Më vjen keq për skllavërinë ku ju ka zhytyr djalli, prandaj do ta pranoj vullnetin tuaj si vepër. Nëse ktheheni tek Unë me dashuri, atëherë përkushtojuni fesë së kishës Sime dhe Unë do të dal t’ju takoj si një baba zemërmirë së bashku me gjithë ushtrinë Time. Do t’ju jap pesë gjëra të mira si shpërblim. E para, lavde pafund do të tingëllojnë gjithmonë në veshët tuaj. Së dyti, fytyrën dhe lavdinë e Hyjit do t’i kini gjithnjë para syve. E treta, lëvdimi i Hyjit kurrë nuk do të largohet nga buzët tuaja. E katërta, do të kini gjithçka që shpirti juaj dëshiron dhe nuk do të dëshironi asgjë më tepër sesa kini. E pesta, kurrë nuk do të ndaheni nga Hyji juaj, por dashuria juaj do të zgjasë pafund dhe ju do ta kaloni jetën në gëzim të amshuar.

I tillë do të jetë shpërblimi juaj, o kalorësit e Mi, nëse e mbroni fenë Time dhe përpiqeni më shumë për nderin Tim se për tuajin. Nëse keni ndopak mend, kujtohuni se kam qenë i durueshëm me ju, ndërsa ju më këni fyer në një mënyrë të tillë që ju vetë nuk do ta kishit toleruar. Pavarësisht se Unë mund të bëj gjithçka me plotfuqishmërinë Time, pavarësisht se drejtësia Ime kërkon shpagim ndaj jush, prapë mëshira që gjendet në urtinë dhe mirësinë Time ju kursen. Prandaj kërkoni mëshirë! Nga dashuria Unë jap çka personi më kërkon.