Fjalë të forta që Krishti i thotë nuses për kalorësit e sotëm dhe për mënyrën e formimit të tyre. Hyji u jep forcë dhe ndihmë kalorësve në veprat që kryejnë.
Libri 2 - Kapitulli 13

Unë jam një Hyj së bashku me Atin dhe Shpirtin Shenjt, një trini Personash. Asnjë prej të treve nuk mund të ndahet apo të shkëputet nga dy të tjerët, por Ati është në Birin dhe Shpirtin, Biri është në Atin dhe Shpirtin dhe Shpirti në të dy. Hyjnia i dërgoi Fjalën e Vet Virgjërës Mari me anë të engjëllit Gabriel. E megjithatë po Ai Hyj që dërgoi dhe u vetëdërgua, ishte me engjëllin, Ai ishte në Gabrielin dhe Ai ishte në Virgjërën përpara Gabrielit. Pasi engjëlli dha mesazhin, Fjala u bë njeri në Virgjërën. Unë që po të flas jam ajo Fjalë.

Ati më dërgoi nga Vetja me Shpirtin Shenjt në krahërorin e Virgjërës pa i privuar engjëjt nga vizioni dhe prania e Hyjit. Unë, Biri, që isha me Atin dhe Shpirtin Shenjt në krahërorin virgjëror, mbeta po ai Hyj në sytë e engjëjve në qiell së bashku me Atin dhe Shpirtin, duke sunduar dhe mbajtur në jetë gjithçka. Megjithatë, natyra njerëzore e marrë nga Biri i vetëm ndenji në krahërorin e Marisë. Unë, që jam një Hyj në natyrat e Mia hyjnore dhe njerëzore, denjoj të flas me ty dhe të të tregoj dashurinë Time dhe të ta forcoj fenë e shenjtë.

Edhe pse trajta Ime njerëzore duket sikur është përpara teje dhe të flet, prapë se prapë është më e vërtetë të thuhet se shpirti dhe ndërgjegja jote janë me Mua dhe në Mua. Asgjë në qiell apo tokë nuk është e pamundur apo e vështirë për Mua. Unë jam si një mbret i fuqishëm që vjen në një qytet me trupat e tij dhe e pushton të gjithin. Po kështu hiri Im mbush tërë gjymtyrët e tua dhe i forcon të tëra. Unë jam brenda dhe jashtë teje. Edhe pse flas me ty, Unë mbetem në lavdinë Time. Vallë ç’mund të jetë e vështirë për Mua që mbaj në jetë gjithçka me fuqinë Time dhe i rregulloj gjithë gjërat në urtinë Time, duke shkëlqyer mbi gjithçka? Unë, një Hyj së bashku me Atin dhe Shpirtin Shenjt, pa fillim dhe fund, që mora natyrë njerëzore për shpëtimin e njerëzimit ndërkohë që natyra Ime hyjnore mbeti e pandryshuar, Unë që vuajta, u ngjalla dhe u ngjita në qiell, Unë vetë po flas me ty.

Të tregova më parë për kalorësit që dikur më jepnin shumë kënaqësi sepse qëndronin të bashkuar me Mua me lidhjen e dashurisë. U lidhën me Mua duke u betuar se do të jepnin trupin e tyre për trupin Tim, gjakun e tyre për gjakun Tim. Prandaj u dhashë pëlqimin, prandaj i bashkova me Mua me një lidhje dhe shoqëri të vetme. Por tani trishtohem sepse këta kalorës, që duhet të ishin të Mitë, janë larguar prej Meje. Unë jam Krijuesi i tyre, shëlbuesi dhe ndihmësi i tyre. U krijova një trup me çdo gjymtyrë. Bëra gjithçka në botë për ta. I shpërbleva me gjakun Tim. Fitova një trashëgimi të përjetshme për ta me mundimet e Mia. Unë i mbroj nga çdo rrezik.

Por tani ata janë larguar prej Meje. I shpërfillin mundimet e Mia, nuk duan t’ia dinë për fjalët e Mia që duhej të ishin gëzimi dhe ushqimi i tyre shpirtëror. Ata më përçmojnë, dëshirojnë me gjithë zemër dhe shpirt të vuajnë për hir të lavdeve njerëzore, ta derdhin gjakun për hir të lakmisë, jani gati të vdesin për fjalë të ulta, djallëzore, boshe. Por prapë, edhe pse janë larguar, mëshira dhe drejtësia Ime janë pranë tyre. Me mëshirë i ruaj që të mos mos bien pre e djallit djallit. Me drejtësi Unë i toleroj me durim dhe nëse do të ktheheshin përsëri, do t’i mirëprisja me gëzim e hareshëm do të rendja t’i takoja.

Thuaji atij që dëshiron të bëhet kalorës në shërbimin Tim se mund të gjej prapë hir në sytë e Mi me anë të ceremonisë që vijon. Ai që dëshiron të bëhet kalorës duhet të vijë me kalin dhe armatimet e veta ne oborrin e kishës dhe ta lërë aty kalin, pasi ai nuk është bërë që njeriu të krekoset me të por për t’i shërbyer në jetë, për t’u mbrojtur e për të luftuar armiqtë e Hyjit. Pastaj le të veshë mantelin, të lidhë shiritin në kokë, si diakoni që vë shallin në shenjë bindjeje dhe durimi të shenjtë. Në të njëjtën mënyrë ai duhet të veshë mantelin dhe të lidhë shiritin në kokë si shenjë të premtimeve ushtarake dhe bindjes që ka premtuar në mbrojtje të kryqit të Krishtit.

Duhet t’i prijë një flamur i pushtetit laik, për ta kujtuar se ai duhet t’i bindet pushtetit tokësor në gjithçka që nuk bie ndesh me Hyjin. Pasi të ketë hyrë në oborrin e kishës, prifti duhet të dalë ta takojë me flamurin e kishës. Në të duhet të pasqyrohen mundimet dhe plagët e Krishtit si shenjë se ai ka për detyrë ta mbrojë kishën e Hyjit dhe t’u bindet klerikëve të lartë. Kur hyn në kishë, flamuri i pushtetit të përkohshëm duhet të lihet jashtë kishës, ndërsa flamuri i Hyjit duhet t’i prijë brenda në kishë si shenjë që pushteti hyjnor është mbi pushtetin laik dhe se njeriu duhet të kujdeset më tepër për gjërat shpirtërore sesa për gjërat e përkohshme.

Kur Mesha të ketë arritur tek Agnus Dei, drejtuesi i ceremonisë, pra mbreti apo dikush tjetër, duhet t’i afrohet kalorësit pranë altarit dhe t’i thotë: 'A dëshiron të bëhesh kalorës?' Kur kandidati përgjigjet, ‘Po, dua,’ tjetri duhet të shtojë fjalët: 'Premtoji Hyjit dhe mua se do ta mbrosh fenë e Kishës së Shenjtë dhe do t’i bindesh udhëheqësve të saj në gjithçka që ka të bëjë me Hyjin!'

Kur kandidati përgjigjet 'Po,' tjetri duhet t’i vendosë shpatën në duar duke i thënë: 'Ja, unë po vë një shpatë në duart e tua që ti mos ta kursesh as jetën tënde për hir të kishës së Hyjit, që t’i mposhtësh armiqtë e Hyjit dhe të mbrosh miqtë e Tij.' Pastaj duhet t’i japë mburojën dhe t’i thotë: 'Ja, po të jap një mburojë që të mbrohesh nga armiqtë e Hyjit, që të ndihmosh të vejat dhe jetimët, që ta shtosh lavdinë e Hyjit me çdo vepër.' Pastaj duhet ta vërë dorën në qafën e tjetrin duke thënë: 'Ja, tani je në varësi të bindjes dhe autoriteteve. Ta dish pra se duhet të zbatosh çfarë ke premtuar me betim!' Pastaj i shtrëngohen manteli dhe rripat për t’i kujtuar çdo ditë premtimet që i ka bërë Hyjit dhe betimin e bërë përpara kishës që e detyron më tepër se të tjerët ta mbrojë kishën e Hyjit.

Pasi të bëhen këto dhe të jetë thënë Agnus Dei, meshtari që mban Meshën duhet t’i japë trupin Tim që ai të jetë në gjendje ta mbrojë fenë e Kishës së Shenjtë. Unë do të jem në të dhe ai në Mua. Do t’i jap ndihmë dhe forcë dhe do ta bëj të digjet flakë nga dashuria e të mos dëshirojë tjetër gjë përveç Meje, Hyjit të tij. Nëse ndodh që merr pjesë në një fushatë ku angazhohet për lavdinë Time dhe mbrojtjen e fesë Sime, prapë do t’i vlejë nëse ka synime të drejta.

Unë jam gjithkund në sajë të pushtetit Tim dhe të gjithë mund të më pëlqejnë kur kanë synime të drejta dhe vullnet të mirë. Unë jam dashuri dhe askush nuk mund të vijë tek Unë përveç atyre që kanë dashuri. Prandaj nuk detyroj askënd, sepse përndryshe do të më shërbenin nga frika. Por ata që duan të angazhohen në këtë formë shërbimi kalorsiak më pëlqejnë. Do të ishte mirë për ta që ta tregonin me përvujtëri se duan t’i përkushtohen me të vërtetë shërbimit kalorsiak sepse dezertimi prej tij është pasojë e krenarisë."

SQARIM
Mendohet se ky kalorës është Sër Karli, i biri i Brixhidës.